Luftojmë bashkë krimin! – Ministri britanik: Duam të sjellim këtu paratë e konfiskuara
Ministri i Sigurisë së Britanisë së Madhe, Ben Wallace në një intervistë në Ora News për gazetaren Ilva Tare tha se ajo që Evropa dhe SHBA pret nga Shqipëria është të zbatojë reformën në drejtësi, të mbajë zgjedhjet dhe të zgjidhë ngërçin politik.
Lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë, Wallace tha se dy vendet për herë të parë kanë një marrëveshje ekstradimi, ndërsa Britania do të sjellë në Shqipëri 3 ekspertë që do të luftojnë krimin si dhe do të ndihmojnë në ndjekjet penale.
Intervista e plotë:
Tare: Cilat janë disa nga çështjet konkrete të sigurisë mes dy vendeve tona?
Wallace: Në po punojmë për të forcuar marrëdhënien tone me Shqipërinë, ne te gjitha nivelet e qeverise dhe jo vetëm në luftën kundër krimit. Britania dëshiron që Shqiperia te jete e suksesshme, qe ekonomia shqiptare të rritet, e qe vendi juaj t’i bashkohet BE-se, në mënyrë qe te jete ne tërësi një histori suksesi ne këtë pjese te botes. Ne bëjmë gjithçka qe mundemi, oficeret tanë të policisë punojmë se bashku, ne shkëmbejmë informacion sidomos kur behet fjala për luftën kundër krimit, por edhe ne fusha te tjera gjithashtu.
Tare: Interesante që Britania e Madhe pas largimit, mbështet Shqipërinë të integrohet në BE
Wallace: Bashkimi Evropian është një projekt për të cilin jemi shumë krenarë. Ne kemi ndihmuar në formësimin e tij, ne financimin e tij, ne kemi ndihmuar ne krijimin e tij dhe mendojmë se kemi bere një pune te mire për Evropën. Por ne Britani, votuesit vendosen se tashme duan të lëvizin drejt diçkaje tjetër. Kjo nuk do të thotë që shtete të tjera nuk mund te përfitojnë nga BE-ja ne te njëjtën menyë si Mbretëria e Bashkuar. Ne e mbështesim këtë ambicie të Shqipërisë dhe shpresojmë se vendi juaj do te pranohet ne BE. Edhe pasi te jemi larguar nga BE-ja do te vazhdojmë ta mbështesim kete aspirate te Shqipërisë nëse shqiptaret e duan një gjë te tille. Por unë mendoj se do te ishte një gjë e mirë për Shqipërinë.
Tare: Çfarë bashkëpunimi ka mes dy vendeve për sa i takon terrorizmit? A keni shqetësime për shqiptare te përfshirë?
Wallace: Në të gjithë jemi të shqetësuar për përhapjen e terrorizmit islamik ne tere boten. Ne jemi te shqetësuar për impaktin e situatës ne Siri si ne Shqipëri ashtu edhe ne Britani, por edhe për njerëzit qe largohen nga Siria teksa ISIS vazhdon te sulmohet ne mënyrë domethënëse. Disa prej këtyre individëve udhëtojnë ne ose përmes Shqipërisë dhe Britanisë. Ajo qe duhet te bëjmë është t’i sfidojmë këta njerëz, si edhe t’i kapim nderkohe qe mundemi.
Tare: A ka grupe te caktuara ose individë qe ju jeni duke i mbikëqyrur ne lidhje me terrorizmin?
Wallace: Ne nuk komentojmë rreth informacioneve te inteligjencës, por sigurisht ne momentin qe vihemi ne dijeni të ndonjë informacioni te dobishëm për aleatet tanë e ndajmë informacionin dhe ata bëjnë te njëjtën gjë me ne. Pra ne punojmë se bashku dhe përgjatë shume viteve kemi mësuar se mënyra me e mirë për të luftuar terrorizmin është të punojmë të gjithë së bashku në partneritet.
Tare: Ne çfarë niveli është bashkëpunimi me autoritetet shqiptare?
Wallace: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet shqiptare, çka është vënë re në takimet që kam patur gjatë vizitës sime këtu. Nuk është një marrëdhënie e re, përkundrazi në disa fusha është një bashkëpunim që shtrihet prej vitesh. Përpjekjet e përbashkëta të qeverise dhe te profesionistëve, si për shembull oficerëve të policisë dhe e shërbimeve të sigurisë kanë dhënë disa rezultate shumë të mira e ne jemi shumë të kënaqur me këtë. duam që ky bashkëpunim të vazhdojë.
Tare: Në takimin me ministrin e brendshëm Xhafaj diskutuat për sjelljen e 3 eksperteve te police britanike pranë asaj shqiptare. Çfarë detyre do të kenë ata?
