Loja me koalicione. Ramës nuk i vjen dot në ndihmë as Imam Aliu

Edi Rama e ka filluar këtë javë me një status ironik kundër opozitës në Facebook. Ai ka përdorur shprehjen e Imam Aliut që thotë se mania e kundërshtimit t’i pakëson shanset e suksesit. “Mania e kundërshtimit t’i pakëson shanset e suksesit” – shkruhet në foton e publikuar nga Rama.

Nënteksti është i qartë opozita që po kundërshton ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor pa miratimin e saj, duke shkelur kështu marrëveshjen e 5 qershorit, po shkon drejt një humbjeje të re në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Po në fakt këtë herë –po t’i besojmë Imam Aliut – është Rama ai që po ia pakëson shanset e suksesit vetes, sepse ai po vihet në rolin e kundërshtuesit të një pakti që e pranoi vetë, e nënshkroi në tryezën e Këshillit Politik dhe rakordoi me të gjithë faktorët ndërkombëtarë.

Pasi u ndërgjegjësua se e humbi kontrollin e komisioneve zgjedhore dhe pranoi një sërë masash që rrisin kontrollin mbi manipulimin e votës, kryeministri do të fitojë me çdo kusht diçka në tavolinë. Prandaj ai po përdor kauzën e listave të hapura “të mbrojtur” nga 28 deputetë sharlatanë të opozitës ë re, për të hequr mundësinë e organizimit në koalicione zgjedhore nga kundërshtarët e tij.

Dhe për të arritur këtë, ai po ndryshon rregullat e lojës në një mënyrë radikale, pa pjesëmarrësit në garën e ardhshme.

Së pari, Ramës i duhet të ndryshojë Kushtetutën. Neni 68 i Kushtetutës përcakton ndër të tjera se “renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumëmërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës”. E pra ky nen duhet ndryshuar.

Por ndryshime radikale duhen bërë edhe në Kodin Zgjedhor. Sipas një hulumtimi që ka bërë gazeta Mapo, pa konsensus mes palëve pjesmarrëse në garë, rilindjes do i duhet të ndryshojë 12 nene të Kodit Zgjedhor dhe të rishkruajë nga e para ato nene që flasin për përllogaritje mandatesh në bazë të sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura (162/163).

Tashmë socialistët i kanë hyrë kësaj ndërmarrje të vendosjes së njëanshme të rregullave. Pas miratimit thuajse me unanimitet të plotë ditën e premte në Këshillin e Legjislacionit dhe në Komisionin e Ligjeve, nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare diskutohet këtë fillim jave, nen për nen dhe pritet të miratohet nga parlamentit më 30 korrik.

Pra, Rama do t’i shkojë deri në fund nismës për të vjedhur patjetër diçka para fillimit të garës. Ai synon futjen e grindjes mes partive opozitare dhe pret të përfitojë nga sherri që ato mund të kenë nga hartimi i një liste të përbashkët.

Por sipas shprehjes që perifrazon vetë, asaj të Imam Aliut, këtë herë është ai që po sillet si humbës, sepse këtë herë qe ai që e kundërshtoi marrëveshjen e 5 qershorit që fillimisht e pranoi i detyruar vetë./Lapsi.al

SHKARKO APP