LSI: PS vuri në Shkodër një drogaxhi, ”larja e duarve” nuk e shpëton Ramën

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, thotë se reagimi i kryeministrit Edi Rama se rruga mes PS-së dhe kandidatit të tyre për bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetrit janë ndarë derisa të dalë e vërtetë, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Ramën.

Në një postim në facebook, ajo thotë se qytetarët ndjejnë të ushtrohet mbi ta presion, arrogancë, kokëfortësi e padrejtësi nga një pushtet që antikushtetueshmërisht po mban peng institucionet tona.

Nga ana tjetër, ajo thotë se edhe kur menduan se do ta merrnin Shkodrën pa garë, PS vuri një kandidat drogaxhi. ”Aq i zhytyr është ky pushtet në batakun e korrupsionit e krimit, sa edhe njëherë të vetme që menduan se do e merrnin Shkodrën (pa garë), përfunduan duke dekoruar si kryetar të saj modelin tipik të rilindasit; atë që shpërblehet jo për zotësi por për lidhjet e pashmangshme me krimin (ku duhet theksuar narkotrafiku mbizotëron)”.

Postimi i plotë

Gjatë këtij gushti shumë të nxehtë dhe tepër të vështirë qoftë në aspektin social por mbi të gjitha ekonomik, shqiptarët po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike. Ndërkohë që të gjithë kërkojnë reflektim e zgjidhje, e kundërta po ndodh e çdo ditë qytetarët ndjejnë të ushtrohet mbi ta presion, arrogancë, kokëfortësi e padrejtësi nga një pushtet që antikushtetueshmërisht po mban peng institucionet tona.

Ndërsa familjet e thjeshta shqiptare shohin se si shteti hidhet kundër tyre me gjoba, taksa e kërcënime, pushtetarët, oligarkët dhe kriminelët shpërblehen me koncesione, PPP dhe ofiqe të larta. Aq i zhytyr është ky pushtet në batakun e korrupsionit e krimit, sa edhe njëherë të vetme që menduan se do e merrnin Shkodrën (pa garë), përfunduan duke dekoruar si kryetar të saj modelin tipik të rilindasit; atë që shpërblehet jo për zotësi por për lidhjet e pashmangshme me krimin (ku duhet theksuar narkotrafiku mbizotëron).

Maska është çjerrë, madje është hequr fare, asnjë lojë marketingu, as gjoja “larja e duarve” me Kryetarin Rilindas të Shkodrës, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Edi Ramën si kreun fuqiplotë të tij.

SHKARKO APP