Manjani: Rama i ka humbur të gjitha bastet politike kundër Ilir Metës. Askush nuk i ka më asnjë borxh

Kur kanë mbetur dy ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, ish-ministri i DrejtësisëYlli Manjani analizon situatën parazgjedhore që ka krijuar kryesocialisti Edi Rama, ku sipas Manjanit, Rama ka vënë një bast në këtë garë: o ai i vetëm bëhet pronar i Shqipërisë, ose Shqipëria bëhet pronare e vetes dhe largon krye-pronarin!

Por në këtë bast të ri që ai ka vënë, Manjani kujton se sërish ai gjendet përballë Ilir Metës, me të cilin i ka humbur të gjitha bastet e tij politike në të kaluarën, gjë që me shumë gjasë, për Manjanin, e njëjta gjë do të ndodhë, ku sërish Rama do ta humbasë edhe këtë bast, pasi sipas Manjanit, në një situatë ku të gjithë konkurojnë mes njëri-tjetrit askush nuk i ba asnjë borxh Edi Ramës. “Mbetet vetëm që shqiptarët të mos i japin atij 71 mandatet, që i duhen për të shpallë diktaturën më të re!”- shkruan Manjani në komentin e tij në rrjetet sociale.

Komenti i plotë i Ylli Manjanit

Basti me 71 apo me koalicion?

—–

Të gjithë udhëheqësit, përfshi edhe krye-udhëheqësin (mrekullinë Kushtetuese të Republikës) pranuan më në fund që do kenë nevojë për koalicion!

Askush nuk beson se një njeri i vetëm do qeverisë si i do qejfi! Nëse kjo provohet në zgjedhje, pa dyshim që është mesazh i drejtpërdrejtë i shqiptarëve kundër diktaturës!

Bastet elektorale personale gjithnjë kanë qenë humbëse! Të gjitha pa përjashtim! Mjafton të kujtojmë bastet e Nanos në 2001 për shumicën që zgjidhte Presidentin dhe, basti i 2005-ës për të qeverisur vetëm pas ndarjes së të majtës.

Basti i Ramës në 2009 ishte më i drejtpërdrejti; o fitoj zgjedhjet vetëm ose iki nga politika! Bastin e humbi dhe nuk iku! Rama në fakt ka humbur çdo bast politik sa herë ka qenë përballë Ilir Metës. Të gjitha, pa përjashtim!

Rama u mësua të fitojë vetëm në kurriz të socialistëve dhe me mbështetjen deri në absurd që i ka dhënë Ilir Meta!!!

U mësua keq me fitore saqë ja hëngri syri të vinte në bast elektoral në Amerikë edhe interesat e vendit, kur vuri bast kundër Trump! Edhe këtë radhë pa Ilir Metën në krah dhe e humbi!

Tani mbetet të shohim pas të hënës, por basti i Ramës është aty: o ai i vetëm bëhet pronar i Shqipërisë, ose Shqipëria bëhet pronare e vetes dhe largon krye-pronarin!

Në fund të fundit këto zgjedhje, ku secili konkurroi më vete, sollën diçka pozitive: askush nuk i ka borxh askujt!

Pra aleancat janë të hapura. Por kjo logjikë nuk mund të jetë e vlefshme me Ramën pa 71 mandate. Ramës askush nuk i ka më asnjë borxh! Askush…

Mbetet vetëm që shqiptarët të mos i japin atij 71 mandatet, që i duhen për të shpallë diktaturën më të re!

Të shohim, pasi të kemi votuar!

SHKARKO APP