Kur ministri Ahmetaj deklaronte: Becchetti nuk do marrë asnjë kokërr leku!

Qeveria Shqiptare ka miratuar pak ditë më parë vendimin për dhënien 100 milion dollarë biznesmenit Francesco Becchetti, pas mbylljes së televizionit Agon Channel. Ndërsa sot vendimi është fakt, më 24 mars 2020, në emisionin “Opinion”, ministri Ahmetaj garantoi se shteti shqiptar s’do t’i paguante asnjë lek biznesmenit italian.

Deklarata e Ahmetaj u bë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendosi se Shqipëria do duhet t’i paguante në formë dëmshpërblimi këtij të fundit rreth 100 milionë euro. Më pak se 4 muaj nga deklarata e Ahmetajt, Ministria e Financave pasqyroi në raportin e fundit për zbatimin 6 mujor të Buxhetit të Shtetit, detyrimin prej 109,5 milionë eurosh ndaj palëve që kanë paditur shtetin shqiptar, ku 99,5 milionë euro do t’i përfitojë biznesmeni italian.

“Ça e keni tani këtë histori. Jo! Asnjë kokërr leku nuk do marrë. Asnjë kokërr leku”,- deklaronte Ahmetaj i bindur se mbyllja e medias ishte vendim i drejtë. Për këtë çështje edhe Edi Rama ka deklaruar disa herë se nuk ka penalitet për shtetin shqiptar nga Gjykata e Arbitrazhit lidhur me vendimet e tij për “Agon Channel”.

Sot jemi në situatën kur jo vetëm gjykata ndërkombëtare i ka dhënë të drejtë biznesmenit italian, por detyron qeverinë t’i paguajë sa më parë lekët për mbylljen e aktivitetit.

Ajo çfarë është më e rëndë në këtë histori lidhet me faktin se përplasja mes qeverisë dhe “Agon Channel” nisi si një kapriço qeveritare kundër qëndrimeve editoriale të kësaj medie. Kryeministri deklaroi se televizioni në fjalë përdorej për pastrim parash dhe e mbylli brenda pak ditësh. Asnjë nga akuza që bëri Edi Rama nuk u vërtetua në gjykatat shqiptare dhe as në ato ndërkombëtare.

Rezultati i betejës së Edi Ramës është 100 milion euro gjobë. Këto para nuk do paguhen nga xhepi i kryeministrit dhe as ministrave që shqetësoheshin nga lajmet e Agon Channel, por nga taksat e qytetarëve.

SHKARKO APP