Lleshaj replikon me Ademin: Situata në Shkodër është ulëritëse
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi akuzoi sot qeverinë se nuk ka marrë masa për të parandaluar përhapjen e epidemisë në Shkodër. Ademi akuzoi dhe ministrin Sandër Lleshaj, i cili ishte sot në Shkodër, se vizitoi qytetin për show dhe jo për të ndihmuar në marrjen e situatës.
Në një reagim për mediat, Lleshaj thotë se Ademi nuk po justifikon pagën që merr nga shteti, pasi nuk ka marrë asnjë masë. Lleshaj e cilëson situatën në Shkodër si ulëritëse dhe thotë se qytetarët janë në të rrezikuar.
Deklarata e plotë e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj:
“Kryebashkiakja e Shkodrës e lexoi jo pa vështirësi një deklaratë të panevojshme, për të shitur si politike, paaftësinë e saj për të bërë disa detyra bazike në shërbim të qytetarëve të saj. Shkodra sot nuk ka nevojë për politikë, por për pastërti dhe qytetari nga të gjithë.
Pazaret skandaloze, që ngjajnë me ato të Kandaharit, nuk i bëjnë as nder dhe as dobi kryeqendrës sonë të Veriut. Eleminimi i tyre kërkon vetëm pak vullnet, por në radhë të parë sy për të parë.
Edhe pse pa mandat, kryetarja e harruar në zyrë duhet të justifikojë të paktën pagën që megjithatë merr.
Situata në Shkodër është ulëritëse dhe qytetarët shkodranë janë frikshëm të ekspozuar ndaj rrezikut të epidemisë.
Zonja Ademi të dalë dhe të heqë lakrat, barishtet e plehrat gjithfarë që kanë zënë rrugët e trotuaret. COVID-19 është sfida e përbashkët dhe rrugët e këtij armiku të padukshëm duhet të bllokohen edhe në Shkodër, ku dorëzimi i papranueshëm i pushtetit vendor duket alarmant! Ne duam bashkëpunim dhe bashkëveprim.
Ju lutem zonja Ademi mos humbni kohë me llafazanërira politike, por bëni punën tuaj dhe na thoni si mund t’ju ndihmojmë më shumë!”.
https://arkiva.kohajone.com/voltana-ademi-ne-shkoder-nuk-u-krye-hetim-epidemiologjik-qeveria-te-marre-masa/