Kujtesë për Bujar Nishanin, njeriun e mirë dhe politikanin e urtë, sot në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga Albert Vataj

Bujar Nishani prej dy viteve i mungon familjes, miqve dhe atyre demokratëve të mbetur ende në shpresën e ëndrrës demokratike.

Prej dy viteve, njeriu i mirë e demokrati i urtë, nuk është më pjesë e udhës së përmbushjes së asaj që idealistët e betejave liri-demokraci ende luftojnë dhe besojnë.

Ju dha ikjes së pakohë dy vite më parë, Bujar Nishani. Si ministër i Drejtësisë, i Brendshëm dhe President, dhe si një figurë ikonike e Partisë Demokratike, u përpoq sa mundi e luftoi ngadhënjyeshëm, ndoshta shumë më shumë, se sa fuqi i kishte mbetur pas nënshtrimit nga sëmundja, ndaj së cilës nuk fitoi dot. Zgjodhi të largohej, duke lënë shumë gjëra të papërfunduara, pezull disa të tjera, patjetër edhe zemërthyerje dhe lëndime shpirti.

Megjithatë ikja e mori atë më 28 maj 2022, teksa po kurohej në spitalin universitar Charite të Berlinit në Gjermani, pa mundur t’ia jepte amshimit të gjithin, sepse kishte lënë në ne diçka që nuk mund ta merrte dot me vete në ikjen pa kthim.

Mbeti këtu ai Bujari i bujarshëm në mirësi dhe dashuri, në mirëkuptim dhe tolerancë, në vlerat njerëzore dhe përkushtimin kontribuues.

Iku ai, Bujar Nishani; ai që sipas Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, “ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian”; ai që sipas Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, “i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët”; ai që sipas liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, “ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të Presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”; ai që sipas kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, “… do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion”; ai që në vlerësimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, “me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo”; ai që Armand Duka, Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit në lamtumirën e Nishanit u shpreh se “do ta kujtoj gjithmonë si një burrë të urtë e të mençur, një dashamirës futbolli dhe tifoz i madh i Kombëtares”; po, ai që deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj do ta kujtojë për “Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në çdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President”. Ndërsa për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Bujar Nishani “shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash”.

Sipas Ilir Kullës nderimi, mirënjohja dhe kujtesa ndaj Nishanit sintetizohet në përkufizimin e tij, sipas të cilit: “Për të vlen shprehja Zotëri lind, nuk bëhesh!”. Ai ishte i tillë në një realitet politik kulisash dhe intrigash, makinacionesh dhe fatalizmash, në një Shqipëri që konfliktualiteti dhe destabiliteti fabrikohej për kapital elektoral dhe ekspansion politik.

Megjithatë, ai, Bujar Nishani besonte në vlerat dhe kontribute, në dinjitet dhe integritet, në tolerancë dhe mirëkuptim, si mundësi për të bërë më të mirën dhe dhënë optimalen për një të ardhme që meriton ky popull, kjo Shqipëri ëndrrimtarësh dhe martirësh të fjalës së lirë dhe besimit të shenjtëruar në mision

Në këtë kujtesë dhe përulësi nderimi, për të gjithë ata që dinjitetin dhe vlerat kanë si obligim, Nishani la këtu tek ne njeriun i përkorë dhe politikani i urtë, sfiduesin e paepur të sëmbimeve të shëndetit dhe trazimeve politike dhe triumfuesin e betejave të integritetit.

Ishte nga të paktët njerëz të dinjitetshëm dhe vullnete të dëlira që hynin atyre viteve në Partinë Demokratike dhe dilnin prej andje me një ëndërr dhe besim se gjithnjë kishte shpresë, madje edhe në ato ditë të pështjellimta të përplasjes dhe pamundësisë për të gjetur maturi dhe urtësi dakordësi.

Edhe në këto momente deçizive dhe përcaktuese për fatin e mëtejmë historik të Partisë Demokratike, ai u përpoq duke bërë më  shumë se mundi, duke shpresuar me më vetëbesim se çdo aspirues dhe idealist që tubonte me shpirt në thirrjen për maturi dhe shans.

Fati i keq deshi që ta shihte partinë të cilën e ushqeu me ambicie dhe vendosmëri, teksa shpërbëhej. Por ai ndoshta vendosi të ikte më shpejt se sa PD të vinte në këtë ditë pa të nesërme dhe pa aspiratat e ëndrrimtarëve që e themeluan dhe e bënë shpresën e shqiptarëve.

Bujar Nishani nuk është më fizikisht, por edhe botëkuptimi i tij politik, toleranca dhe mirëkuptimi që ai predikoi, tashmë nuk ndodhen në energjitë e fuqisë lëvizëse të të vetmes shpresë të njëmendshme për ndryshimin e gjërave dhe fuqizimin e një opozite inekzistente.

Bujar Nishani, paç dritën e Parajsës si shpërblim për shpirtin që luftoi për të mbetur i mirë!

 

SHKARKO APP