Wallace: Ne thamë se do të rrisim mbështetjen tonë, duke punuar me një sërë zyrtarësh në nivele të ndryshme të qeverisë shqiptare. Do te sjellim këtu në Tiranë tre eksperte qe do te punojnë për ndjekjet penale, me hetimet financiare si edhe me gjetjen e mënyrave sesi mund t’i largojmë njerëzit nga krimi. Sepse një nga mënyrat për t’i bindur njerëzit t’i largohen krimit është t’i japësh atyre mundësinë të merren me diçka tjetër. Mirëpo për këtë duhet të mësojmë nga njëri-tjetri sesi mund ta bëjmë një gjë të tillë ne MB e në Shqipëri.
Tare: Pra, do te jene eksperte që do të punojnë me policinë shqiptare, sa do të zgjasë mandati i tyre?
Wallace: Hollësitë e punës së këtyre eksperteve janë duke u diskutuar me ambasadës këtu dhe qeverise britanike dhe do te vendosen me vone. Ne jemi këtu për të dhënë mbështetje ne ato fusha ku njerëzit duan qe ne te ndihmojmë. Ne do te punojmë me ta për sa kohë ata nevojiten këtu. Qëllimi kryesor është qe Shqipëria të marrë brenda për brenda vendit mbështetjen qe i duhet ne luftën kundër krimit të organizuar, por gjithashtu edhe për ne në MB qe te përdorim ekspertizën tuaj për të na ndihmuar te arrestojmë njerëzit në Britani.
Tare: Marrëveshja nuk është finalizuar ende?
Wallace: Ne thelb mund te them se behet fjale për vendosjen e pikave te kontaktit dhe për vendosjen e një marrëdhënieje përmes se cilës të këtë shkëmbim përvojash dhe praktikash te mira, psh çfarë bëni ju mire qe ne mund te mësojmë prej jush dhe e anasjellta.
Tare: A ka Britania çfarë të mësojë nga policia shqiptare?
Wallace: Mendoj se ka plot gjera qe Britania mund të mësojë nga Shqipëria. Mendoj se shqiptaret i kuptojnë me mire grupet e tyre te krimit te organizuar, ata kuptojnë se ku qëndron suksesi i tyre dhe se çfarë mund të bëjmë për t’i ndaluar ato. Shpresoj edhe që oficerët shqiptarë të mund të na tregojnë se me çfarë po merren tani këto grupe. Ne nga ana tjetër mund të themi që kemi konfiskuar disa para të vjedhura në Shqipëri e që tashmë ndodhen në Britani dhe duam t’i kthejmë këto para në Shqipëri. pra është një marrëdhënie reciproke.
Tare: Me ministrin Vasili nënshkruat marrëveshje ekstradimi…
Wallace: Së bashku me ministrin e drejtësisë nënshkruam një marrëveshje ekstradimi, që në mos gaboj është e para që prej vitit 1923. Kjo marrëveshje lejon të dy shtetet të ekstradojnë njerëz të dyshuar për krime në vendin kërkues. Për shembull nëse Shqipëria kërkon që dikush të ekstradohet nga Britania në Shqipëria, kjo marrëveshje e mundëson tashmë një proces të tillë. tashmë nuk ka më vlerë të largohesh nga Shqipëria pasi ke kryer një krim, dhe po kështu edhe në anën tjetër: nëse dikush kryen një krim në Britani dhe largohet ne shpresojmë që autoritetet shqiptare të na ndihmojnë për t’i kthyer në Britani. Çdokush mendoj dëshiron që keqbërësit të vihen para drejtësisë; kështu nëse unë do të isha një shqiptar, viktimë e një krimi do të doja që ai njeri të sillej e të gjykohej këtu. E njëjta gjë vlen edhe për MB.
Tare: Ekstradimi hyn në fuqi menjëherë?
Wallace: Në fakt unë nuk jam krejt i sigurt mbi procesin në Shqipëri të ratifikimit të marrëveshjeve së nënshkruara. në MB kjo marrëveshje ratifikohet menjëherë, ne nuk na duhet të kalojmë në një proces të gjatë, por jam i vetëdijshëm që në disa shtete procedura parlamentare për ratifikimin e marrëveshjeve është më e gjatë.
Tare: Keni marrëveshje të tilla me vendet e Ballkanit?
Wallace: Britania ka plot marrëveshje dypalëshe ekstradimi nëpër të gjithë botën. është një gjë standarde për ne. Në shtetet me të cilat ne kemi një marrëdhënie të mirë e të pjekur, ne përpiqemi të nënshkruajmë të tilla marrëveshje
Tare: A është e vërtetë që shqiptaret janë grupi i dyte i të huajve në burgjet e Britanisë së madhe?
