Kush do ta drejtojë Ballkanin Perëndimor në të ardhmen?
Nga Agim Nesho
Këshilli Europian nuk arriti një konsensus politik për të hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për shumë politikanë dhe përfaqësues të Brukselit ky ishte një ‘gabim historik’. Presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili ishte protagonist i jo-së së nisjes së negociatave, nuk kishte si qëllim të ndëshkonte të dy vendet për të ngritur staturën e tij të një lideri ndërkombëtar me vizion të qartë për zhvillimin e Bashkimit Europian. Ai shpjegoi se vendimi për hapjen e negociatave ishte i pamerituar dhe se çfarë paraqitej nga Komisioni Europian ishte një ‘flluskë Brukseli’ (Brussels’ buble), një entuziazëm për një zgjidhje gjeopolitike pa vizion të qartë për të ardhmen evropiane.
Midis riskut të një rritje të influencës politike në Ballkanin Perëndimor nga fuqi rajonale si Kina, Rusia e Turqia dhe vlerave e parimeve europiane, Macron bëri zgjidhjen më të vështirë dhe më me risk, përpara një kompromisi që për Europën do të ishte më i lehtë. Shumë mendojnë se Presidenti Macron vuri veto për të fituar terren në politikat e tij vizionare dhe kompromiset e nevojshme në lëvizjet për politikën e jashtme.
Në lojën e madhe konkurruese të fuqive të mëdha, Ballkani Perëndimor mund të jetë një rajon i vogël ku të gjithë të mos ndihen të përjashtuar. Përpjekja për një strategji të re marrëdhëniesh me politikën ruse mund të kërkojë një zonë neutrale në Ballkanin Perëndimor ku Serbia të marrë lidershipin. Shtyrja e procesit të zgjerimit me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jetë në funksion të zgjidhjes së problemeve ballkanike me një konsensus të ri ndërkombëtar, pa paragjykime për linjat e pastra etnike apo projekteve multi-etnike, konflikteve të ngrirë (Kosovë-Serbi) apo çështjen e statusit të serbëve, shqiptarëve, kroatëve, etj., në shoqërinë moderne të shekullit të 21.
Ajo që përbën Ballkanin Perëndimor sot janë një grup vendesh ballkanike që synojnë të futen në BE, por reflektojnë sisteme politike të lodhura dhe të deformuara nga abuzimi me pushtetin, sisteme hibride demokratike dhe autoritare, gjysmë feudale, otomane e komuniste në psikologjinë e tyre të veprimit.
Ajo që vihet re prej kohësh në politikat e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor është dëshira e popujve për t’ju bashkuar mirëqenies, lirisë, perëndimit dhe përballë saj elitat politike që gjenden komod në pasurimin dhe konsolidimin e tyre. Ata nuk mund të heqin dorë nga ‘parajsa’ pushtetore që Perëndimi për 30 vite të tranzicionit iu ka afruar në këmbim të një stabiliteti për të qenë të paangazhuar me Ballkanin. Të rizgjuara nga rritja e kompeticionit të fuqive të mëdha dhe kërkesa e tyre për rritje të zonave të influencës, të dy fuqitë perëndimore garantuese të stabilitetit ballkanik, si BE dhe SHBA, shikojnë një realitet të ndryshëm dhe me rrezik të tjetërsimit nga influenca në rritje e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe fuqive të tjera relativisht më të vogla.
Kina vazhdon me ekspansionin e saj ekonomik për të krijuar premisat për fuqizimin në të ardhmen si një fuqi botërore. Investimet e saj janë politike, pa marrë parasysh konceptet bazë të ekonomisë së tregut, klimën dhe sigurinë e investimeve, shkallën e korrupsionit dhe normën e interesit. Investimet e saj janë në funksion të ‘kapjes së shtetit’ dhe zgjerimit të influencës. Ajo është e pranishme pothuaj në të gjitha vendet ballkanike me projekte infrastrukturore.
Rusia kërkon rikthimin e saj si fuqi botërore duke u rikthyer në Ballkan në mënyrë ‘natyrale’. Serbia ia ka mundësuar një shtrirje të saj jo vetëm në investimet në naftë e gaz, hekurudha por edhe në bashkëpunim ushtarak. Kohët e fundit qendra humanitare në Nish, është një qendër informacioni e Rusisë në zemër të Europës me detyra të paspecifikuara që kërkojnë një status të paprekshmërisë diplomatike. Pavarësisht se Rusia nuk pengon dot futjen në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ajo ka influencë në Bosnjë-Hercegovinë (Republika Srpska) dhe në Serbi. Atje ku loja e saj nuk arrin, Rusia luan me elitat e korruptuara të Ballkanit për të realizuar politikat e saj. Rasti më i pastër është thirrja e Rusisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për tu bërë pjesë e marrëdhënieve të tregtisë së lirë me Euro-Azinë, pas refuzimit të hapjes së negociatave nga BE. Edhe atje ku ajo nuk është vetë, këtë pjesë të lojës e bën Serbia.
