Marrëveshja për reformën, Gjekmarkaj: Fitore e vogël e opozitës, ia dolën ta deligjitimonin parlamentin e Ramës

Analisti Agron Gjekmarkaj e sheh marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore një fitore të vogël të opozitës. Gjekmarkaj tha në “Real Story” në News24 se 2019 ka qenë një vit i vështirë dhe se rruga radikale që ndoqi opozita dështoi jo për shkak të mos bërjes së hesapeve mirë me ndërkombëtarët. Por sipas tij, Basha dhe opozita ia dolën të deligjitimojnë parlamentin duke e kthyer në noter të asaj që do të diskutohet.

“Kjo është një fitore e vogël, nuk është një fitore e madhe e opozitës. Ka qenë një vit i vështirë me pankartat ‘Rama ik’. Rruga radikale dështoi jo se i mungoi fuqia e opozitës, madje atë fuqi e ka dhe PS po të jetë në opozitë për ta rrëzuar qeverinë por opozita nuk i bëri mirë hesapet me ndërkombëtarët, nuk i doli llogaria. I ka ndodhur dhe në kohën e çadrës i ndodhi dhe tani. Kësaj here ndryshe, kauza për të cilën opozita doli në shesh ka qenë një kauzë që mbushte, inspironte. Ka qenë një kauzë që ia vlen të bëhej një betejë, për çështjen e votës në Shqipëri. Ato që pamë ne që u publikuar për dosjet e Shijakut e Dibrës ishin vërtetë tronditëse dhe tregojnë thelbin e mënyrës se si menaxhohet vota në Shqipëri.

Opozita kishte dy zgjedhje të rrinte si fasadë në mbretërinë e unit, që e kishte me atë aty dhe e ka tani pa atë aty, që është Edi Rama. Zgjodhi të sakrifikohej, një sakrificë me çmim të lartë, nuk hyri as në zgjedhjet lokale, një sakrificë edhe më e lartë dhe për ta arritur këtë duket se është sakrificë shumë e madhe dhe e zhbalancuar por megjithatë Lulzim Basha dhe opozita ia dolën ta deligjitimonin parlamentin e Edi Ramës, institucionet e tij dhe ta kthejnë atë tek tavolina e tyre. Praktikisht duke e shndërruar parlamentin në noter të asaj që do të diskutohet në kuartet, në tavolinën e opozitës. Madje opozitën e re, një zonjë që u shfaq, zonja Rudina Hajdari doli më tepër si sekretare e Gjiknurit se sa një përfaqësuese sepse gjithë kohën u mor me ish-partinë e saj.

Opozita duhet të ishte pak ndoshta më kërkuese ndaj Damian Gjiknurit për të cilin ka pasur refleksione të mëdha. Sepse ishte ai një farë mecenati për çunat e Dibrës. Ai rehabilitoi vetveten, ishte mjaft i qeshur Damiani dje në tryezë. Nuk duhet të ishte aty. Me gjasë kanë kalkuluar që po të kërkohej që të mos jetë Damiani do shtyjë dhe një apo dy muaj kjo punë. Kanë parë anën praktike duke ceduar pak nga ana etike e raportit me historinë që kemi konsumuar gjatë kësaj kohe. Por gjithsesi jam i bindur që opozita një fitore të vogël e ka korrur.

Kauza për të cilën ka luftuar ka qenë e drejtë gjatë një viti pavarësisht nga kostot që opozita ka paguar. Nuk ka pranuar të jetë fasadë e ka dalë në rrugë. Nuk ka punuar mirë me ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët e respektojnë dekorin demokratik. E kishin të vështirë të kuptonin veprimet e opozitës. Por ne shqiptarët i kemi kuptuar arsyet pse ka ndodhur. Unë e kam mbështetur opozitën në këto veprime radikale. Ne kemi nevojë 1 herë në 30 vjet që ta shohim tamam krizën në sy dhe të marrim përgjegjësitë si shoqëri dhe si komb për ta zgjidhur. Nëse nuk do ta zgjidhim dhe kësaj here i bie që do të jetojmë edhe 30 vjet të tjera me këtë krizë”, deklaroi Gjekmarkaj.

SHKARKO APP