Kume: SPAK-u të hetojë dhe korrupsionin zgjedhor

Flet për “Koha Jonë”, eksperti në fushën e së drejtës dhe ish-kryetar i KQZ-së, Kristaq Kume

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ndonëse partitë kanë lënë periudhën 3-mujore për të realizuar të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhor, alarmi që vjen është se politika nuk ka më kohë për të shkuar në zgjedhjet e 2017-ës me një Kod të ri Zgjedhor. Eksperti në fushën e së drejtës dhe ish-kryetar i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë për “Koha Jonë” është shprehur kritik për punën e komisionit të kësaj reforme, që sot është në limitet e kohës. Thirrja e tij është që të zbatohet rekomandimi në lidhje me gjetjen e rrugëve ligjore, të cilat do të bëjnë të mundur ndërtimin e një administrate zgjedhore larg ndikimeve politike, një administratë që të mos jetë produkt i propozimeve të partive politike. 

Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, ka lënë periudhën 3-mujore për ta realizuar të gjitha ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor? Sa gjasa që ky Kuvend, të hartojë një Kod të ri Zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të na gjejmë me reformë të sistemit?

Puna e deri sotme e Komisionit Ad-Hoc për reformën zgjedhore si produkt të saj ka pasur vetëm keqpërdorimin e kohës. Aktualisht koha e mbetur për të përmbushur detyrën që këtij komisioni është në limitet e saj. Kodi i Praktikës së mirë në Çështjet Zgjedhore i Komisionit të Venecias rekomandon që ndryshimet në legjislacion zgjedhor të përfundojnë jo më vonë se 6 muaj nga data e zgjedhjeve. Zbatimi i këtij rekomandimi do të thotë që e gjitha puna e Kuvendit për realizimin e reformës duhet të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Nëse i referohemi problematikave dhe çështje që duhet të trajtohen dhe të marrin zgjidhje nga kjo reformë, janë shumë skeptik për të pohuar se pritshmëritë, që lidhen me pasqyrimin në legjislacionin tonë zgjedhor të rekomandimeve të misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, do të realizohen të gjitha. Kjo sepse ndër këto çështje ka të tilla për të cilat palët në proces jo vetëm që duhet të kenë vullnetin politik për t`i trajtuar, por edhe duhet të jenë mirë të angazhuara për të gjetur zgjidhje që marrin parasysh rekomandimet e dhëna. Ndër to, p.sh, mund të përmend rekomandimin në lidhje me gjetjen e rrugëve ligjore, të cilat do të bëjnë të mundur ndërtimin e një administrate zgjedhore larg ndikimeve politike, një administratë që të mos jetë produkt i propozimeve të partive politike. Nëse i referohemi sjelljeve të derisotme të partive politike, në veçanti partive të mëdha, diskutimi dhe gjetja e zgjidhjeve që i korrespondojnë këtij rekomandimi, veç vullneti dhe dakortësisë midis palëve, kërkon edhe kohë. Duke ju referuar propozimeve të bëra nga përfaqësuesit e partive politike, PD e PS, për çështjet që duhet të jenë pjesë e diskutimit dhe zgjidhjes, ndër to dallohen lehtë çështje të cilat do të nxitin shumë diskutim dhe që do të konsumojnë shumë kohë nga koha që komisioni ka në dispozicion. Të tilla janë çështjet që lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit në procesin zgjedhor dhe çështjet që lidhen me krijimin e mundësive reale për të votuar edhe shtetasit që banojnë jashtë territorit të vendit. Kjo kërkon kohë të bëhet. Megjithëse këtë është vendi të theksohet se, nëse për këto çështje arrihet dakortësia për t`i trajtuar si prioritare, mund të gjenden zgjidhje që të zbatohen edhe në zgjedhjet e qershorit 2017.

Z.Kume, jeni shprehur që duhet krijuar “krimi zgjedhor” e që të hetohet nga SPAK-u. Pse e shihni të nevojshme dhe si i shërben ky sugjerim i Kodit të ri Zgjedhor?

Ndër çështjet që mund dhe, për mendimin tim, duhet të trajtohen në kuadër të reformës zgjedhore është edhe klasifikimi i shkeljeve të ligjit zgjedhor si figura që mund të emërtohen me termin “korrupsion zgjedhor”. Kjo do të bëjë të mundur që shkelje të tilla të ligjit të klasifikohen si figura te krimi penal, korrupsionit, të cilat do të jenë objekt i hetimit prej SPAK. Në këtë mënyrë, pasojat që këto shkelje të ligjit zgjedhor do të sjellin për konsumuesit e tyre, do të jenë shumë më të rënda se sa ato që parashikohen në Kodin zgjedhor dhe Kodin Penal aktual. Jam i bindur se një zhvillim i tillë legjislativ do të ndikojë ndjeshëm në reduktimin e hapësirave për shkelësit e ligjit zgjedhor, për subjektet e kandidatët, komisionerët,  për ofruesit e parave të pista dhe subjekte e kandidatët përdorues të këtyre parave, për të gjitha ata që shfrytëzojnë asetet publike, për ta që kërcënojnë, frikësojnë, ushtrojnë presion, joshin me lekë, me produkte, shërbime e përfitime të paligjshme zgjedhësit në këmbim të votës etj.

Çfarë treguan zgjedhjet në Dibër, si e lexoni procesin zgjedhor? Konkretisht, cilat do të duhet të jenë pikat kryesore për të korrigjuar problemet e hasura duke marrë parasysh fenomenin e shit-blerjes së votave.

