Kume: Listat e hapura sjellin një Kuvend cilësor, po kundërshtohet pa argumente

Në një intervistë për “Koha Jonë”, eksperti i reformës zgjedhore, Kristaq Kume

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kuvendi i Shqipërisë deri në muaj Maj 2017, duhet të mbyllë punimet e sesionit të Legjislaturës së VIII, për t’i lënë vend zgjedhjeve parlamentare. A duhet që votuesi, të dijë për cilin deputet voton? LSI-ja dhe PD-ja, janë pro këtij ndryshimi, të listave të hapura, por që kundërshtohet nga PS-ja. Në një intervistë për “Koha Jonë”, eksperti i reformës zgjedhore, Kristaq Kume, analizon pikat kyçe të Kodit Zgjedhor. Ai ndër të tjera, shprehet se kundërshtimi për listat e hapura, mund të lexohet si këmbëngulje për të mos hequr dorë nga privilegjet që ka votimi me listat e mbyllura për lidershipin e partisë. “Listat e mbyllura janë produkt i vendimmarrjes së lidershipit të partisë dhe se kush do të bëhet deputet, këtë e ka të paravendosur ky lidership”,- shprehet Kume. Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehet se listat e hapura krijojnë mundësi më të mëdha për të pasur një Kuvend cilësor dhe deputet me cilësi përfaqësimi.

Z.Kume, shumë pak muaj e mbajnë vendin larg nga zgjedhjet parlamentare. A janë zgjedhjet primare të efektshme, nëse ky proces merr dakordësinë e partive politike? 

Primaret janë një proces parazgjedhor që partitë politike mund të bëjnë, për të përzgjedhur kandidatët me të cilët ato do të hyjnë në zgjedhje. Primarët bëjnë të mundur që lista e kandidateve të mos jetë vetëm produkt i vendimmarrjes së forumeve dhe lidershipit të partive politike, por për të shprehet edhe anëtarësia e saj. Organizimi dhe zhvillimi i primareve është një vendim që duhet ta marrë vetë subjekti politik. Partitë politike, të cilat kanë në statutin e tyre dhe /ose që kanë zbatuar zgjedhje të forumeve të tyre sipas parimit një anëtarë një votë, e kanë përvojën e duhur për ta realizuar një proces të tillë përzgjedhës për kandidatët, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme. Partitë, nëse vendosin për ta bërë një proces të tillë, tani është koha. Rezultati që merret nëpërmjet primareve është një produkt që i justifikon plotësisht energjitë që mund të shpenzohen.

Sipas jush, a duhet që populli duhet t’i zgjedhë vetë deputetët, kjo pasi për shumë analistë politikë, shprehen se sovrani është i shkelur nga kryetarët e partive?

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë janë përfaqësues të popullit, në kuptimin që atyre zgjedhësit shqiptar iu transferojnë, nëpërmjet votës, të drejtën për vendimmarrje dhe qeverisje të vendit. Ndaj edhe procesi zgjedhor duhet të krijojë mundësi sa më të mëdha për zgjedhësit për t`u shprehur, ata vetë, për personat që duan t`i përfaqësojnë. Sistemet zgjedhore proporcionale, ku bën pjesë edhe sistemi proporcional rajonal që zbatohet në vendin tonë, e thërrasin zgjedhësin për t`u shprehur me votën e tij për partinë politike që dëshiron, ndërkohë që, partia i bën me dije zgjedhësve, të cilët do të jenë deputetët e ardhshëm të saj. Pra zgjedhësi ka mundësi të plotë për t`u shprehur për partinë, por në të njëjtën kohë ai duhet të marrë parasysh se vota e tij automatikisht mandaton, shkon në favor të kandidatëve, që janë në krye të listës shumemërore që partia politike ka shpallur. Efektet e kësaj mënyre zgjedhje të deputetëve, si kanë treguar dy zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara në vendin tonë, jo në çdo rast janë të dëshiruarat. Kjo mënyrë zgjedhje ka bërë që çdo person pavarësisht nga cilësitë dhe figura e tij shoqërore, morale, integriteti profesional, kontributet e munguara në subjektin politik përkatës ose për komunitetin etj.

