Ku ka përfunduar, pas 100 vitesh, parlamentarizmi?!
-Sot në sallën e parlamentit ndodhen jo vetëm deputetë të pa kulturë e anonimë, por edhe idiotë të lindur. Natyrisht që disa deputetë kanë integritet të lartë profesional dhe njerëzor, por humbin mes llumit të sotëm të deputetëve të “pazarit të Milotit”.
-Pas Kongresit të Lushnjes në Parlament për të përfaqësuar qytetarët ishin emra si; Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Dom Ndre Mjeda, Bajram Curri, Hil Moisi, Maliq Bushati, Sejfi Vllamasi, Visaron Xhuvani, Shefqet Vërlaci, Pandeli Cale, Ali Këlcyra e një sërë figurash të tjera, të cilët para se të merrnin statusin e politikanit, kishin një karrierë të spikatur gjatë jetës së tyre. Ishin jo vetëm patriotë, në ato kohë kur patriotizmi bëhej me armë jo me fjalë, por edhe përfaqësues të inteligjencës së kombit e njerëz që rrezatonin kulturë perëndimore dhe përbënin atë që njihej si elita e vendit.
Parlamenti nisi dje pasdite sesionin e radhës në një jubile të rëndësishëm. Shqipëria feston sot, me 21 janar, fiks 100-vjetorin e parlamentit shqiptar. Në një shekull parlamentarizëm historia na tregon se jo gjithmonë gjërat vijnë dhe bëhen më mirë. Përkundrazi, rasti i Shqipërisë mund të jetë model unik në botë ku në raport me të kaluarën institucionet njohin degradim dhe jo zhvillim.
Mjafton të krahasosh se çfarë mban sot brenda salla e Parlamentit, në raport me përbërjen e Parlamentit të parë (Senatit) të dalë nga Kongresi i Lushnjes 100 vite më pare dhe ikën me vrap nga Tirana. Në kohën e Kongresit të Lushnjës (1920), Shqipëria ende nuk kishte përcaktuar një status të qartë, nëse ishte shtet, mbretëri dhe ku dhe sa ishte territori i saj. Por në këtë rrëmujë dhe luftë për ekzistencë burrat që dolën për të përfaqësuar qytetarët në Senat dhe më disa muaj më pas në Parlament ishin emra që shkëlqenin në fushata të caktuara të kulturës, artit dhe mbi të gjitha kishin ndikim në zonat e gjithë vendit. Së për kujtesë, pas Kongresit të Lushnjes; në Parlament për të përfaqësuar qytetarët ishin emra si; Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Dom Ndre Mjeda, Bajram Curri, Hil Moisi, Maliq Bushati, Sejfi Vllamasi, Visaron Xhuvani, Shefqet Vërlaci, Pandeli Cale, Ali Këlcyra, e një sërë figurash të tjera, të cilët para se të merrnin statusin e politikanit, kishin një karrierë të spikatur gjatë jetës së tyre. Ishin jo vetëm patriotë, në ato kohë kur patriotizmi bëhej me armë, jo me fjalë, por edhe përfaqësues të inteligjencës së kombit e njerëz që rrezatonin kulturë perëndimore dhe përbënin atë që njihej si elita e vendit. Janë njerëzit që mbajtën e themelet e shtetit që u krijua më 1912 dhe i dhanë më pas Shqipërisë institucionet dhe ligjet e para reale të vendit.
Historia më pas dihet me pushtimin e komunizmit që bëri të pamundur që Parlamenti të ishte një institucion përfaqësues i qytetarëve. Justifikimet nuk mungojnë asnjëherë për dështimet, por teksa hedh sytë të parlamenti i sotëm kupton se niveli i tij ka degraduar dhe është një TURP KOMBETAR.
Përballë emrave si Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Dom Ndre Mjeda, Bajram Curri, Hil Mosi, Maliq Bushati, etj, sot shikon njerëz pa pikë niveli kulturorë. Fjalimet e atyre viteve, të deputetëve më pak të njohur se lista e mësipërme, kur shqipja nuk ishte ende gjuhë standarde duken si kryevepra nëse krahasohen me fjalimet e sotme të deputetëve që e thënë troç; nuk dinë të lexojnë shqip. Shumë deputetë në PS nuk flasin shumë dhe bëjnë mirë, të paktën do mbahen mend që nuk folën, sesa të kujtohen si njerëzit e gafave. Ndërsa opozita e kësaj legjislature (“opozita e re”) është ajo që do hyjë në histori si më e keqja e 100 viteve. Pasi nuk pranuan të djegin mandatet ose morën mandatet që la opozita reale, deputetët e rinj sabotuan aksionin opozitar dhe u kthyen në vegla shumëpërdorimshme të qeverisë “Rama”. Për këtë kategori duhet të realizohet kërkesa e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, kur foli për “testin e idiotit” tek shoferët. Mbase duhet bërë një test serioz edhe në ambientet e Kuvendi për të parë se shumica e tyre janë në rregull apo kanë defiçensa të lindura. Sulmet që u bëhen shpesh herë këtyre deputetëve nga media mund të krijojnë idenë së janë të motivuara politikisht, por kur i sheh si flasin, si sillen dhe qëndrimet politike që mbajnë në Parlament, kupton se asnjë kritikë nuk është e pamerituar. Një varfëri te tillë morale dhe kulturore nuk e ka pasur asnjë parlament tjetër në historinë e Shqipërisë. Fatkeqësisht, të njëjtët njerëz sot e rendisin emrin në listë me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën dhe të tjerë.
Një turp të tillë Shqipëria ka 100 vite që nuk e ka pasur. Dhe sot parlamentarizmi mbush plot 100 vjet, me deputetë që është pak të thuhet se jo vetëm pa kulturë, por edhe idiotë të lindur.
Mili Xhani