Mbetjet toksike, Jorida Tabaku: Njollë për Shqipërinë, duhet një hetim i plotë administrativ
Një aferë ndërkombëtare dhe njollë për Shqipërinë e quan deputetja demokrate Jorida Tabaku, çështjen e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit. Për të përgjegjësia është e të gjitha instancave shtetërore pjesëmarrëse në këtë procedurë, nga Ministria e Mjedisit te drejtoria e Doganave.
”Kompania prodhon mbetje të tilla, por procesi teknologjik për t’i eliminuar ato ka kosto të lartë dhe kompania zgjedh ta bëjë këtë në rrugë ilegale, duke përdorur portin për t’i nxjerrë nga Shqipëria, korrupsionin me zyrtarë, por edhe qoftë duke falsifikuar dokumente. Unë këtë nuk e di. Por e sigurt është që mbetjet kanë lëvizur ne territorin shqiptar, qoftë me një leje mjedisore dhe duke mos pasur kontrollin se çfarë mbetjesh janë këto, është Ministria e Mjedisit përgjegjëse. Kanë shkuar në Portin e Durrësit, dhe këtu është drejtori i portit përgjegjës, janë skanuar dhe këtu është drejtoria e doganave përgjegjëse”, tha në ”A2cnn”.
Ajo i quan arrogante dhe të papranueshme deklaratat e qeverisë për këtë aferë dhe thekson se vijon e njëjta skemë sikurse me afera të tjera korruptive apo inceneratorët. Për këtë ajo kërkon një hetim të plotë në të gjitha hallkat, pasi bëhet fjalë për transport mbetjesh toksike periodike jo vetëm për Shqipërinë.
“Nuk e pranoj dot që shteti shqiptar të thotë që nuk ka përgjegjësi. Por çfarë do të thotë kjo që kompanitë private mund të bëjnë ç’të duan që kontrollojnë shtetin shqiptar? Të gjitha instancat të përfshira për një aferë korruptive për transportin e mbetjeve jo vetëm me një burim me shumë burime. Kur kjo ka ndodhur me mbetjet, çfarë ka ndodhur me drogën e emigrantët ilegalë? Deklarata e qeverisë është jo vetëm arrogante. Neglizhenca është që t’i japim falje e amnisti që është e tepërt në këtë rast. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një herë, bëhet fjalë për një transport mbetjesh toksike periodike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Kosovën dhe nuk ka asnjë justifikim për të thënë që jam nga Kosova. Drejtësia duhet të hetojë se kush nga këto hallka ka mbyllur sytë? Kush ka hetuar? Kush është korruptuar?”,-tha më tej deputetja e PD-së.
Tabaku bën me dije edhe se u ka nisur shkresa të gjitha institucioneve për procedurat që janë ndjekur për këtë aferë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Deputetja demokrate theksoi se e ka ngritur alarmin që kjo do të ndodhte që me ndërtimin e inceneratorëve që sipas saj kanë kapacitete për të gjithë rajonin.