Mbledhja e grupit të PS, Peleshi: Vetingu nuk ka antikushtetueshmëri
Partia Socialiste mblodhi sot për herë të parë pas pushimeve grupin parlamentar, vetëm pak orë para seancës parlamentare të jashtëzakonshme ku pritet të miratohet ligji i “Vettingut”.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama i cili ka folur për rëndësinë e ligjit që do të votohet sot në seancën e jashtëzakonshme në orën 17:00.
Në një prononcim për mediat zv.kryeministri Niko Peleshi, tha se mazhoranca ka qëndrim në unison sa i përket vendimit për votimin, dhe se pret edhe konsensusin e opozitës në orët në vijim, pretendimet e së cilës socialisti i quajti të pabaza.
“Kemi qëndrim të qartë për seancën e sotme, shpresojmë të bashkohet edhe opozita që të miratojmë ligjin e vetingut. Mazhoranca është në unison, shpresojmë ky unison të kapë edhe opozitën.
Siç e dini ka pasur kontestime, vërejtje nga opozita, për ne nuk qëndrojnë. Kemi miratuar një ndryshim kushtetues që parashikon në mënyrë të pazakontë cdo detaj.
Opozita pretendon se është antikushtetues, është e pabazuar por shpresoj që deri në orët e fundit të ditës t’i bashkohet konsensusit”, tha Peleshi.
KOHA JONË SONDAZH

