Mbledhja e parë e grupit të dialogut PS-PD, çfarë u diskutua
Grupi i dialogut mes PS dhe PD, i ngritur për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend, zhvilloi këtë të enjte në komisionin e ligjeve, mbledhjen e parë.
Nga opozita ishin pjesëmarrës Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi (PD) dhe Erisa Xhixho (PL). Nga mazhoranca përfaqësuesit janë Damian Gjiknuri, Toni Gogu dhe Vasilika Hysi. Një karrige i është lënë grupit të Lulzim Bashës, që mesa duket ka vendosur të mos jetë pjesë e kësaj strukture.
Pas mbledhjes, Oerd Bylykbashi dha detaje lidhur me atë ç’ka u diskutua në mbledhjen e parë të grupit të punës, gjatë një prononcimi për gazetarët. Ai tha se u ra dakord mes palëve për “listimin e çështjeve prezente në Kuvend për tu zgjidhur”.
I pyetur nëse ka ende kohë për një reformë të re zgjedhore, deputeti demokrat u përgjigj se “reforma zgjedhore ka qenë gjithmonë çështje e vullnetit politik”.
Për amnistinë penale, u shpreh se opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë. “Duhet të shohim zgjidhjet konkrete që të arrijë objektivat”, shtoi Bylykbashi.