Marrëveshja me PD, Mediu: U vlerësuan dy qëndrimet e PR-së, pesha jonë përcaktohet nga…
Partia Republikane arriti marrëveshjen me Partinë Demokratike për koalicionin e zgjedhjeve të 25 prillit. Këtë të premte, kreu i PR-së Fatmir Mediu gjatë një takimi me kryesinë zbuloi disa detaje të kësaj marrëveshje. Sipas tij, pesha e Partisë Republikane në koalicion përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve në 2013. Nga ana tjetër, ai tha se me PD janë të hapur të diskutojmë se cilët janë kandidatët më efektivë për të arritur në nivelin më të lartë të votave.
”Në këtë marrëveshje janë vlerësuar dhe konsideruar dy qëndrime të Partisë Republikane, të cilat kanë qenë dhe kriteret që ne të gjithë së bashku i kemi diskutuar si kriteret më të drejta në ndërtimin e një koalicioni, që është kriteri i vlerësimit të peshës elektorale të partive politike. Pra proporcionalitetit në qarqe dhe nivel kombëtar të peshës elektorale të partive politike, në mënyrë që në procesin e ardhshëm elektoral të mos kemi vetëm një forcë politike që mund t`i bashkangjiten forca të tjera, por të kemi një aleancë qytetare, një aleancë politike dhe një vend për gjithësecilin aktivist, kandidat të partive politike, për të arritur maksimumin e votave dhe maksimumin e mandateve në këtë proces.
Ne diskutuam në parim me Partinë Demokratike dhe disa cështje që janë të interesit të përbashkët ose që vlerësojnë në mënyrë të përbashkët finalizimin e vendimit përfundimtar për ndarjen e kandidatëve sipas zonave zgjedhore. Kemi qenë dhe jemi dakord që ne si Parti Republikane dhe Parti Demokratike, duke qenë të hapur me njëri-tjetrin, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve 2009-2013 apo edhe më vetë 2013, të përcaktojmë peshën e Partisë Republikane në cdo qark, dhe në bazë të kësaj peshe, të përcaktohet dhe pozicioni i Partisë Republikane.
Brenda kësaj jemi po ashtu të hapur me njëri-tjetrin të diskutojmë se cilët janë kandidatët më efektivë në dy partitë tona, për të arritur në nivelin më të lartë të votave, dhe mundësinë për të shtuar mandatet , sepse qëllimi i Partisë Republikane është fitorja e shqiptarëve në datën 25 prill dhe fitorja e këtij koalicioni opozitar”, tha Mediu.
Mediu tha se PR i ka qëndruar korrekt marrëdhënies me Partinë Demokratike. ”Mendoj që ne si Parti Republikane përsëri i kemi qëndruar më shumë se korrekt marrëdhënies me Partinë Demokratike dhe angazhimit tonë politik dhe elektoral, jo thjesht për të akomoduar individë të caktuar, por për të akomoduar interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për të ndërtuar një koalicion funksional, i cili i shërben një marrëdhënieje të drejtë gjatë procesit zgjedhor por edhe mbas procesit zgjedhor, në një qeverisje në shërbim të interesave të shqiptarëve”, u shpreh Mediu.