Luçiano Boçi: Dëgjesat e Ramës, teatër pa lek

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Angazhim total në betejën opozitare

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Tallja e radhës. Butafori e komizëm. Teatër pa lekë-thonë njerëzit. Një kryeministër jashtë sistemit dhe një njeri jashtë orbitës”. Kjo është panorama që deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i jep turit të dëgjesave të Kryeministrit Rama dhe shkarkimeve në bllok. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti flet lidhur me debatet në selinë blu, për përplasjet dhe mbi projektet e PD-së si forca e parë opozitare. “Opozitë ballore, denoncuese, e pa kompromis”,-shprehet Boçi. I pyetur nëse dy partitë opozitare, do të bashkohen në një të vetme, Boçi thotë se “opozitë është përballje e vazhdueshme, e pa kompromis, është ideale dhe e sinqertë dhe nuk është lojë me porta”. Ky kusht për demokratin vlen për një bashkëpunim opozitar me LSI-në.

Rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit shkaktoi pakënaqësi në radhët e demokratëve, një pakënaqësi që sikur u thellua me procesin zgjedhor brenda PD-së ku z.Basha u rikonfirmua si kryetar. “Përballja” e Bashës me kritikët e tij në PD është shtyrë për muajin e ardhshëm, ku pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së. Ju çfarë prisni nga kjo përballje? A do të arrihet bashkimi i demokratëve, apo beteja mes fraksioneve do të thellohet?

Mbledhja e Këshillit Kombëtar me iniciativën e një pjesë të tij më duket më shumë një pelegrinazh politik me shkak të gabuar dhe në kohën e gabuar, se sa thjesht një zgjatim i sforcuar i “përballjes” së kritikëve, me qëllim “mbajtjen në këmbë” të ndonjë fraksioni. E them këtë sepse shtatori nis me tjetër problematikë politike dhe në fokus të PD-ja do jetë organizmi i një opozite të fortë e efikase frontale e parlamentare dhe analiza kapilare e zgjedhjeve në çdo seksion e grup seksion partie. Debati i vërtetë brenda nesh nis pikërisht këtu në bazë, në zemrën dhe shpirtin e një formacioni politik, për të gjetur aty përbashkimin që secili nga ne e kërkon dhe e dëshiron, përfshirë dhe kritikët. Në këtë pikë ne nuk mund të mbetemi peng i një filozofie skolastike e cila e sheh zgjidhjen e problemit në përplasjen teorike të organeve drejtuese të partisë, për kompetenca “ligjore”. Përkundrazi çelësin e vërtetë ne duhet ta kërkojmë në komunikimin e vazhdueshëm politik me strukturat  dhe me publikun duke ndarë qartë me ta çdo shqetësim e problematikë politike dhe qytetare. Suksesi i një partie nuk është “sukses i spaletave”, të çfarëdolloj niveli qofshin këto. Baza e bashkimit të demokratëve nuk janë thirrjet apo kërkesat e formalizuara të  grupimeve të caktuara, por janë idealet e vlerat që përfaqëson PD, që i promovon dhe mbi të cilat ajo mbështetet në orientimin e betejave të saj politike. Kjo nuk presupozon mos ekzistencën e kritikave dhe të përcjellësve të tyre. Madje dihet që aktivizimi i tyre e shëndosh një forcë politike. Por kjo kur debati dhe kritika por dhe rruga e ndjekur ruajnë sensin e masës, të kuptimësisë dhe të qëllimit që na bashkon të gjithëve. Është ky orientim i cili me siguri do sjelli dhe bashkimin dhe respektimin e mendimit ndryshe brenda PD-së.

Lëvizja për ri-ngritjen e PD-së, ka bërë publike 11 pikat për ndryshimin e statutit. Njëra prej tyre është ngritja e menjëhershme e një komisioni të posaçëm në shtator. Zyrtarisht PD-ja nuk ka reaguar për këto kërkesa por ju si i keni parë?

Ka një procedurë të qartë statutore të sanksionuar e cila përcakton dhe rrugën e përcjelljes së propozimeve për ndryshime. Këshilli Kombëtar, thirrja e të cilit rëndom është arsyetuar me hedhjen e këtyre propozimeve, nuk ka kompetencë aspak miratimin e statutit, apo të ndryshimeve që lidhen me të. Këtë e ka Kuvendi Kombëtar. Ndërkohë që parashikohet qartë se të drejtën propozuese për ndryshime statutore e ka çdo anëtar i kryesisë së PD, apo grup anëtarësh, të cilët këto propozime ia përcjellin Komisionit të përhershëm të parashikuar në nenin 48, i cili bën vlerësimin e tyre. Thirrja e Këshillit kombëtar vetëm për ca propozime që shumë lehtë ndjekin një rrugë tjetër, duket e tepërt. Ne nuk e kemi luksin të shpenzojmë kohë e energji për gjëra që parashikohen të zgjidhen alternativisht më shpejt. Nuk e kuptoj pse duhet të ketë reagim zyrtar kur rruga e sanksionuar në statut dhe ndryshimet e propozuara janë pjesë e një rutine më se të zakonshme politike. Askush nuk pengohet dhe gjithsecili që është anëtar kryesie mund të sjellë propozimet e veta.

Por duke parë këtë situatë brenda selisë blu, sa do të ndikojë kjo përplasje në punën e PD-së, si forcë më e madhe e opozitës në Kuvendin e ri?

