1 orë protestë dhe 3 policë të lënduar! Berisha ikën në Romë

Me thirrjen “Rroftë Shqipëria”, Sali Berisha e mbylli protestën kombëtare të thirrur para Kryeministrisë. Vetëm një orë zgjati tubimi i opozitës. Tubimi ishte organizuar në një format, ku u dëgjuan fjalimet e tre aleatëve kryesorë, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili iu drejtua protestuesve me një audiomesazh nga qelia numër 5.

Fjalimi i Berishës zgjati 30 minuta dhe u përqendrua te akuzat përkundrejt kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por edhe te thirrja për Diasporën që të votojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.

Pavarësisht se u duk që mungoi nervi i protestave të mëparshme, e po ashtu edhe molotovi, tre efektivë policie mbetën të lënduar, pasi në momentin kur Berisha u ngjit në podium, protestuesit hodhën kapsolla dhe tymuese në drejtim të kordonit të vendosur para Kryeministrisë.

Berisha menjëherë pas tubimit është nisur për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, nga ku në orën 21:00 të mbrëmjes do të fluturojë në drejtim të Italisë. Kryedemokrati do të ndalet në Romë, ku do të ketë nesër takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin italian, në kuadër të turit të Diasporës.

SHKARKO APP