LIBRA, Mimoza Hafizi: Minimumi jetik, persekutim për një pjesë të madhe të shqiptarëve
Deputetja e LIBRA-s ne Kuvendin e Shqiperise Mimoza Hafizi deklaron se minimumi jetik i percaktuar nga qeveria është persekutim për një pjesë të madhe të shqiptarëve, që sipas saj, po rritet në numër për sa kohë që polarizimi social bëhet më i mprehtë dhe hendeku mes të varfërve dhe të pasurve thellohet pandalim.
DEKLARATE E LIBRA-s PER MiNIMUMIN JETIK
Jam këtu në emër të LIBRA-s për të deklaruar kërkesën tonë për përcaktimin dhe respektimin e minimumit jetik, si nivel të ardhurash që siguron përmbushjen e nevojave minimale për ushqim, ngrohje, ndriçim, transport, arsim dhe kujdes shëndetësor. Minimumi jetik është kufiri i mbijetesës. Nën të preket dinjiteti njerëzor dhe shëndeti fizik e mendor.
Fatkeqësisht, qindra mijë shqiptarë jetojnë nën minimumin jetik. 400 mijë jetojnë vetëm me 400 lekë të vjetra në ditë, deklaruar si e ardhur për familjet në ndihmë ekonomike. Edhe po aq të tjerë jetojnë me më pak se 2000 lekë të vjetra në ditë, që nuk mjaftojnë as për t’u ushqyer me kaloritë jetike dhe as për një strehë të jetueshme e disa veshje e nevoja minimale sociale.
Ky është persekutim për një pjesë të madhe të shqiptarëve, që po rritet në numër për sa kohë që polarizimi social bëhet më i mprehtë dhe hendeku mes të varfërve dhe të pasurve thellohet pandalim. Gjysma e shqiptarëve jetojnë me më pak se 6000 lekë të vjetra në ditë, sipas Bankës Botërore. Varfëria po kthehet në një problem kombëtar dhe duhen politika sociale për ta mundur.
Ne kërkojmë së pari që shteti shqiptar ta llogarisë e ta njohë minimumin jetik. Ky tregues i respektimit të dinjitetit njerëzor, ky kod i marrëdhënieve humane, nuk mund të rrijë më në terr. Ai duhet të jetë pasqyra ku shoqëria shqiptare dhe politika ta shohin veten. Ka studime që tregojnë se minimumi jetik në Shqipëri është 160 mijë lekë të vjetra. Mund të jetë aq, më sipër ose më poshtë. Por duhet ta dimë e ta njohim. Ta shohim vendin tonë përmes tij. Shtetet europiane, Franca, Gjermania, Italia, e njohin të gjitha minimumin jetik për qytetarët e vet. Edhe vendet rrotull nesh, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, e kanë këtë minimum nga 100 deri 180 euro. E njohin, e shpallin, e marrin në konsideratë.
Ne kërkojmë që minimumi jetik të jetë kusht për politikat sociale dhe pagesat që bën sektori publik dhe privat. Nisur që nga buxheti 2017 ! Të gjitha fondet e nevojshme ekzistojnë, mjafton që ato të mos abuzohen, të mos humbasin në xhepa zyrtarësh në dogana e tatime, të mos përfundojnë në xhepa klientësh qeveritarë, përmes konçesionesh korruptive e të rrezikshme.
Ne kërkojmë që shteti të ketë ambicien që asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë të mos marrë të ardhura më të pakta se minimumi jetik, pavarësisht nga gjendja, mosha, vendbanimi a mundësitë për punë. Zbatimi i minimumit jetik është domosdoshmëri. Asnjë vend normal nuk mund t’i trajtojë të varfërit si skllevër, nuk mund t’i poshtërojë për shkak të statusit social, nuk mund t’u shkaktojë mjerim për shkak të paaftësisë së vet për të mirëfunksionuar, që të gjitha shtresat shoqërore të jetojnë në ekuilibër dhe harmoni.
Minimumi jetik, duke marrë atributet e së drejtës themelore të çdo shqiptari, do të jetë revolucioni human, që e kthen shtetin tonë me sy nga njerëzit e vet. Përmes tij do të përfitojnë me qindra mijë shqiptarë që sot jetojnë në varfëri ekstreme, por që mund të dalin nga realiteti i hidhur e të integrohen njerëzisht në jetën e vendit të tyre. Do të përfitojnë të papunët, familjet në ndihmë ekonomike, shqiptarët me aftësi të kufizuara, pensionistët. Së shpejti ne do të ndërmarrim nismën ligjore për ta detyruar shtetin të llogarisë e njohë minimumin jetik. Ne do propozojmë edhe një Paketë Dinjiteti për shqiptarët. Kjo është kauza e LIBRAs!
KOHA JONË SONDAZH

