Me alegori dhe parodi në “OKB-në” e Gjergj Lucës në Shëngjin
Në vijim të daljeve të tij publike në rrjetet sociale, në përpjekjen për të na e prezantuar të plotë “Trattoria Meloni”, ai na drejton për në nevojtore, në “OKB”, siç ai ironikisht e quan hodhin, që të çon në tualete, ku ai ka krijuar një kënd për duhan, një tavolinë e rrumbullakët mbi një qilim tradite, të cilin ai e quan “vendin ku merren vendime para se të merret avdes”.
E veçanta e kësaj pjese të restaurantit në Shëngjin është se Luca luan ashpër me alegorinë politike, guxon dhe thotë. Nëse në ambientet e brendshme të “Trattoria Meloni” ai i ka mbushur muret me fotografi të kryeministres, Giorgia Meloni, si mirënjohje për njohjen e kontributeve të shqiptarëve, marrëveshje që ajo ka përmbushur me qeverinë shqiptare, tualetin e ka parodizuar me foto të liderëve botërore të fotografuar gjatë kryerjes së nevojave personale.
Në krah të fotografive të kokave të botës gjatë nevojave fiziologjike, është vendosur jo pa qëllim simboli drapër e çekan i bolshevizmit rus, ndoshta me një mesazh të mënyrës se si dhe ku merren vendime për fatet e kombeve.
Ashtu si edhe me ambientet e tjera, kryesisht në Fish City, ku muralet e Lucës janë një fshikull i ashpër ndaj politikës dhe jo vetëm, edhe te Restoranti në Shëngjin, Luca ka zgjedhur alegorinë, parodinë, ironinë, cinizmin, për të thënë shumë gjëra, ndoshta shumë më shumë ngase ai thotë shpesh edhe me zë të lartë.
Në këtë publikom Luca shprehet: “Nga OKB-ja në Shëngjin dhe anasjelltas. Nuk kemi hapur thjesht një restorant të ri por kemi hapur një ambasadë të re të diplomacisë së shijes, kulinarisë dhe artit. Trattoria Meloni në Shëngjin buzë detit tashmë ju mirëpret. Mos hajdeni vetëm!”.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

