Marko Bello: Shqiptarët kërkojnë një projekt të ri politik
Flet për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PS-së, Marko Bello: “Ka shumë shqiptarë të zhgënjyer që mbështesin idenë e z.Blushi, për një grupim të ri politik”
Intervistoi: Redjon Shtylla
A është e inkriminuar politika shqiptare? Sipas formularëve të vetëdekriminalizimit, disa deputetë, zyrtarë të lartë e kryetarë bashkisë, kanë rezultuar të dënuar për vepra penale e që deri më tani nuk ka elementë që mund t’i çojë ata në heqje të mandatit. Ish-deputeti socialist, Marko Bello, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ka pohuar se vetëm në Shqipëri mund të hasësh politikanë që kanë guxim që vlerat dhe traditat t’i ofrojnë për tek të rinjtë duke shkelur ligjet. “Kemi kryetarë partish që guxojnë të tallen dhe të bëjnë të habiturin se nuk paskan qenë aq shumë të inkriminuar sesa mendohej dhe flitej”,- shprehet Bello. E ndërsa për PS-në, ai me keqardhje thekson se: “Sot është kthyer në një parti që ia ka “dorëzuar” sovranitetin e saj vetëm një njeriu, kryetarit të saj, duke i plotësuar atij çdo tekë”. Për këtë zhgënjim, Bello shton se ka shumë shqiptarë që mbështesin idetë e z.Blushi për një grupim të ri politik. Pyetjes nëse maxhoranca do të fitojë një mandat të dytë, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, Bello mbështet idenë se: “Qeveria nuk ka frenuar dot krimin”.
Me publikimin e formularëve të vetëdekriminalizimit, disa kryetarë bashkish të majta, në formularët e tyre rezultojnë të gjykuar nga drejtësia. Opozita e ka cilësuar si qeveri e krimit, por ju si do t’i quanit vendimet e z.Rama për t’i vendosur ata si kandidatë, që rezultuan fitimtarë në zgjedhjet lokale?
Kandidimi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato lokale në 2015 i personave me të kaluar kriminale ka qenë pa diskutim një nga gabimet më të mëdha në këto vite të pluralizmit, çka tregon se sa i ulët është niveli i drejtuesve të klasës sonë politike, e cila jo vetëm ka dëshmuar paaftësi, por edhe është inkriminuar frikshëm, duke iu larguar me vite drite interesave të vendit, në favor të interesave të një grushti oligarkësh që përfitojnë në kurriz të shumicës së varfër dhe të ndershme të shqiptarëve. Është i paimagjinueshëm dëmi që i është shkaktuar jo vetëm imazhit të Shqipërisë, por edhe të ardhmes së saj. Vështirë se mund të hasësh gjëkundi në botë politikanë që të kenë sfiduar kaq hapur opinion publik dhe krejt shoqërinë, kulturën dhe moralin e një populli. Nuk mund të hasësh politikanë që të kenë guxuar si në Shqipëri që të nëpërkëmbin vlerat, dinjitetin dhe traditat e popullit të tyre, duke ofruar si model për brezat e rinj pikërisht ata që janë në fakt shëmbëlltyra e vesit dhe e shkeljes së ligjit, e dhunimit të moralit dhe vlerave njerëzore. Individë që kanë thyer hapur ligjet e vendit apo të vendeve të huaja, ata që janë pasuruar nëpërmjet, vjedhjeve, grabitjeve, trafiqeve të drogës apo të qenieve njerëzore, sot po na serviren prej partive politike si kandidatë për deputetë apo kryetarë bashkish të vendit. Dhe si për ironi, disa kryetarë partish guxojnë ende të tallen dhe të bëjnë të habiturin se nuk paskan qenë aq shumë të inkriminuar sesa mendohej dhe flitej, apo se më shumë prej tyre janë në radhët opozitës sesa të maxhorancës, duke harruar se vetëm një pikë vajguri mjafton, që ta prishë të gjithë gjellën që ata kanë gatuar.
Deri në fazën aktuale, çfarë tregoi sipas jush procesi i dekriminalizimit?
