Manastirliu: Do nisin vaksinimin nën 65-vjeç! Rama: Fillojmë dhe me mësuesit

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin këtë të diel në stadiumin “Air Albania”, ku vijon procesi i vaksinimit anti-covid për bluzat e bardha dhe për të moshuarit mbi 80-vjeç.  Manastirliu tha se janë kryer në total mbi 13 mijë vaksinime, duke theksuar se ky proces vijon në të gjithë vendin.

”Sot kemi vijuar me vaksinimin e grupmoshës +80 vjeç, duke futur fashën +90 vjeçare të parën. Ndërkohë që vijojmë vaksinimin e stafeve mjekësore. Dhe në total së bashku me planifikimet sot arrijmë në mbi 13 mijë vaksinime. Tashmë ka filluar vaksinimi edhe në Korçë, në Vlorë, në Shkodër, në Elbasan, dhe në qendra të tjera”, tha Manastirliu.

Ministrja shtoi se janë duke u përgatitur vaksinatorët e rinj, të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin, për të vijuar me vaksinimin kapilar. ”Jemi duke u përgatitur për vaksinatorët e rinj, pra për infermierët të cilët do të kryejnë në Arenën Kombëtare trajnimin, që më pas të shpërndahen në të gjithë vendin. Janë të rinj të cilët janë përzgjedhur nga portali, por edhe studentë, dhe forcat e armatosura, për të filluar vaksinimin kapilar në momentin që do të kemi edhe vaksinat”.

Kurse kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithashtu me mbërritjen e dozave nga AstraZeneca do fillojë vaksinimi dhe për mësuesit. ”Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit Covax ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve. Sfida është të garantojmë një sasi të konsiderueshme dhe të kemi lajme të mira shumë shpejt. Kontaktet janë të vazhdueshme, duket mirë por mos të flasim përpara kohe”.

SHKARKO APP