Mali i Zi/Shqiptarët sigurojnë 2 mandate. Ende e paqartë kush bën qeverinë

Rezultatet ende të pazyrtarizuara të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi rendisin forcë të parë, partinë e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, por koalicioni opozitar pro-serb ka shpallur fitoren e zgjedhjeve.

Partia DPS e Milo Gjukanovic ka marrë 34.8% të votave, 30 deputetë. Ky është rezultati më i ulët i kësaj partie në 30 vjet.

Kampi kudërshtar i Gjukanoviç ka garuar në tre koalicione, të cilat deklarojnë se kanë fituar 41 mandate, nga 81 vende që ka parlamenti i Malit të Zi. Koalicioni opozitar “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” ka marrë 27 mandate. Ky koalicion përfaqëson serbët etnikë dhe cilësohet si krahu pro rus dhe pro serb. Koalicioni tjetër opozitar “Paqja është kombi ynë” 10 mandate, një grupim politik progresiv. Koalicioni i tretë opozitar “Bardh e Zi”, që drejtohet nga shqiptari Dritan Abazoviç, ka marrë katër mandate. Të tre këto koalicione ku përfshihen pro-serbët dhe “Bardh e Zi” e shqiptarit Abazoviç kanë deklaruar fitoren duke nënkuptuar bashkimin në një qeverisje me 42 mandate deputetësh. Dritan Abazoviç përfaqëson një koalicion progresiv ku bëjnë pjesë dhe parti malazeze dhe duket se 4 mandatet e tij përcaktojnë se në cilën anë shkon fitorja. Ai deklaroi  gjatë daljeve të rezultateve paraprake se “kemi pritur 30 vjet për të larguar mafien e drejtuar nga Milo Gjukanoviç”.

Parlamenti i Malit të Zi ka 81 mandate. Social Demokratët dhe Partia Boshnjake kanë nga tre mandate secili. Rreth 30 mijë shqiptarët e Malit të Zi u prezantuan në këto zgjedhje të ndarë në dy koalicione. Lista Shqiptare deri më tani ka marrë 1.4% të votave, duke siguruar kështu një mandat, si dhe Koalicioni Shqiptar ka siguruar 1.1% të votave, duke siguruar edhe ky një mandat deputeti.

Rezultati përfundimtar nuk ka dalë ende dhe beteja për fituesin do të vijojë deri në votën e fundit. Në një dalje për mediat, Milo Gjykanoviç deklaroi se “lufta për shumicën qeverisëse është ende në vazhdim. Kemi marrë 30 mandate me 145 mijë vota, kjo do të thotë se jemi partia e vetme që ka shumicën e qytetarëve. Kemi fituar votat e qytetarëve, por edhe shumicën e mandateve. Numërimi është ende në proces, por është e qartë se partia jonë dhe aleatët tanë tradicional kanë deri tani 40 mandate. Do të presim rezultatet zyrtare dhe do të vendosim pasi të shohim se cila prej palëve ka 41 mandatet për të drejtuar vendin”,- tha Milo Gjukanoviç.

SHKARKO APP