Procesi i dekriminalizimit dhe vetë ligji i dekriminalizimit nuk do të kishin qenë fare të nevojshme, në rast se partitë politike shqiptare do të kishin respektuar ligjet e vendit, në rast se ato do të funksionin si organizata politike me demokraci dhe rregulla të qarta dhe të miratuara, në respekt të parimeve demokratike. Gara dhe konkurrenca e ndershme, detyrimi ndaj ligjit dhe opinionit publik, filtrimi dhe shoshitja e kujdesshme e kandidaturave dhe vendimmarrja kolegjiale do të kishin evituar në minimum rrezikun e depërtimit të individëve problematikë. Fatkeqësisht, partitë politikë në Shqipëri janë kthyer në ndërmarrje të një njeriu, të kryetarit, i cili imponohet dhe vendos për çdo gjë dhe për cilindo. Më keq akoma, institucionet e ngarkuara me ligj dhe, në radhë të parë, Komisioni Qendror Zgjedhor, duhet të ishin bërë barrikadë e pakalueshme për individë problematikë që iu imponuan elektoratit në zgjedhje, i cili fatkeqësisht u sugjestionua më tepër nga sigla e partive, duke harruar të verifikonte edhe kandidatët. Tani që e keqja është bërë, janë po përfaqësuesit e partive politike, ata që po përpiqen të riparojnë diçka, përmes ligjit të dekriminalizimit. Të shpresojmë se ligji do të dekurajojë infiltrimin e elementëve problematikë në të ardhmen.
Faza e dytë e procesit të dekriminalizimit është ajo e verifikimit nga Prokuroria dhe Institucionet e tjera. Sa të besueshme dhe të mundshme e shihni që një prokuror shqiptar që të hetojë një politikan?
Sikurse e përmenda në pyetjen paraardhëse, tani duhet shpresuar që ligji të ndihmojë në riparimin e asaj që mund të riparohet, ndërsa organet ligjzbatuese të veprojnë me shpejtësi dhe profesionalizëm për verifikimin dhe nxjerrjen e së vërtetës. Është një fazë delikate dhe e rëndësishme, nga e cila do të varet shumë. Nuk dua të paragjykoj asnjë prokuror, përkundrazi dëshiroj që prokurorët dhe të gjithë ata që ngarkon ligji me verifikimin e të kaluarës së zyrtarëve të dyshuar ta thonë sa më shpejt fjalën e tyre. Mund të ketë pasur edhe akuza thjesht politike dhe ndonjëherë të pasakta apo të ekzagjeruar, prandaj ka shumë rëndësi që secili të marrë atë që i takon. Ai që nuk përmbush kriteret ligjore dhe ka gënjyer të shkarkohet dhe penalizohet, ashtu sikurse ai që është akuzuar me pa të drejtë të rifitojë dinjitetin e nëpërkëmbur. Ndërsa liderët partiake që i kanë kandiduar duhet të mbajnë përgjegjësi përpara forcës së tyre politike, por edhe përgjegjësi morale kundrejt shoqërisë për “mallin e kalbur” që dikur ia servirën asaj si të ishte produkti i duhur. Nga ana e tyre, votuesit shqiptarë duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj kandidatëve që partitë u servirin, duke preferuar njeriun e zotë dhe me integritet ndaj urdhrit apo përkatësisë partiake.
Jeni shprehur se, Partia Socialiste po përpëlitet në fundin e saj, dritë jeshile për socialistët e zhgënjyer është krijimi i një partie që do të vijë nga lëvizja, “Shqipëria mbi Partinë”. Nga PS-ja janë shkëputur LSI, PSV ‘91 e shumë parti të tjera të spektrit të majtë. Një parti e re që del nga PS-ja çfarë do të ndryshonte në skenën politike?