Nuk pretendoj që jemi përballë një përplasje të re. Më shumë jemi para një “modusi” për të “legjitimuar” atë që ndodhi. Tendenca që vihet në këtë rast nuk shkon drejt ndarjes, por më shumë në gjetjen e një rruge “të hollë” bashkuese, larg çdo skepticizmi. PD-ja ka shumë për të bërë dhe thënë si forca e parë e opozitës dhe vitaliteti i saj nuk mund të zbehet nga gjetja e milimetrit statutor dhe as nga zërat e mirëpritur kritikë.

Do kemi një vijim të paktit të 18 majit Rama-Basha në 4 vitet e ardhshme?

Për hir së vërtetës 18 maji nuk ishte pakt liderash. Ishte marrëveshje midis opozitës dhe PS-së për zgjedhje të lira e të ndershme që vetëm të lira e të ndershme nuk u bënë e cila u respektua në mënyrë të njëanshme vetëm nga PD. Marrëveshja parashikon shumë ndërhyrje të domosdoshme në Kodin zgjedhor që prekin si thelbin e sistemit ashtu dhe realizimin teknik të procesit me mjete elektronike. Përpos kësaj është shprehur angazhim për ndërhyrje kushtetuese si dhe në rishikimin e ndarjes administrative. Vullneti i munguar i mazhorancës, përdorimi i parave të drogës e formacioneve kriminale e presioneve shtetërore përgjatë zgjedhjeve sigurisht nuk janë shenja të mira për të mos thënë atë fjalën e fundit. Megjithatë ne do vazhdojmë të insistojmë me të gjitha format opozitare në inisitivën tonë për të garantuar në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Cilat janë projektet kryesore të Partisë Demokratike në opozitë? E shihni një bashkëpunim mes PD-LSI, si dy forca opozitare?

Sigurisht priten beteja të forta opozitare. Opozitë ballore, denoncuese, e pa kompromis, e pashtershme dhe njëkohësisht alternative. E organizuar dhe e realizuar në çdo aspekt e domethënie. Ka shumë insinuata dhe deklarata në lidhje me këtë bashkëpunim, i cili më duket se më shumë vjen nga një kompleks i LSI-së për tu përballur realisht me “dashurinë” e madhe, PS-në dhe nga një vrapim i pakuptimtë i saj “për t’u ulur në rreshtin e parë” duke shtyrë PD-në, për tu dukur si ai nxënësi i zellshëm para mësueses së re. Kam dëgjuar dhe znj.Kryemadhi të adresojë ftesa. Njëkohësisht të deklarojë që opozita nuk është numra por është shpirt. Dakord jam. Por njëkohësisht opozita nuk është thjesht nënshkrim, nuk është dakortësi formale “për t’i rënë”, por mbi të gjitha është frymë, është përballje e vazhdueshme, është e pa kompromis, është ideale dhe e sinqertë dhe nuk është lojë me porta. Bashkë në opozitë nuk na bëjnë deklaratat, por pasioni për të luftuar të keqen dhe për të reflektuar për të keqen atje ku ajo ka pasur dhe kontributin e LSI-së, për t’u mbjellë. Opozita njëkohësisht nuk është “larje duarsh” nga përgjegjësitë 4-vjeçare të mbjelljes së vendit me krim, drogë e korrupsion. Me manipulim zgjedhor dhe me pazare nën avuj vere. Opozita është parje në sy e kundërshtarit dhe jo flirtim prapa kuintash për ujin sot apo ndërtimet nesër. Nëse LSI-së bën këto që janë pjesë e pasionit tonë opozitar kam idenë se do gjendemi në të njëjtën llogore pa qenë nevoja të bëjmë poezira përpara.

Pas zgjedhjeve ka pasur sinjale për një bashkëpunim PD-LSI, si një opozitë e përbashkët. Duke parë që PD gjatë 4 vjeçarit nuk arriti të sfidonte qeverinë, e shihni të nevojshëm një koalicion me LSI, për të qenë një opozitë më efikase, e përbashkët?

Sfida që ne i bëmë qeverisë ka qenë totale dhe këtu keni kundërshtinë time të plotë. E bëmë në shëndetësi, arsim, punësim, ekonomi dhe në çdo sektor. E denoncuam me fakte e prova për drogën, korrupsionin, krimin. Të gjithë këtë e bëmë pa LSI-së, e cila ishte vetë pjesë e kësaj qeverisje. Lufta ndaj së keqes nuk ka nevojë as për koalicione paraprake dhe as për të përdorur një pjesë të së keqes së dikurshme kundër së keqes së sotme. “Mea culpa” e LSI-së me shqiptarët nuk mbyllet me shndërrimin në opozitë deklarative, por me angazhimin e saj total në betejën opozitare që na pret. Në qoftë se ne e takojmë LSI-së këtu dhe në këtë profil të saktë e të padyshimtë, normal që është e mirë se ardhur.

z.Boçi, si i keni parë turin e dëgjesave të Kryeministrit Edi Rama dhe shkarkimet në bllok të drejtorëve më të rëndësishëm në vend?

Tallja e radhës. Butafori e komizëm. Teatër pa lekë-thonë njerëzit. Një kryeministër jashtë sistemit dhe një njeri jashtë orbitës.

SHKARKO APP