LSI kundër PS e PD për sistemin elektoral me prim
Skema -Rama-Basha për të ndryshuar sistemin elektoral ka sjellë reagimin e LSI. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër sistemit elektoral me prim. Një sistem të tillë, që parashikon dhënien e një numri deputetësh bonus për partinë që del e para në zgjedhje, duket se e kërkon kryeministri Rama.
Në emisionin “Opinion” kur u pyet për këtë sistem, Rama nuk e mbështeti atë publikisht. Duke e komentuar këtë qëndrim të tij, ish –kryeministri Berisha u shpreh se Rama i kishte çuar disa herë njerëz atij që të siguronte mbështetjen për këtë sistem. "Nga një anë çon misionarë njëri pas tjetrit për të më thënë për primin dhe nga ana tjetër zotohet se është kundër primit", tha Berisha në një intervistë për Ora News.
Siç duket, Rama po i bën llogaritë pas LSI –në për zgjedhjet e ardhshme, pa përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohëshme. Ashtu si në vitin 2008, me ndryshimet në kushtetutë dhe në kodin zgjedhor, sipas paktit Berisha – Rama, LSI e sheh veten të kërcënuar edhe nga sistemi me prim.
Për këtë arsye Sekretari i Përgjithshëm, Ylli Manjani, në një prononcim për gazetën “Shqip” shprehet se “sistemi me prim, nëse PS e PD e vendosin, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të kthejë atë që ndodhi në zgjedhjet e 2001, më absurdet në historinë e parlamentareve… Teknikisht unë mund të them se ky është një rikthim në sistemin e “Dushkurt, sepse partitë marrin vota që nuk t’i jep populli, por sistemi”.
LSI i trembet një sistemi të tillë, pasi konsideron që ai është penalizues për të, ashtu si sistemi i vendosur 7 vjet më parë, edhe ai i ndryshuar nga një marrëveshje mes Berishës e Ramës dhe që e detyroi Ilir Metën të ngujohej në sallën e Parlamentit, në grevë urie. Edhe në atë kohë u fol se ishte Rama ai që kishte kërkuar një sistem elektoral të posaçëm për të dëmtuar LSI -në.
KOHA JONË SONDAZH

