LSI, Haxhinastro: Buxheti të bëhet transparent, ka pika të errëta
Për të diskutuar Buxhetin e vitit 2018, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, ishte i ftuar në studion e Report TV. Haxhinastro tha se buxheti duhet të bëhet transparent për publikun, nuk duhet të mbahet i fshehtë.
Sipas tij buxheti ka pika të errëta dhe të paqarta, bie ndesh me politikat e partive të majta. Madje procesi i hartimit të buxhetit, duhet të konsultohej me grupet e interesit, biznesin sepse ka ndikim të drejtpërdrejtë te biznesi.
Duhet të caktohen me prioritet fushat më të rëndësishme ku do investohen këto para, ndryshe do dëmtonte ekonominë e vendit.
Intervista e plotë:
A ishte projektbuxheti i vitit 2018 i mjaftueshëm për qytetarët shqiptarë?
Buxheti ishte krejtësisht ndryshe, më i mirë sigurisht, pretendimet e tij për aq sa deklarohen nga formuluesit e tij janë shumë të larta. Në vlerësimin tim dhe të LSI-së, ky buxhet ka shumë pika të errëta dhe të paqarta, madje shpesh herë ka politika që bien ndesh me partitë e majta.
Një logjikë ekonomike e mirëfilltë apo e pranueshme, sidomos për partitë e majta këto duhet të kenë një shpërndarje më të drejtë të rritje ekonomike. Mund të them me siguri se në procesin e hartimit të buxhetit ka pasur mangësi, psh. Nuk janë konsultuar me grupet e interesit, nuk janë marrë parasysh kërkesa e tyre.
Buxheti për mendimin tim ka mangësi të mëdha, për sa i takon burimit të rritjes, shqetësim i cili ka ardhur nga FMN-ja, por edhe institucione të tjera të vendit dhe të huaja, pra nuk garanton që këto të ardhura do të përdoren për zhvillimin e ekonomisë mbi të cilën janë projektuar investime të rëndësishme. Buxheti në gjykimin tim nuk paraqet një paketë fiskale që të jetë nxitëse për rritjen ekonomike dhe të ndihmoj biznesin.
Paketa fiskale është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij buxheti, dhe me ato që është propozuar ka ndikuar për uljen e deklarimit të TVSH-së për biznesin e vogël deri në dy milion lekë të reja apo me taksën për pronën në pushtetin vendor. Edhe për biznesin e madh, si psh. Për hotelet me 5 yje, nuk besoj se ka dhënë ndonjë nxitje të madhe për zhvillimin e ekonomisë, le të themi se kemi bërë një politikë selektive.
Bujqësia duket se ka marrë më pak fonde. Mund të ishte bërë diçka ndryshe për sa i përket kësaj fushe?
Për modelin strategjik të zhvillimit të vendit, kemi folur shumë herë dhe kemi thënë se në Shqipëri ka nevojë për tu caktuar disa prioritete, fatkeqësisht këto prioritete ndryshojnë herë pas here, katër vite më para ishin prioritete të tjera ndërsa sot kanë ndryshuar.
Nëse do shikojmë buxhetin afatmesëm, kjo nuk qëndron, sepse këto sektorë nuk trajtohen me prioritet, le të themi se në vlera absolute bujqësia nuk është trajtuar me vlerë prioritare. Po kështu edhe me sektorët e tjerë, këto politika janë të pa mjaftueshme, që të kemi një rritje të qëndrueshme të sektorëve, mendoj se kjo duhet të ishte krejt ndryshe në hartimin e këtij buxheti.
LSI-ja e ka quajtur këtë buxhet si buxheti i të pasurve dhe jo për të varfrit,përse ky përfundim?
Së pari ajo që nisa të them, shpërndarja nuk është bërë e drejtë, nëse projektohet që të ketë një rritje ekonomike 4.2 % atëherë këto të ardhura duhet të shpërndahen në mënyrë të drejtë, për një shtresë sa më të gjerë dhe kjo rritje që parashikohet, nuk kalon as nivelin e indeksimit të inflacionit, pra kemi një problem shumë të madh, për sa i përket shpërndarjes.