Të përdorësh projeksionin e  procesit zgjedhor në Dibër për të gjykuar se çfarë mund të ndodh ose se çfarë duhet të bëhet që të mos të ndodhi, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është një qasje metodike dhe arsyetim që nuk ka shumë shanse për të arritur në synimet e kërkuara. Ato ishin zgjedhje të pjesshme, zgjedhje për kryetar të njësisë vendore, zgjedhje të cilat edhe pse të tilla, u mbingarkuan me efektin politik që dëshironin të arrinin palët në garë. Për pasojë ato dolën jashtë karakterit të tyre. Kjo pati efekte të dukshme në sjelljen e subjekteve garuese, efekte, të cilat u reflektuan jo vetëm në këmbënguljen që u tregua për të vënë në dispozicion të fitores çdo mjet të mundshëm por edhe në qëndrimin që u mbajt ndaj rezultatit të arritur. Ato çështje e probleme që duhet të mbahen mirë parasysh nga ligjvënësit tanë në procesin e reformimit të ligjit zgjedhor. Është e nevojshme që në ligj jo vetëm të ndërtohen mekanizma që t`i kundërvihen dhe të pamundësojnë shfaqen e fenomeneve negative të tilla si shitja e blerja e votës, kërcënimi dhe joshja e zgjedhësve, aktivizimi i personave problematik në fushatë etj. Ligji zgjedhor duhet të ndërtojë edhe instrumentet e nevojshme për t`ju kundërvënë psikozës dhe perceptimeve shoqërore që janë duhet fituar përherë e më shumë terren dhe që godasin thelbin e procesit zgjedhor, zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike.

Kërkesat e dy partive të mëdha në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, janë përdorimi i teknologjisë nga demokratët apo votimi i emigrantëve, kërkesë e socialistëve. Janë hedhur në debat përgjatë viteve por a janë të realizueshme?

Nëse arrihet në dakortësi midis palëve për këto çështje mund të gjenden zgjidhje që të zbatohen edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Tentativa për të përdorur teknologjinë e informacionit në vendin tonë, si dihet, radhën e parë dështoi. Si arsye e këtij dështimi u përdor koha që administrata zgjedhore pati në dispozicion për të zbatuar dy projektet pilot. Koha e pamjaftueshme justifikoi dështimin, shpenzimet e bëra dhe mos marrjen e rezultatit. Se sa real dhe ndikues ishte efekti kohë në këtë dështim “të suksesshëm”, kjo nuk ka rëndësi për të gjykuar atë që shkoi por, është shumë e rëndësishme, të mbahet mirë parasysh për vendimin që mund të merret për përdorimin e teknologjisë së informacion në zgjedhjet që vijnë. Aktualisht koha është në disfavore të vendimit për përdorimin e kësaj teknologjie në zgjedhjet e qershorit 2017. Çfarë mund të bëhet, nëse vullneti për ta bërë nuk do të jetë vetëm deklarimi për dakortësinë, por edhe angazhimi për realizim, është që këto zgjedhje parlamentare të jenë edhe testi i parë për përdorimin e teknologjisë së informacionit. Koha ka dhe nëse ka vullnet, mundet që në këto zgjedhje të planifikohet dhe të zbatohet përdorimi i kësaj teknologjive si projekt pilot. Kështu zbatohet edhe rekomandimi i OSBE/ODIHR për rrugën që duhet të ndiqet për përdorimin e teknologjisë së informacionit të zgjedhje. Për votimit e shtetasve që banojnë jashtë territorit të vendit, së pari është shumë e rëndësishme që vendim për të, të merret me dakortësinë e të gjithëve. Pas kësaj është shumë e rëndësishme që të gjendet zgjedhja më e mirë. Në asnjë rast nuk duhet të ndodh që kjo votë të deformojë vullnetin politik të votuesve që banojnë në Shqipëri. Pas zgjidhjes së këtij problemi është po kaq e rëndësishme që, për votimin e shtetasve që banojnë jashtë territorit të vendit, të formulohen procedura që të respektojnë plotësisht dhe në mënyrë shteruese parimet për zgjedhje të lira, të ndershme, të fshehta e demokratike. Është shumë e rëndësishme që këto procedura të eliminojnë çdo mundësi për ndërhyrje dhe keqpërdorimi të votës së emigrantëve.

Duke u fokusuar te dy partitë e mëdha, mendoni se këtë herë do të sjellin një Kod të mirë Zgjedhor që do të linte të kënaqura edhe partitë e vogla?

Partitë e vogla do të ishin të kënaqura në radhë të parë nëse ligji zgjedhor do ta bënte të mundshme konvertimin e votave të tyre në mandate në Kuvend. Kjo është kërkesa e përsëritur e tyre por asnjëherë e konsideruar nga dy partitë kryesore të vendit, PD e PS. Nga deklarimet e deri sotme të këtyre partive, ka pak gjasa që kjo çështje të trajtohet dhe për të të kërkohen zgjidhje në kuadër punëve që do të bëhen në reformën zgjedhore të radhës. Shtuar kësaj edhe faktin se gjasat që partitë kryesore të heqin dorë nga mundësitë që kanë për të qenë prezentë, nëpërmjet të emëruarve të tyre, komisionerë e numërues, në çdo fazë të procesit zgjedhor, pritshmëria ime është se partitë e vogla kanë shumë pak gjasa që të shprehen të kënaqura nga çfarë do të do të realizohen në ketë reformë. Me shumti gjasat janë që procesi reformues të realizohet si një proces bi-partizan, ashtu sikurse nuk përjashtohet edhe situatë, ku maxhoranca të vendos vetë me forcën e kartonëve. Në të dy këto raste mundësitë që partitë e vogla të kënaqen nga produktet e kësaj reforme, si rregull janë minimale.

 

SHKARKO APP