Listat e hapura, të propozuara nga LSI-ja dhe që kanë një mbështetje nga PD-ja, por kundërshtohen nga PS-ja. Vërtet nuk është koha elementi kundërshtues, apo ka të tjetër merak PS-ja, nuk e mbështet këtë propozim? 

Propozimi për të zgjedhur deputetët nëpërmjet votimit me lista të hapura është shprehje e vullnetit të partive politike që e kanë artikuluar dhe mbështetin, për të pasur në Kuvendin e ardhshëm persona që zgjidhen si rezultat i vendimit që merret nga dy trupa zgjedhore, shumë të rëndësishëm. Partia politike që harton listën e kandidatëve dhe zgjedhësit që shprehen jo vetëm për partinë, por edhe për preferencat e tyre për kandidatët e kësaj partie, që duan t`i shohin të ulur në sallën e Kuvendit. Një zgjedhje e tillë krijon mundësi më të mëdha për të pasur një Kuvend cilësor dhe deputet me cilësi përfaqësimi më të mëdha. Votimi me lista të hapura në fakt nuk ndryshon asnjë gjë në sistemin zgjedhor. Ai ndryshon vetëm procedurat sipas të cilave do të administrohet vota nga zgjedhësi, në momentin kur ai voton dhe nga administrata zgjedhore, kur do të listojë kandidatët e partive politike që do të marrin mandatin e deputetit. Kundërshtimi i kësaj mënyre zgjedhjeje apriori, pa pranuar as që të diskutohet nëse mundet të zbatohet dhe se çfarë të mira sjell ose probleme krijon dhe mbi këtë bazë edhe të merret vendimi, në rastin më të mirë mund të lexohet si këmbëngulje për të mos hequr dorë nga privilegjet që ka votimi me lista të mbyllura për lidershipin e partisë. Listat e mbyllura nuk krijojnë asnjë të papritur në zgjedhjen e kandidatëve të listës. Ajo është produkt i vendimmarrjes së lidershipit të partisë dhe se kush do të bëhet deputet, këtë e ka të paravendosur ky lidership.

Opozita ka dhënë ultimatumin: “Votim dhe numërim elektronik ose braktisim Parlamentin”. Në aspektin funksional, sa e arritur është që votuesit të votojnë elektronikisht dhe vota e tyre të numërohet siç kërkon PD-ja?