Shqetësimi im lidhet me deformimet e mëdha që ka pësuar Partia Socialiste, e cila është uzurpuar nga një grup rilindësish që po e përdorin atë dhe idealet e saj të majta për interesa të ngushta që bien ndesh me interesat e shumicës së anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. E them këtë, pasi kam konstatuar me trishtim se si një parti moderne dhe e hapur si PS, ku kishte demokraci dhe ku vlonte debati i gjallë e fryma kritike, por edhe solidariteti dhe një vëmendje më e madhe ndaj shqetësimeve dhe problemeve të qytetarëve, sot është kthyer në një parti që ia ka “dorëzuar” sovranitetin e saj vetëm një njeriu, kryetarit të saj, duke i plotësuar atij çdo tekë, përfshirë edhe dëshirën absurde për të mos pasur më zgjedhje, por vetëm emërime. Një parti e tillë, herët a vonë pëson dështim të madh. Në këto kushte, nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera të ngjashëm me ne, por edhe nga gabimet e mëdha në qeverisje, mendoj se shumë shqiptarë ndjehen të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar nga forcat e mëdha politike. Më keq akoma, të përdorur vetëm në kohë fushatash zgjedhore dhe mandej të braktisur dhe injoruar prej atyre që u morën votat dhe ua kthyen shpinën. Në një situatë të tillë, mendoj se ka mundësi të lindë një forcë e re, e cila të mos jetë medoemos një Parti Socialiste nr.2, por një forcë moderne, me të rinj entuziastë, burra e gra që e duan vendin dhe dëshirojnë që ai të qeveriset ndryshe.
Brenda PS-së, më kritiku i saj është z.Blushi. Mendoni se Blushi duhet të krijojë parti të re?
Kjo është një pyetje që duhet t’i drejtohet z.Blushi. Unë mund të them vetëm se ka shumë shqiptarë që mbështesin kritikat dhe idetë që mbron z.Blushi dhe duket se janë të gatshëm të rreshtohen në një lëvizje apo grupim të ri politik. Nëse z.Blushi, apo dikush tjetër do të vendosë të bashkohet me ta dhe t’i drejtojë drejt krijimit të një force tjetër, këtë unë nuk mund ta parashikoj dot. Të paktën në këtë moment.
Në mbledhjen e parë të Kryesisë së PS-së, Edi Rama deklaroi dhe nisjen e vitit elektoral. Si do të vlerësonit qeverisjen e majtë? A mund të fitojnë edhe një mandat tjetër?
Nuk do t’i shpëtoja as unë subjektivizmit, në rast se do të jepja një notë sa më pranë realitetit për këtë qeveri. Veçse një gjë është e sigurt: 3 vjet pasi e majta ka ardhur në pushtet, standardi i jetesës në Shqipëri nuk është rritur, ndërsa numri i familjeve në vështirësi është rritur. Gjithsesi, mendoj se është ende shpejt të them nëse kjo maxhorancë mund të fitojë apo jo një mandat të dytë, aq më tepër që ka më shumë se një vit tjetër në dispozicion për të realizuar reformat dhe premtimet që u bëri shqiptarëve në 2013, kur u votua nga 1 milion vetë. Në këto 3 vite, janë ndërmarrë disa masa që kanë synuar frenimin e paligjshmërisë dhe kapërcimin e krizës ekonomike, ashtu sikurse janë miratuar në Parlament disa reforma të rëndësishme sikurse ajo arsimore, e pensioneve apo reforma territoriale. Ndërkohë, qeveria nuk ka frenuar dot krimin, trafiqet e paligjshme sikurse ato të lëndëve narkotike dhe ka rritur më tej borxhin publik, i cili kërcënon stabilitetin makro-ekonomik. Në disa raste, masat kanë dhënë efekte të kundërta, sidomos sa i përket sistemit të taksave dhe tatimeve, duke e rrudhur biznesin dhe ngadalësuar rritjen ekonomike. Nuk janë hapur vende pune sa kishte premtuar koalicioni, ndërsa shëndetësia falas ka mbetur një utopi. Por, një faktor në favor të qeverisë mbetet dobësia e opozitës, e cila nuk po ndërton dot një alternativë të besueshme. Më keq akoma, disa propozime të saj duken si premtime populiste që zor se gënjejnë më njeri. Nëse reforma në drejtësi kalon brenda verës, sikurse kërkojnë partnerët ndërkombëtare, do të shënohej si një tjetër avantazh i kësaj maxhorance.