Mbrojti të drejtat e njeriut në Strasburg, PS shpall “armike të popullit” Avokaten e Popullit
Dy ditë më parë Gjykata e Strasburgut rrëzoi qeverinë “Rama” për çështjen e pallatit të shkatërruar në Vlorë. Strasburgu vendosi në mënyrë unanime që qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut dhe për këtë arsye Gjykata e Strasburgut urdhëron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar nga prishja e pallatit. E për këtë arsye, përmes xhepave të qytetarëve shqiptarë, Qeveria do të paguajë 13 milion euro për vendimin e shkatërrimit të një pallati banimi të pajisur me leje të rregullt. Vendimi hap një precedent për çdo qytetar prona e të cilit shkatërrohet në mënyrë të paligjshme nga qeveria. Por nga ana tjetër, një vendim i tillë bie në kurriz në qytetarëve të cilët në fund të fundit janë ata që përmes taksave do paguajnë për tekat e pushtetit, e sidomos kur bëhet fjalë për një pallat ku aksioner ishte dhe vjehrri i Lulzim Bashës.
Kompleksi “Jon” në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë është rrafshuar përfundimisht pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013. Shembja e pallatit me pronar vjehrrin e Lulzim Bashës shkaktoi shumë debate, ndërsa çështja u dërgua në Strasburg. Në seancën gjyqësore të 27 majit 2017, Shteti, ose qeveria që në këtë rast janë pala e paditur përfaqësoheshin nga Avokatja e Shtetit, Alma Hiçka, ndërkohë që pala paditëse përfaqësohej nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.
Akuzat e Ballës
Dhe pikërisht se mbrojti të drejtat e njeriut dhe të pronës të banorëve të dëmtuar nga vendimi i qeverisë në Strasburg, Ballanca është shpallur sot “Armike e Popullit” nga numri 2 i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Përmes një komenti të gjatë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, njëherësh dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, jep arsyen se pse Erinda Ballanca nuk mori pjesë në seancën plenare të 22 majit, ku ajo do të bënte betimin si Avokate e Popullit në Kuvend. Por ajo nuk mori pjesë pasi siç thotë Balla, ajo kishte udhëtuar në Strasburg, për të mbrojtur interesat e vjehrrit të Lulzim Bashës që ishte dhe pronari i pallatit të shembur në mënyrë demonstrative që në ditët e para të qeverisjes së vendit nga Edi Rama.
Komenti i plotë i
Më 22 Maj 2017 shumë shqiptarë ishin me sy e veshë tek Kuvendi i Shqipërisë, teksa votoheshin pikat e Marrëveshjes që nxori Partinë Demokratike nga çadra dhe e futi në Zgjedhje. Si një ndër dëshmitarët e asaj seance plenare, ndër të tjera më 22 Maj votuam edhe për Avokatin e Popullit zonjën Erinda Ballanca, e cila pas votimit duhej të bënte edhe betimin për detyrën e rëndësishme si avokate e interesave të popullit shqiptar.
Zgjedhja e zonjës Ballanca si Avokate e Popullit ishte një ndër kushtet e Lulzim Bashës për të dalë nga çadra dhe për të hyrë në zgjedhje.Ne u detyruam t’ia pranonim Lulzim Bashës edhe këtë kusht. Por zonja Avokate e Popullit e propozuar nga Lulzim Basha, për habinë tonë, edhe pse u votua nuk e bëri betimin atë natë, sikurse e përcaktonte procedura. E bëri pas dy muajve.
Vetëm sot e kuptova se arsyeja pse zonja Ballanca nuk e bëri betimin, lidhet me faktin se ajo ishte nisur për në Strasburg për të përfaqësuar si trupë mbrojtëse vjehrrin e Lulzim Bashës (dhe veten) kundër Shqipërisë, në ditën pasardhëse.
