LSI voton online strukturat, Erisa Xhixho: Mobilizim që i paraprin fitores më 25 prill
Nisur nga situata e pandemisë së Covid-19, për të zgjedhur delegatët, kryetarin dhe strukturat e reja, Lëvizja Socialiste për Integrim do të votojë online. Nënkryetarja Erisa Xhixho, thotë për ”Abc News”, se procesi i votimit do të bëhet me anë të aplikacionit “Join LSI”.
Votimi pritet të bëhet më 21 nëntor dhe 5 dhjetor. Po ashtu, Xhixho tregoi se për ata që duan të votojnë fizikisht, duke respektuar masat anti-Covid, do të ketë edhe qendra votimi. E pyetur se çfarë pret LSI nga këto zgjedhje, nënkryetarja tha se gjithë ky mobilizim i paraprin një fitoreje më 25 prill.
”Votimi online është një avantgarde për politikën shqiptare, dhe pse mos të përdoret edhe për zgjedhjet në vend. Ne kemi prurje edhe nga socialistë të zhgënjyer…Rinia mbetet boshti themelor i LSI”,-tha ajo.
Sa i përket Konventës së 5 Dhjetorit, Xhixho nënvizoi se eventi do të mbahet online, por shtoi se është shumë i rëndësishëm mesazhi që do të jepet, programi dhe pikat kryesore.
”Takimet e LSI janë derë më derë, takime të vogla, të qeta. I rëndësishëm është kontakti me qytetarët. Kryetarja është kimiste, i njeh shumë mirë pasojat e Covid-it, nuk besoj se ka rrezikuar njeri. Ajo beson që nuk është e nevojshme. Takimet janë bërë në ambiente të hapura, është respektuar distanca”,-shtoi më tej Xhixho.