Kjo nuk është çështje, teori ekonomike e mirëfilltë për qëndrimin e saj, është e mirëfilltë në kuptimin që pa një rritje ekonomike, për sa i përket konsumit ti nuk mund të kesh një zhvillim të mirëfilltë ekonomik. Një nga paraqitjet që bëri INSTAT-i, ishte se 98 % e shqiptarëve konsumojnë më pak. Dhe vetëm 10 % e tyre ka pasur rritje të konsumit, kjo tregon se ekonomia po poralizohet, dmth që po vendoset një hendek i madh midis shqiptarëve, duhen axhustuar këto skema ekonomike, me qëllim që konsumi të jetë në rritje edhe për rritjen e konsumit në popullsinë prej 90%.
Mbetemi te LSI-ja, ka një program ekonomik stimulues për qytetarët, mund të na thoni për detajet e këtij programi? Janë bërë publik edhe nga Monika Kryemadhi?
Kemi bërë një program zgjedhor, kemi bërë programin tonë politik, është shumë serioz, mbi bazën e të cilit ne bëjmë edhe propozime aktuale për të ndryshuar nga ky buxhet. Është e nevojshme që politikat fiskale të axhustohen, së pari duhet të nxisim konsumin dhe veçanërisht për kategorinë që ka më pak të ardhura, për këtë duhet të zbresim në nivele të përballueshme të TVSH-së, në paketën e shportës.
Ky është një përfitim ekonomikë për sa i takon biznesit të vogël, niveli i deklarimit të TVSH-së. Ka mënyra të tjera për normalizimin e TVSH-së, në bizneset e vogla produktet përbëjnë vetëm 2 % të transaksioneve që përbën ekonomina, pra kontributi që japin ata është fare minimal, dhe ngarkimi me TVSH-së, nuk është e nevojshme për formalizimin e tyre.
Po kështu për sa i takon taksës së banesës, ka një radhë, pasi të gjitha vendet e botës e taksojnë banesën, por kjo duhet bërë në mënyrë të studiuar, ne nuk e dimë me saktësi se sa është vlera reale e pronave, dhe sa duhet taksuar. Duhet të reflektojnë në zonimin e këtyre vlerave, duhet të jemi më të përmbajtur, se në fund të fundit i shërbejmë qytetarëve.
Qëllimi kryesorë i buxhetit është të përmirësojë jetën e qytetarëve, prandaj duhet një përqasje më e studiuar, fleksible, ne kemi propozuar që taksa për pronën e parë të jetë zero, taksim duhet të fillojë për pronën e dytë me 0.05 % të vlerës. Por edhe kjo duhet bërë me kadastra fiskale, duhet të kemi parasysh se sa janë vlerat e pronave.
Me këtë sistem mund të krijohen situata ku mund të jenë të detyruar edhe pensionistët të paguajnë sa ajo pakicë e pasur që përbën 10%, duhet të bëhen studime të sakta për këtë, e cila të ketë parasysh të reflektojë realitetin por edhe të ketë parasysh edhe kategoritë e qytetarëve që kanë të ardhura më të pakta.
Ky buxhet duhet të reflektonte edhe disa vlera, të cilat i përkasin partive të majta, në mënyrë të ndershme te qytetarët, e bënë shpërndarjen më të ndershme veçanërisht për bizneset e vogla dhe biznesin e mesëm për të cilat vlerësohet se kanë.
Ka edhe dy çështje të tjera të cilat janë delikate, që kanë lindur në diskutimin për ekonominë. E para ajo që deklarojë Lulëzim Basha po pastrohen paratë e drogës nëpërmjet sistemit bankar. Ku akuzon edhe Ramën. A qëndron kjo në gjykimin tuaj?
Ne si LSI, kemi thënë se futja e parave për pastrim në çështjet ekonomike është një shqetësim real i cili duhet trajtuar ne mënyrë kryesore dhe me seriozitet, kjo duhet të monitorohet nga partnerët tanë të cilët janë me kapacitete më të mëdha për ta monitoruar këtë fenomen, do ishte një fatkeqësi që paratë e pista të pastrohen duke u përfshirë në fusha kryesore të shtetit, kjo nuk duhet të ndodh sepse janë para të pista që vijnë nga bota e krimit. Këto para të ardhura nga bota e krimit nëse pastrohen në këtë mënyrë atëherë do të bien në duart që i kanë investuar këto para për pastrim.
Projekti i cili është caktuar prej një miliard, qoftë për impaktin që ai jep për ekonominë, zëra të ndryshëm të mazhorancës thonë se nuk përfaqëson një borxh, ndërsa zëra të tjerë si psh. Ekspertët e FMN-së, thonë se buxheti i shtetit ndaj këtyre koncesioneve duhet të jetë borxh, kjo është praktika ndërkombëtare për ekonominë.
