Këshilli i Ministrave të BE: Drejtësia, kushti kryesor për negociatat

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës ku është diskutuar edhe rekomandimi për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Në përfundim të takimit, Ministri i Jashtëm Sllovak, Miroslav Lajçak, vendi i të cilit mban dhe presidencën e Bashkimit Europian tha se kushti kryesor për Shqipërinë është reforma në drejtësi.

I pyetur nëse do të ketë një datë për çeljen e negociatave më Shqipërinë gjatë vitit 2017, Lajçak tha se Këshilli dhe Komisioni do të ndjekin nga afër reformat në Shqipëri dhe më pas do të vendosin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fillim të takimit, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johanes Hahn, i pyetur nga gazetarët për faktin se Komisioni ka një kusht kyç, ndërsa vendet anëtare kanë më shumë se 5 dha këtë përgjigje:  “Si gjithmonë ne do të gjejmë një zgjidhje në interes të qytetarëve shqiptarë”, tha Hahn.

Swiss Digital Mobile Reklama

Harlem Desir, ministër i Jashtëm francez: Ajo që mbetet të bëhet tani është zbatimi i reformës dhe veçanërisht ligji i Vetingut. Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian do të jetë i gatshëm të marrë vendim kur kjo reformë të zbatohet dhe kur të vazhdojnë të regjistrohen progres në 5 prioritete kyçe. tani topi është në fushën e Shqipërisë për zbatimin e reformave.

Miroslav Lajçak, ministër i Jashtëm sllovak: Në rastin e Shqipërisë, ne kemi këto 5 prioritete që ne do t’i ndjekim me vëmendje të veçantë. Do të kemi një periudhë prej 18 muajsh deri sa Komisioni Europian të publikojë progres-raportin mbi Shqipërinë.

Didier Reynders, ministri i Jashtëm belg: Vendi duhet të përmbushë tërësinë e kushteve që janë mbi tryezë para se te hapen negociatat e anëtarësimit. Më pas ne do të ekzaminojmë mbi bazën e raporteve të Komisionin Europian se cilat janë mundësitë për të avancuar me Shqipërinë.

Michael Rott , ministër gjerman për çështjet evropiane: Është e rëndësishme që Serbia dhe Shqipëria të kuptojnë, se kanë mbështetjen tonë për avancimin e mëtejshëm në integrimin europian dhe janë bërë reforma të rëndësishme nga këto vende.

Ioanis Kasoulidis, ministër i jashtëm i Qipros: “Ne e mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ne shpresojmë që procesi të progresojë sipas vendimeve të Bashkimit Evropian”.

Pika e zgjerimit ka qenë e para që është diskutuar në tryezën e ministrave të jashtëm. Për Shqipërinë nuk pritet që të ketë ndryshime krahasuar me draftin e aprovuar nga ambasadorët e përfaqësive të përhershme të BE-së. Mbledhja e ministrave të Jashtëm pasohet me mbledhjen e së premtes të liderëve të Bashkimit Europian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?