Turqia po përpiqet të rikthejë lavdinë e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe është më e qartë në rritjen e influencave të saj në zona tradicionale si Bosnja-Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Investimet janë më të pakta por shumë simbolike si xhamitë e mëdha, aeroportet, shkollat, së fundmi edhe në krijimin e organizatave politike e fetare për të shtrirë interesat e saj. Politikat e saj mbeten tradicionale dhe është fokusuar në blerjen e elitave të korruptuara të Ballkanit Perëndimor. Në Bosnjë Presidentin Erdogan e quajnë të dërguarin e Zotit, në Kosovë me urdhër të tij rrëmbehen të ashtuquajturit ‘gulenistë’ në mes të ditës, në Maqedoninë e Veriut krijon parti politike, në Shqipëri ndërton xhaminë më të madhe të Ballkanit dhe blen Universitetin e New York-ut si simbol të edukimit perëndimor të shqiptarëve, etj.
Në këtë skakierë të shahut ballkanik, në një lojë të ashpër të fuqive botërore, Perëndimi shikon me realizëm që avantazhi substancial i 30 viteve të fundit nuk ekziston më si më parë. Stabiliteti dhe elitat e pandryshuara kanë asfiksuar demokracinë funksionale, përfaqësuesit e partive janë kthyer në liderë të padiskutueshëm dhe pushtetet në regjime autoritare. Partneriteti me Perëndimin është kthyer në klientelizëm për përfitime personale dhe ruajtjen e pushtetit. Mjafton të bësh disa shërbime, të marrësh muxhahedinët apo të pranosh armët kimike dhe je i pranueshëm, kur shtetit ligjor dhe demokracisë i vë shqelmin si në Shqipëri. Mjafton të bësh retorikë pro-perëndimore dhe të citosh presidentët amerikanë dhe kokën e trupin ta kesh në Moskë si në Serbi. Apo të kërkosh zgjidhje të reja gjeopolitike për Ballkanin duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin dhe perëndimi të presë në heshtje propozimet e tyre. Paradoksi arrin deri aty që presioni për rrezik gjeopolitik nga fuqi të huaja nuk ka mbetur në dorën e Perëndimit por të Ballkanasve në lojën e tyre pa princip. Perëndimi ka humbur elementin rregullator të kontrollit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor, duke qenë pjesë e lojës me klientët e tij.
Po cila do të jetë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe kush do ta dominojë atë në të ardhmen? Sigurisht e ardhmja e Ballkanit do të jetë Bashkimi Europian se kjo është një kërkesë e popujve që duan të ardhmen e tyre perëndimore dhe më të sigurt. Por për ta bërë atë më të sigurt duhet të investohet në disa drejtime.
Së pari, Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe vizionit të saj për të ardhmen. Çdo zgjidhje tjetër gjeopolitike apo marrëveshje e re (grand bargain) do të krijojë problem për rajonin.
Së dyti, rikthim në demokracinë funksionale si domosdoshmëri për ruajtjen e vlerave demokratike dhe perëndimore të shoqërisë. Perëndimi nuk duhet të investojë në individë por në institucione të pavarura mirë funksionuese.
Së treti, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vjen edhe nëpërmjet qarkullimit të elitave dhe ndryshimit të tyre.
Shumë analistë mendojnë se sistemet hibride autoritare dhe të korruptuara të Ballkanit Perëndimor mund të kontrollohen nga drejtësia dhe një reformim i saj. Por korrupsioni i drejtësisë ka ardhur si rezultat i korrupsionit politik që ka prodhuar deformim të sistemit. Gjithmonë politika do të përpiqet ta kontrollojë drejtësinë dhe ta vërë në shërbim të saj. Shpëtimi i Ballkanit Perëndimor është funksionimi i shtetit ligjor dhe funksionimi i balancave të pushteteve. Në qoftë se realizojmë këtë arrijmë të çmontojmë maskën bizantine të regjimeve autokrate Ballkanike dhe realizojmë dëshirën e popujve që e duan Ballkanin si gjithë Europa.