Mbaron epoka e Trump si President, thyen traditën: Do të kthehem, më kujtoni për punët e mira (FOTO/VIDEO)

Për herë të parë në historinë e SHBA-ve një president paraardhës nuk do të marrë pjesë në kalimin e pushtetit presidentit të zgjedhur. Donald Trump la Shtëpinë e Bardhë në krah të bashkëshortes së tij, Melania Trump, e cila po ashtu prishi traditën e Shtëpisë së Bardhë duke mos ftuar pasardhësen e saj, konktretisht Jill Biden për një vizitë. Ndërkohë nënkryetari i tij, Mike Pence, do të kapërcejë ceremoninë e lamtumirës së Trump dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e Biden dhe Harris. Sot pritet të mbahet ceremonia e inagurimit të presidentit të 46 të SHBA-ve, Joe Biden.

Në fjalimin e tij të fundit si president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u kujtoi njerëzve atë që ai dhe administrata e tij arritën në këtë mandat 4-vjeçar. ”Ishin 4 vite të mrekullueshme, kemi bërë aq shumë gjëra bashkë. Dua të falënderoj familjen, miqtë dhe të gjithë të tjerët. Njerëzit nuk e dinë sesa shumë ka punuar kjo familje. Mund të kishte pasur një jetë shumë më të lehtë. Ishte diçka shumë e veçantë”, tha presidenti.

Nga ana tjetër tha se ”Nuk ishim një administratë e zakonshme. Rregulluam ushtrinë dhe veteranët. Ulëm taksat. Shpresoj të mos i rrisin taksat, por nëse e bëjnë, ju pata thënë. Prandaj patëm edhe shifra kaq të mira në punësim. Po të mos ishim goditur nga pandemia do të kishim pasur shifra të jashtëzakonshme. Deri në shkurt (2020) kishim shifrat më të mira ndonjëherë”.

Për më tepër shtoi se ”Vaksina ishte një mrekulli e mjekësisë. E bëmë për 9 muaj, në vend që për 9 vite. Muajt e ardhshëm do të shihni shifra të jashtëzakonshme në ekonomi. Kemi punuar shumë. Kemi lënë gjithçka në fushë. Ka ende shumë gjëra për të bërë. Gjëja e parë është të kujtojmë viktimat e virusit kinez. Jeni të mrekullueshëm. Ky është një vend madhështor. Ishte nderi dhe privilegji im më i madh që të isha presidenti juaj. Do të luftoj gjithmonë për ju, do të shoh, do të dëgjoj dhe ju them që e ardhmja e këtij vendi do të jetë e shkëlqyer. I uroj kësaj administrate sukses dhe mendoj se do t’ia dalin. Kanë një bazë spektakolare nga t’ia nisin. Në një lloj forme, do të kthehem. Shihemi së shpejti”,-tha në fund të fjalimit si President i SHBA-ve.

SHKARKO APP