Risqet që mund të sjelli ky buxhet janë të pa parashikueshme, kjo është e para, e dyta ka të bëjë me mungesën e transparencës, mungesa për të llogaritur. Ka një mungesë për sa i përket projekteve që janë prioritare për ekonominë e vendit, patjetër që duhet të zgjedhin midis këtyre projekteve.
Ky sistem ekonomik duhet të ketë prioritet sektorët kyç që sjellin përfitime për ekonominë, dhe për këtë duhet të jetë e shpallur lista e projekteve ku do të bëhen këto investime prioritare, që ta dijë komuniteti i biznesit por edhe ata që janë të gatshëm në këto prioritete ekonomike, duhet ta dinë se cili është i pari, i dyti dhe i treti, dhe si do të implementohet kjo skemë, në sa është paraqitur kjo ngre shumë pikëpyetje, ka shumë zona gri që janë të paqarta, veçanërisht për impaktet e tyre, ne kemi bërë propozimet tona.
Ne kërkojmë përfshirjen e paketës së investimit, që të jetë pjesë e tenderimeve publike, kjo do të thotë që duhet të rrisë investimet.
Ti anonçon një projekt publik, në qeveri, angazhohen kompani, investitorët sjellin investimin, të cilat konkurrojnë, duhet të rritet transparenca, të bëhen publike, ka edhe metoda të tjera të cilat janë përdorur nga shtete të tjera. Psh. Angazhimi i parave të publikut nëpërmjet shitjes së aksioneve, për projekte të caktuara publike, dmth. Ti i kalon paratë e shet dhe e kuotonë atë, zgjerohet baza e atyre që kanë dëshirë të mos i depozitojnë paratë në banka por kanë interes ti fusin me një interes të lartë, duhet të jenë pjesë e një skeme investimi.
Le të ndalemi te një ngjarje e rëndësishme, mjaft e diskutuar. Kryeministri prezantoi projektin e rrugës së Arbrit, caktoj edhe afate. Si do ta shikojmë këtë projekt? Si e vlerësoni në gjykimin tuaj, duke qenë se keni pasur funksionin e ministrit të Transporteve, ky projekt ka qenë edhe më para, por tek e fundit nuk arriti të finalizohej.
E kemi marrë seriozisht rrugën e Arbërit, nuk është se po fillon nga zero por aty janë investuar 35 milion euro, ajo që flitet është vetëm nga një nga sektorët ku po investohet, pjesa më e vështirë është një tunel dhe një urë e cila do bëj lidhjen e rrugëve që tashmë janë rregulluar, kështu që ka pasur angazhime të vazhdueshme për sa i takon rrugës së Arbërit.
Ne e kemi trajtuar në mënyrë të veçantë, kemi negociuar me një kompani kineze e cila, është e miratuar edhe në parlament me një procedurë ndryshe, për ta realizuar si investim, kishim vullnetin për ta realizuar, ishte kompania kineze ajo që solli propozimin për ndërtimin e kësaj rruge, por oferta ishte shumë e lartë, nuk kishte logjikë ekonomike, që të jepej me kosto të lartë, nuk kishte logjik që ti jepej kësaj kompanie.
Të gjitha institucionet arritën në një konkluzion që oferta të ishte e pa pranueshme, pasi nuk kishte efikasitet, nuk kishte logjikë që të realizohej me një kosto kaq të lartë, në fund të fundit do paguhej me këste, ishte e pa përballueshme.
Edhe projekti që propozoj Rama do paguhet me këste nga qeveria shqiptare. Në fillim kompania do të investoj paratë e saja dhe më pas vitit të pestë, nuk e di se nuk e kam parë kontratën. Pastaj mbas këtij afati shteti do filloj të paguaj këto detyrime pak nga pak. Dua të them se këto skema duhet të jenë më transparente, të tregohet se si janë investuar paratë, qoftë të publikut apo të buxhetit të shtetit.
Kjo vepër paguhet nga xhepat e taksapaguesve, prandaj ky proces duhet të jetë më i hapur, të marrin pjesë edhe operatorë të tjerë, dhe jo vetëm ai që shkon i pari dhe shpreh interesin, i cili vendoset në një situatë më të privilegjuar për marrjen e asaj vepre.