Kur qeveria do, ajo është njerëzore

Një i ri nga Bilishti i Korçës, Armando Dorti 22 vjeçar, që para tre vitesh kishte mbaruar me nota shumë të mira në një kolegj britanik nga më të njohurit në Cambridge të Britanisë po endej sa nga një institucion arsimor në tjetrin nëpër Tiranë. Për arësye ekonomike Armando nuk mundi të vazhdojë vitin e parë në një universitet në Angli, atje ku ishte mbrujtur si një nxënës me kulturë britanike dhe pasionant për dijet e kohës. Arësyet ekonomike të familjes së tij nuk ia mundësuan studimin ndaj u kthye në Atdhe. Kur e kishin kthyer nga viti i parë në universitet, pasi filloi por nuk arriti të paguante këstin e parë të shkollës, i mërzitur nga braktisja e detyruar e universitetit, Armando Dorti nuk mori diplomën origjinale, e cila gjëndej në sekretarinë e universitetit, por kishte një kopje të saj.

Duhet pranuar se çdo i ri në këtë moshë dhe në këtë gjendje psikologjike, kur “kapitalizmi” të ndalon në udhën e dijes, e humbet toruan.

Por këtë vit iu mundësua disi gjëndja ekonomike, por jo më për në Angli, sepse atje shkollat janë shumë të shtrenjta. U bë gati për në Tiranë të niste udhën e lenë në mes në Angli. Por këtu fillon tmerri i tij.

Kolegjin, pra shkollën e mesme e kishte mbaruar në Angli. E kishte dhe një kopje diplome. Por kur në këtë muaji gusht shkoi për tu regjistruar sipas rregullave i kërkuan diplomën orgjinale, listë notash, etj. Armando i shkroi Kolegjit britanik në Cambridge. Ata i nisën me email diplomën dhe listën e notave. Me vrap Armando i dërgoi të një agjensi shtetrore arsimore në Tiranë e cila merrej me konvertimin e diplomave të huaja.

Këtu nis kalvari i Armando Dortit.

I kërkojnë të marrë diplomën origjinale, pasi kjo që kishte me email nuk njihej. Nga frika e fallsifikimëve, gjë që ka ndodhur plot raste, bile edhe me deputetë të parlamentit, ministria arsimit ka aprovuar një rregull të fortë. Kërkohej diploma dhe lista e notave origjinale, të cilën Armando nuk kishte si ta merrte më në Angli, përveçse të shkonte vetë. Por duhej viza britanike. Viza që të merrej duhej të ishe regjistruar në universitet dhe të kishe paguar universitetin anglez. Nëse do ta kishte paguar universitetin atje nuk kishte pse Armando vinte në Tiranë duke u sorollatur.

Pra u fut në një rreth vicioz.

Ministria e Arsimit donte diplomën dhe listën e notave orgjinale, nuk pranonte ato që kishte sjellë kolegji britanik me email. Po mbaronte muaji gusht dhe pak ditë ikte dhe regjistrimi në shkollë.

Atëhere Armando Dorti nisi një sms dhe një ankesë të portal kryeministror. Armando nuk don ta pohojë për arësye korrektësie, por me sa dukej ai ka gjetur numrin e celularit të kryeministrit Rama. Ia kishte sqaruar se çfarë i kishte ngjarë dhe pamundësinë të gjente zgjidhje për të vazhduar endërrën e tij për shkollë.

Këtu ndodhi ajo që Armando e quan fat. Pas dy orësh apo diçka me shumë një sms nga një numër celulari ku i thoshte të shkonte të takonte sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së arsimit. Në fund ishte shkuar Engjellë Agaçi. Duke qenë se nuk e kishte dëgjuar se kush ishte Engjëll Agaçi, pyeti Armando te agjensia shtetore e arsimit. I treguan se kush ishte.

Nxitoi për në ministrinë e arsimit sepse ndërkohë ministria arsimit kishte marrë porosi për ta shikuar rastin Dorti. Dhe e pritën. E konsultuan dhe i thanë se është porosi nga “lart” rasti jot. Por i thanë se duhej të gjentë dikë në Cambridge që të autorizohej me noter nga vetë ai dhe të shkonte të merrte diplomën e listën e notave, por duhej me vulë apostile.

E ku të gjënte njeri në Cambdrige, Armando!

I nis prapë sms, por tashmë Engjëll Agaçit. Më pas sekretari i përgjithshëm i ministrisës së arsimit lidhet me ambasadën shqiptare në Britani. Duhej dikush nga ambasada të shkonte nga Londra në Cambridge për të marrë ato që kërkonte ministria shqiptare e arsimit. Ndërkohë ditët ecnin drejt afatit të fundit të regjistrimit. E gjithë ministria në alarm për këtë djalë të ri, pa përkrahje, por që ishte një talent në fushën e teknologjisë IT.

Në dy ditët e fundit të mbarimit të afatit ligjor, Armando merrte sms herë nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë së arsimit dhe herë-herë nga sekretari përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Rregullat britanike kërkonin burakracinë e tyre. Edhe ata donin një njeri të autorizuar, por që duhej të paguante disa paund jo të vogla për të marrë dokumentat e Armando Dortit me vulën apostile britanike. Ndërkohë që ministria e arsimit luante të gjitha letrat që ti mundësonte regjistrimin në vitin e parë të djaloshit nga Bilishti, po vinte afati final për regjistrim.

Nuk thonë kot se në këtë botë gjenden njerëz të mirë, me shpirt njeriu.

Në Cambridge doli Agim Neziri, një shqiptar me pasaportë britanike e që merret me arsimin, sidomos të rinjve nga Shqipëria në Britani. Ai shkoi, nxitoi, mori letrat, pagoi nga xhepi personal dhe i nisi me postë shpejtë drejt Tiranës.

Ministria e Arsimit e regjistroi Armandon.

Dhe urimet në celularin e tij nga sekretari përgjithshëm i ministrisë së arsimit dhe Engjëll Agaçi nuk ndaluan: Urime, u regjistrove Armando!

Sot Armando Dorti është regjistruar në vitin e parë në Universitetin Mesdhetar.

Alban Mati

SHKARKO APP