Luciano Boçi: Si mund të heqim Berishën nga kryetar?!
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, në një intervistë për Top Channel, ka hedhur poshtë lëvizjen e paralajmëruar brenda PD nga kritikët e kryetarit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një “pasion momental” dhe jo si një proces serioz.
Boçi u kujtoi demokratëve se vetëm vota është ajo që përcakton drejtuesit e partisë, ndërsa për ata që mendojnë ndryshe, ekziston opsioni i krijimit të një fraksioni.
“Si mund të largosh një njeri nga drejtimi kur atë e vendos apo e heq vota apo vullneti i demokratëve? Jam disaprovues totalisht. Në PD, secili ka mendimin e vet ndryshe, mund ta shprehë, është diçka që ne e kemi pranuar vetë, e kemi zhvilluar dhe lejuar dhe kemi pranuar edhe fraksionet, dhe nëse dikush ka autoritetin për të bërë një fraksion, le ta bëjë; të mos e tregojë me autoritetin për ta hequr. Ne duhet të ndërtojmë; për të shkatërruar bëhet shumë kollaj”, theksoi ai.
Kritikët e Sali Berishës, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, kanë paralajmëruar nisjen e një lëvizjeje të re në vjeshtë, të ngjashme me Foltoren që solli rithemelimin e PD. Por Boçi e sheh këtë nismë si të përkohshme dhe pa efekt:
“Ndërsa kjo më duket pasion momental, çështje dhe spinimesh apo edhe çështje e marrjes përsipër e atyre veprimeve që tërheqin vëmendjen. Do kalojë!”, u shpreh ai.
Sa i përket humbjes së zgjedhjeve, Boçi mohoi se ishte pasojë e dobësive politike të partisë. Sipas tij, rezultati erdhi nga deformimi i procesit zgjedhor:
“Kjo humbje nuk është natyrale politike, është artificiale, ka ardhur nga krimi i organizuar që ka përcaktuar dhe kandidatët, kriminalizimi i administratës, blerja e votës, shkelja e ligjit zgjedhor. SPAK mori përsipër të pengonte krimin zgjedhor dhe u bë palë, pra nuk është humbja klasike politike”, deklaroi Boçi.
Shtatori pritet të jetë muaji ku PD do të përcaktojë drejtimin e saj politik, si në raport me Parlamentin ashtu edhe në organizimin e brendshëm. Nënkryetari demokrat la të hapura të gjitha opsionet për veprim, nga bojkotimi i Kuvendit deri tek format më ekstreme të protestës brenda sallës.
“Do jetë marrëdhënie e kushtëzuar, do jetë marrëdhënie e bojkotuar sepse është mosnjohja në mes; do jetë aksion i fortë politik duke qenë brenda parlamentit, përfshirë edhe greva dhe ngujime apo forma të tjera të shprehjes së protestës politike në Parlament; gjithçka është pjesë e vendimmarrjes politike”, përfundoi Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

