Kuvendi injoron apelin e BE-së, voton Armela Krasniqin në krye të AMA-s
Armela Krasniqi është zgjedhur kryetarja e re e AMA-s, pasi mori shumicën e votave në Kuvend. Me 83 vota, tashmë AMA do të ketë drejtuesin e ri. Por ky votim nuk u mbështet nga BE dhe OSBE në vendin tonë.
BE-ja thekson se ka paraqitur gjithashtu kërkesa të reja, të cilat sipas saj do të garantonin pavarësi të plotë për rregullatorët kombëtarë të mediave, përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit. Për drejtimin e AMA-s shprehën interesim Armela Krasniqi dhe Alketa Dibra, ndërsa me shumicë votash Kuvendi i Republikës në seancën e fundit të kësaj legjislature zgjodhi Krasniqin për të drejtuar institucionin në fjalë.
Armela Krasniqi ka lindur në Tiranë më 26 nëntor 1976. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Armela Krasniqi ka një karrierë të gjatë në fushën e medias që në fillime si reportere në Shijak TV, Televizioni Shqiptar e më vonë si Drejtore e Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH apo si drejtuese edicionesh informative e në RTSH, Shijak Tv, TVA, si dhe drejtuese emisionesh në RTSH e News24.
Po ashtu karriera e Armela Krasniqit përmban edhe dy vëllime me poezi: “Fundi i portreve” botuar në 1992 dhe “Eklipsi i heshtjes” botuar në 1995. Në vitet e gjimnazit (‘92-’95) Armela Krasniqi ka punuar si reportere me kohë të pjesshme e Radio Tiranës, në emisionet e mëngjesit dhe ato social- ekonomike, duke pasur edhe rolin e drejtueses së emisionit radiofonik.
Aktualisht, Krasniqi është Këshilltar Ekspert në një projekt të Strategy& – Price Water Coopers. Ajo është zgjedhur përmes votimit të fshehtë nga 32 agjenci europiane të lajmeve për të qenë në bordin drejtues të Agjensive Europiane të Lajmeve. Përveç Krasniqit në këtë bord të zgjedhur janë CEO i DPA (Agjensia gjermane e lajmeve), CEO i PA group (Agjensia britanike e lajmeve) dhe DG i CTK (Agjensia çeke e lajmeve). Krasniqi mban aktualisht edhe postin e Presidentes së ABNA- SEE (Presidente e Aleancës Ballkanike dhe Juglindore të lajmeve). Krasniqi më herët ka qenë edhe zëdhënëse e Partisë Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe kjo është një ndër arsyet për të cilën sulmohet nga Partia Demokratike.