Wallace: Jo nuk është e vërtetë. Nuk jeni në krye të renditjes e as të dytët. Jeni diku në mes të listës. Por nuk janë vetëm shqiptarët. Republika e Irlandës mund të them se ka një numër të madh të dënuarish në Britani, Polonia po ashtu. Në burgjet tona kemi plot njerëz nga plot shtete evropiane dhe pjesa tjetër e botës.
Tare: Cilat janë aktivitetet kriminale me te shumta që kryejnë shqiptarët?
Wallace: Rreth 75% e të burgosurve shqiptarë janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me lëndët narkotike. Dhe këta janë personat që i japin një imazh të keq Shqipërisë. Sepse për të qenë të sinqertë Shqipëria ka plot gjëra të mira në favorin e saj. MB nuk dëshiron që Shqipëria të njihet për të dënuarit në burgjet tona, ne duam që Shqipëria të njihet si një vend ku mund të bësh biznes, me të cilin mund të bësh tregti dhe si një pjesë e bukur e botës. Në Britani ne nuk priremi të përqendrohemi në etninë e personave që kryejnë vepra penale, por mundohemi të përqendrohemi në parandalimin e krimeve dhe në arrestimin e atyre që i kryejnë ato, pavarësisht se nga vijnë.
Tare: Behet fjale për grupe të organizuara kriminale apo individë të përfshirë në grupe të ndryshme?
Wallace: Shumë nga krimi që vihet re sot nëpër botë është i organizuar. Me përhapjen e Internetit dhe përdorimit të telefonisë së lëvizshme fuqia e këtyre grupeve ka marrë përmasa globale. Në shumë prej vendeve pjesa më e madhe e krimit kryhet përmes organizatave kriminale. Ditët kur një hajdut vepronte i vetëm kanë kaluar tashmë. Ka shumë grupe kriminale të sofistikuara që janë britanike, shqiptare, irlandeze, italiane pra nga e tërë bota. Por krimi i organizuar është një rrezik me të cilin përballen të dy vendet tona.
Tare: A keni ndonjë shifër të përafërt sa shqiptarë jetojnë në Britani?
Wallace: Në fakt nuk kam statistika se sa shqiptarë ka që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Por ne jemi një shoqëri e hapur, multi-kulturore dhe në Britani jetojnë njerëz nga e gjithë Evropa, nga e gjithë bota. Ne mundohemi të mos i bllokojmë ata.
Tare: Me siguri jeni ne dijeni te problemit qe kane qindra shqiptare në Britaninë e madhe te ardhur gjatë luftës në Kosovë që janë shqiptare por janë regjistruar si kosovare. A do marre zgjidhje ndonjëherë ky problem?
Wallace: Ne po mundohemi të punojmë shumë rreth disa identiteteve me të cilët disa njerëz udhëtojnë. Ka Disa identitete (pasaporta) të BE-së janë shumë të thjeshta për t’u kopjuar e për t’u përdorur. Prandaj kur njërezit udhëtojnë për në Britaninë e Bashkuar ne nuk jemi krejt të sigurt për prejardhjen e tyre. Disa mund të thonë që janë shqiptarë kur në të vërtetë janë kosovarë ose mund të jenë serbë por që përdorin një kartë identiteti kosovare e kështu me radhë. Shpesh nuk është aq e lehtë sa ç’mendohet të përcaktohet me saktësi identiteti i dikujt. Por për mua si Ministër i Sigurisë, dëshira kryesore që kam është që ata- kushdo që janë- t’i binden ligjit. Nëse ata shkelin ligjet e vendit tonë, atëherë ata nuk janë më të mirëpritur në Britani.
Tare: A keni ndonjë numër të shqiptareve qe janë të burgosur në Britani?
Wallace: Nëse e mbaj mend mirë, besoj se janë rreth 83 mijë të burgosur gjithsej në Britani, dhe prej këtyre janë rreth 16-18 mijë të dënuar të huaj në total, pra nga të gjitha vendet e botës. Pra nuk bëhet fjalë për mijëra. Por ne nuk duhet t’i etiketojmë shqiptarët, thelbi qëndron në goditjen e krimit që kërcënon interesat tona dhe ato tuajat, kudo nëpër botë. Dhe nuk ka rëndësi sesa njerëz ndodhen në burgje, e rëndësishme është që ata që shkelin ligjin të arrestohen.
Tare: A janë të përfshirë shqiptarët në trafikun e qenieve njerëzore?
