Lubonja: Rama përdori takimin me Merkel. Reforma në drejtësi është histori dështimi, jo suksesi
Analisti Fatos Lubonja deklaroi se kryeministri Edi Rama përdori takimin që zhvilloi me kancelaren gjermane Angela Merkel sot në Berlin.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ teksa komentoi takimin në fjalë, Lubonja tha se kreu i qeverisë shqiptare po përdor kancelaren për të krijuar idenë se ajo Gjermania është pro çeljes së negociatave dhe ‘Mini-shengenit’.
“Takimi, përveç tërmetit, lidhet dhe me një temë tjetër, atë të hapjes së negociatave. Sipas Ramës, Gjermania dhe Merkel është pro negociatave, ‘Mini-Shengenit’ ballkanik, që na fut në debatet që ai ka pasur me Haradinajn. Mendimi im për çështjen e negociatave është ky; hapen apo nuk hapen, pak janë shanset që të ndërrojnë gjerat në Shqipëri. Edhe mund të ketë shans që të hapet procesi i negocimit për hyrje në Europë. Turqia i ka hapur me dekada më përpara dhe ende nuk është bërë pjesë e BE. Ky është problemi nëse do bëhemi apo jo. Për arsye gjeo-politike sot duket se ka ndryshim qëndrimi tek Franca. Të shohim se ça do ndodh në Kroaci. Janë ndryshime që nuk mendoj se duhen matur me peshoren e asaj nëse kemi bërë suksese apo jo suksese. Ato do t’i matim ne më shumë se sa gjermanet”,- deklaroi Lubonja.
Po ashtu Lubonja u ndal tek reforma në drejtësi, ndërsa theksoi se ndryshe nga Merkel, ai dhe shumë shqiptarë mendojnë se kjo nismë është histori dështimi.
Ai tha se ndërkombëtarët na shohin në kontekstin gjeopolitik, ndërsa shtoi se legjitimitetin duhet ta përcaktojë shteti ynë. “Më bëri përshtypje që Merkel në konferencën e fundit ka thënë se ne çmojmë reformën në drejtësi. Unë mendoj se reforma në drejtësi nuk është histori suksesi, por dështimi dhe mashtrimi. Për arsye gjeo-politike i duhet dhe Merkel që të thotë se është histori suksesi, por ka dezinformim. Edhe opozita jonë nuk është e qartë në këtë proces. Mbetet e hapur çështja. Vlen të komentohet dhe çështja e ‘Mini-shengenit’. Në këtë rast kemi një lloj përdorimi që i bën Rama takimit me Merkel, për debatin që ka pasur me klasën politike ku thotë; ‘Kam Merkel me vete’. Rama i përdor ndërkombëtarët kur i duhet. Problemi që ka Mini-Shengeni me Kosovën, është se Serbia nuk e njeh këtë shtet. Të përdorësh Merkel për të bërë polemikë me shqiptarët dhe ata në Kosovë, na rrit varësinë ndaj të huajve. Dhurata është një gjë që hidhet në koshin e plehrave, nuk është e fituar”,- tha Lubonja.