Përdorimi i teknologjisë së informacionit është një ndër mundësitë që zhvillimet e sotme në teknologji i ofrojnë proceseve zgjedhore. Ajo mundëson realizimin e procedurave zgjedhore të shpejta, me mundësi të reduktuara ose vështirësisht të përdorueshme për të ndërhyrë në proces. Shpesh nevojën për përdorimin e kësaj teknologji e justifikojnë me besimin që ajo prodhon për saktësinë dhe vërtetësinë e produktit zgjedhor. Këtu është rasti të theksojë se teknologjia e informacionit e përdorur në procesin zgjedhor, bën të mundur që shumë prej procedurave që duhet të zbatohen në këto procese të lehtësohen, të bëhen më pak të mundshme për t`u manipuluar. Përkundrazi, për përdorimin e saj duhet që të gjithë të shprehin besim në të dhe të mos paragjykojnë asgjë. Vetëm kur arrihet kjo, mund të diskutohet dhe të gjenden mundësitë dhe rrugët për përdorimin e saj. Kjo është edhe një ndër arsye pse ekspertë dhe organizma të specializuar në monitorimin e proceseve zgjedhore si OSBE, ODIHR etj. Ata rekomandojnë që përdorimi i saj të realizohet si një proces që duhet të zhvillohet në kohë, nëpërmjet projekteve pilotë, për të krijuar përvojat e nevojshme për zbatimin e saj në të gjithë procesin zgjedhor. Në asnjë nga propozimet e paraqitura nuk është kërkuar heqja nga Kodi zgjedhor i dispozitave ku trajton këtë çështjet. Një qëndrim i tillë e bën të natyrshme kërkesën për të diskutuar dhe për të gjetur rrugët se si mund të përdoret kjo teknologji, çfarë produkti i kësaj teknologjie do të mund të përdoret, sa është e mundshme teknikisht dhe çfarë kushtet duhet të plotësohen për t`u përdorur teknologjia e zgjedhur dhe për të pasur sukses. Kërkesa për të përdorur teknologjinë në zgjedhjet e qershorit 2017,është artikuluar si domosdoshmëria për të shmangur fenomenet që dëmtojnë procesin, fenomene që i largojnë zgjedhjet nga të qenit zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, të tilla si; votimi i shumëfishtë, votimi në emër të një shtetasi emigrant, votimi me kartë identiteti të falsifikuar, votimi familjare, numri jo korrekt i votave etj. Për të bërë të mundur këtë është e domosdoshme që sistemi të garantojë që kjo mënyrë identifikimi të jetë e mundshme për të gjithë zgjedhësit, kudo, në çdo qendër votimi në Shqipëri, sado larg ose në zonë të thellë, të jetë ajo. Pas kësaj, procedura e votimit, duke shënuar me gisht në fletën e votimit që shfaqet në një ekran të vendosur në dhomën e fshehtë, nuk është e vështirë për t`u realizuar. Nëse me votim elektronik nënkuptohet përdorimi i teknologjisë së informacionit për procedurat dhe sipas mënyrës së treguar më sipër, për të marrë vendimin për përdorimin ose jo të saj në zgjedhjet e ardhshme, është shumë e rëndësishme të vlerësohen kapacitetet dhe mundësitë teknike dhe infrastrukturore që zotëron sistemi aktual i identifikimit dhe regjistrimit të shtetasve, cilësitë dhe mundësinë që ka sistemi për të bërë të mundur identifikimit online, në kohë reale, nëpërmjet verifikimit të shenjave të gishtave, të çdo shtetasi të regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, kudo që të jetë qendra e votimit ku ai do të votojë. Nëse ky sistem nuk e garanton plotësisht këtë, problemi për përdorimin e teknologjisë së informacion në këto zgjedhje mbyllet. Nëse po, atëherë do të jetë e domosdoshme që vendim për përdorimin e kësaj teknologjie të shoqërohet edhe me angazhimin për të zhvilluar një fushatë intensive sqaruese dhe demonstruese, për t`u treguar zgjedhësve se si mund të votojnë, duke shënuar, me gisht në një fletë votimi që shfaqet në ekranin e një kompjuteri.

Sfida tjetër e Parlamentit është zgjedhja e Presidentit. Kushtetuta kërkon që të jetë me konsensus, por me shumë gjasa, do shohim një konsensus vetëm brenda së majtës?

Fryma e Kushtetutës kërkon që Presidenti i Republikës të jetë rezultat i zgjedhjes me konsensus, sa më të madh midis forcave politike parlamentare, maxhorancë dhe opozitë. Zhvillimet e derisotme kanë treguar se kjo zgjedhje është vështirësisht e mundshme për t`u arritur. Megjithëse këtë, për mendimin tim, problemi që mund të sjell dhe të prodhojë zgjedhja e Presidentit të ardhshëm nuk është arritja apo jo e zgjedhjes së tij me shumicën e cilësuar, përfshirë këtu edhe dakortësinë e opozitës. Ajo që nuk duhet të ndodh është përdorimi i këtij procesi zgjedhor në funksion dhe vetëm në interes të politikës së ditës. Ndryshe do të ishte shumë më mirë që të kërkohej një rrugë tjetër për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit. Të zgjidhet direkt nga populli.

 

SHKARKO APP