Wallace: Po, kemi prova që ka disa grupe kriminale të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore që kanë në përbërje të tyre shqiptarë etnikë. Ne mundohemi të mos komentojmë shumë rreth të dhënave të inteligjencës që mund të kemi, por kemi disa dënime e prova të personave që janë dënuar psh për shfrytëzim prostitucioni, apo shfrytëzim të punëtorëve. Nuk janë domosdoshmërish shqiptarë ata që trafikohen, mund të ketë edhe shtetas nga vende të tjera. Por trafiku i qenieve njerëzore është një problem në rritje nëpër të gjithë Evropën, jo vetëm në MB. Ne të tërë duhet të jemi vigjilentë rreth këtij problemi. Gjatë vizitës sime kam takuar njerëz të cilët punojnë me këtë çështje dhe ndonjëherë bëhet fjalë edhe për njerëz të cilët trafikohen brenda Shqipërisë.
Tare: Çështjet e sigurisë janë të rëndësishme për investitorët. A kanë shqetësime ata për Shqipërinë?
Wallace: Mendoj se ata do të kenë shqetësime në rast se stabiliteti nuk ruhet në Shqipëri. E di për shembull që për momentin ekziston një konflikt në lidhje me zgjedhjet e ardhshme. Ajo që investitorët duan është një vend i sigurt ku të bëjnë biznes, ata nuk duan korrupsion. Ata duan stabilitet në sistemin politik dhe duan të kenë besim në shtetin e së drejtës. Një gjë të tillë po e shohim edhe në Britani, pas votimit për t’u larguar nga BE-ja; ka një numër biznesesh që nuk janë të sigurt se çdo të thotë Brexit për të ardhmen. Biznesi nuk e pëlqen paqëndrueshmërinë. Për këtë arsye mendoj se ministrat që kam takuar këtu, e policia janë të vendosur për të bërë diçka rreth këtij problemi. Mendoj se një nga pengesat më të mëdha ndaj suksesit të Shqipërisë do të ishte mungesa e stabilitetit apo pamundësi për të luftuar krimin. Është një gjë që e shoh edhe në Britani; së fundmi i kam propozuar parlamentit një ligj që ka të bëjë me pastrimin e parave, sepse besoj se nëse Londra dhe Britania nuk e forcon legjislacionin e saj për t’u siguruar që nuk do të jetë e lehtë për njerëzit të pastrojnë para në vendin tonë, biznesi dhe tregtia jonë do të vuajnë.
Tare: Nëse do t’i këshillonit bizneset britanike te vinit në Shqipëri çfarë do tu thonit?
Wallace: Së pari do të thoja që ka potencial shumë të madh. Si vend ka burime, ka një popullsi të arsimuar, ka një potencial të madh turizmi. Janë investitorët dhe rregullatorët ata që vendosin kushtet e thonë nëse do të investoni në një vend duhet të keni këtë apo atë kusht të plotësuar. Janë shtetet ato që thonë se duhet të jeni të sigurt se ku i çoni paratë tuaja. Këtë gjë ia themi edhe bizneseve tona. Pra, unë nuk mendoj se ka një “por”, ka thjesht një fakt që stabiliteti i tërheq investimet. Do t’i nxisja njerëzit të investonin në Shqipëri sepse ka një pozicion gjeografik të përshtatshëm, ka potencial të madh dhe ka një popullsi të gatshme për t’u angazhuar, për të udhëtuar, për të tregtuar- pra nuk mendoj se ka ndonjë “por”.
Tare: Shqipëria ka miratuar ndryshimet kushtetuese në korrik 2016 për reformën në drejtësi. A e keni ndjekur implementimin e kësaj reforme?
Wallace: Gjëja kryesore që duam të shohim është pikërisht zbatimi, vetting-u. Është e njëjta gjë si në politikën britanike, unë mund të hartoj e miratoj shumë ligje por votuesit e mi do të më pyesin, po, por a ke zbatuar ndonjë prej tyre? Dhe mendoj se kjo është një sfidë për ne të tërë. Gjysma tjetër e reformës është zbatimi i saj, në disa aspekte mendoj se po shkon mirë, por do të jetë media në Shqipëri ajo që do të vlerësojë se si po zbatohet ajo. Besoj se ky do të jetë një vlerësim që duhet ta bëjnë zgjedhësit dhe media juaj.
Tare: Zgjedhjet e dekretuara për në 18 Qershor dhe situata aktuale politike, si e vlerësoni?
Wallace: I vetmi koment që do të kisha është që BE-ja dhe ShBA-të dëshirojnë shumë që Shqipëria t’i mbajë zgjedhjet e ta kalojë ngërçin aktual politik. Nuk kam një koment më të hollësishëm mbi politikën shqiptare, pasi mendoj se ju jeni në gjendje ta bëni një gjë të tillë më mirë se unë, pasi unë nuk kam shumë përvojë me politikën shqiptare. Ajo që dua të them është se besimi i investitorëve krijohet nëpërmjet proceseve demokratike, zgjedhjeve, stabilitetit. Ne jemi të qartë kur i nxisim partitë politike shqiptare t’i zgjidhin këto çështje.
/Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

