Lëvizja ”Shqipëria Bëhet”, Lapaj: Kam marrë oferta, por një ditë do përballemi në zgjedhje si parti
Aktivisti i njohur Adriatik Lapaj ka folur në lidhje me lëvizjen e re ”Shqipëria Bëhet”. Ai thotë se ka pasur oferta nga partitë politike, por ka kundërshtuar pasi kërkon ndryshimin. Po ashtu Lapaj nënvizon se lëvizja “Shqipëria Bëhet” nuk është ende një parti politike, por shtoi se do të vijë dita kur do të përballet në zgjedhje si parti politike me forcat e tjera.
”Mes ëndrrës së ngritjes në karrierë dhe asaj që të realizohen ëndrrat e fëmijëve të këtij kombi, anoj te kjo e dyta. Kam marrë oferta nga parti politike. Vendimet e kësaj republike janë marrë historikisht nëpër Bllok ose në kolltukët e Dhërmiut, aty ku elita e vendit mblidhet e merr vendime për ne. Them që mund të isha pjesë e tyre sepse jeta është zgjedhje. Mund të bëhesha palë, kam marrë gjithmonë oferta nga gjithë spektri politik.
Qytetari duhet të ketë mundësi për atë që performon mirë ta ngrejë në renditje dhe ta fusë në parlament. Nuk duhet të ketë blloqe njerëzit që shkojnë pas dikujt për interesa, por shkon me fuqinë që të ka dhënë populli për të kundërshtuar. Një ditë do përballemi si parti politike, por ky është rrugëtim”, u shpreh Lapaj.