Pra, më 23 Maj 2017 në Strasburg, në Gjykatë (GJEDNJ), gjendeshin përballë Avokatja e Shtetit në mbrojtje të Shqipërisë kundër Avokates së Popullit (të zgjedhur) në mbrojtje të interesave të Lulzim Bashës.
Pra, Lulzim Basha praktikisht ka përdorur një institucion shtetëror shqiptar për interesa të vetat, duke e shndërruar atë institucion në një mjet shpërblimi dhe shpërdorimi.
Ironia e madhe, në gjithë këtë turp të Lulzim Bashës, është edhe fakti se demokratët e ndershëm protestues për 3 muaj me radhë në çadër, natën e 18 Majit u njoftuan nga ana e Lulzim Bashës se kishin “fituar” edhe institucionin “e rëndësishëm” të Avokatit të Popullit. Por që Lulzimi nuk e kishte “marrë” për demokratët, e kishte marrë për avokaten e pallatit të vjehrrit.
Për kujtesë, Lulzim Basha mori nga marrëveshja e 18 majit ndër të tjera edhe Ministrinë e Drejtësisë, ministria përgjegjëse për përfaqësimin e Shqipërisë në Gjykatën në fjalë, por edhe Ministrinë e Financave e cila bën pagesat në zbatim të vendimeve në fjalë.
“Qerratai” Lulzim ndoshta ka shpresuar se mos vendimi jepej ato ditë dhe qëndrimi i ministrave të tij deri në mes të shtatorit, në thyerje të marrëveshjes, të bind se halli i Lulit paskan qenë vetëm lekët e pallatit të vjehrrit.
Pyetja që do t’i shtroja sot demokratëve është:
Mirë, o miq demokratë, për 3 muaj në çadër protestuat për të bërë Avokate të Popullit avokaten e pallatit të vjehrrit të Lulit, po më 27 janar për çfarë ju ka kërkuar Luli të dilni në protestë?
Ndërsa ju, o miq demokratë protestues, duhet t’i bëni Lulit pyetjen: Ku i gjeti i vjehrri i Lulit milionat që investoi në atë pallat? Sepse edhe “vetting”-u i parave të vjehrrit do bëhet.
Që pallati u ndërtua mbi det, që shkëmbi në breg u bë truall, e të tjera e të tjera faje penale si këto, kjo është një dosje që nuk është mbyllur, ajo është e hapur.
Sot meraku i Lulit është kur do t’i tërheqë vjehrri lekët e pallatit. Shikojini mirë tabelat e protestuesve më 27 janar pranë jush. Ndonjëri prej tyre mund të ketë marrë nga kunati edhe tabelën: duam lekët e vjehrrit!
E kur bëhet fjalë për një protestë të tillë, një protestë për para, Saliu, LSI-a, Fatmir Mediu&co nuk mund të mungojnë.
Seanca e 27 majit 2017 në Strasburg
Çështja e ashtuquajtur ‘Pallati i Bashës’ i cili u prish në qytetin e Vlorës në 2013, ka përfunduar në Gjykatën e Starsburgut. Shteti, ose qeveria që në këtë rast janë pala e paditur përfaqësoheshin nga Avokatja e Shtetit, Alma Hiçka, ndërkohë që pala paditëse përfaqësohej nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.


Në videon e publikuar (shikoje duke klikuar këtu) nga faqja zyrtare e ‘Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut’, dëgjohet e gjithë seanca gjyqësore ku kuptohet se bëhet fjalë për 6 nene të shkelura dhe siç një nga gjyqtarët thotë, disa fakte janë fshehur. Nga reagimi i deritanishëm i gjyqtarëve pritet që vendimi të jetë në favor të pronarëve të godinës së njohur si “Pallati i Bashës” për shkak se ndërtuesi është vjehrri i kryetarit të opozitës.


Ballanca ka qenë edhe avokate e ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha në gjyqin e hapur ndaj ish-kryeministrit për akuzën e shpifjes nga ana e Aneta Ramës, nëna e kreut aktual të qeverisë Edi Rama. Ballanca ka përfaqësuar në gjykatë edhe kreun aktual të PD Lulzim Basha në kohën që ky i fundit ka qenë ministër i Transporteve.



KOHA JONË SONDAZH

