Marrëveshja për parandalimin e korrupsionit me tenderët: Hetime të thelluara dhe masa për shkelësit

Parandalimi i korrupsionit në procedurat tenderuese është në fokus të një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar mes Agjencisë së Prokurimit Publik dhe ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e ndërsjellë jo vetëm në kuadër të luftës kundër korrupsionit përmes parandalimit të veprimeve korruptive, por edhe në drejtim të mirëpërdorimit të fondeve publike.

Sipas dokumentit të nënshkruar Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit do të njoftojë APP-në për rastet e hetimeve të zhvilluar, kur në përfundim të tyre konstatohet se procedurat e prokurimit të zhvilluara apo kontratat e lidhura nga autoritetet kontraktore janë në shkelje të rregullave të prokurimit publik.

Ndërkohë që, në bazë të gjetjeve të raporteve hetimore, APP do të ndërmarrë masa administrative ndaj nëpunësit përgjegjës të institucionit përkatës apo ndaj operatorëve ekonomikë që konstatohen në shkelje.

Po ashtu, kur evidenton raste të veprimeve të paligjshme jashtë kompetencave të saj, APP do të referojë rastet pranë Koordinatorit kundër Korrupsionit.

Sipas Memorandumit të Bashkëpunimit, 2 palët do të bashkëpunojnë edhe në analizën dhe vlerësimin e riskut për korrupsion në fushën e prokurimit publik, si dhe do të organizojnë aktivitete të përbashkëta me qëllim forcimin e zbatueshmërisë së ligjit, garantimin e interesave pasurorë të shtetit dhe të drejtave të çdo subjekti pjesëmarrës në një procedurë prokurimi.

Scan TV

SHKARKO APP