Me datat 6, 7 dhe 8 shtator do të jetë kryeqyteti i paqes në Europë dhe në mbarë Botën.
Ne besojmë te Dialogu dhe Paqja! Tirana në datat 6, 7 dhe 8 shtator do të jetë kryeqyteti i paqes në Europë dhe në mbarë Botën. Në Tiranë do të mbahet “Takimi i 28-të Ndërkombëtar për Paqen”.
Në këto kohëra të ndërlikuara dhe të vështira që po jetojmë, përfaqësues të Kishës së Krishterë dhe udhëheqës të të gjitha besimeve fetare botërore do të mblidhen për të dialoguar dhe për t’u lutur për paqe.Në emër të Qeverisë Shqiptare, ftoj të gjithë qytetarët, politikëbërësit dhe të rinjtë e të gjithë Shqipërisë, besimtarë e jobesimtarë, të marrin pjesë në eventin më të rëndësishëm ndërkombëtar të organizuar në Tiranë.Qeveria e Shqipërisë, MMSR, në bashkëpunim me Komunitetin Sant’Egidio, nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer dhe punës së palodhur së bashku prej 10 muajsh, do të organizojnë eventin më të rëndësishëm për dialogun dhe paqen në botë.Mbështetëm këtë aktivitet me bindjen se në Shqipëri dhe në botë arsyet e konflikteve janë gjithnjë të shumta dhe mund të gjenerohen në çdo moment, por ndërgjegjja qytetare dhe dialogu mund të japin një përgjigje për t’i thënë ‘STOP!’ dhunës.
Qeveria e Shqipërisë, nëpërmjet Komitetit Ndërshtetëror me përfaqësues nga të gjitha ministritë, ka koordinuar dhe bashkërenduar punën për të bërë të mundur që këto ditë të jenë ditët e promovimit të vlerave e qytetërimit të kombit shqiptar.
Ministria e Rendit, Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë dhe rendin, në mënyrë që qyteti i Tiranës të mirëpresë 4000 të ftuar e pjesëmarrës.
Ministria e Turizmit, ajo e Arsimit dhe Ministria e Pushtetit Vendor kanë marrë masa të promovojnë vlerat më të mira të turizmit kulturor e fetar në Shqipëri.
Paraprakisht, falenderoj të gjithë vullnetarët e Komunitetit Sant’Egidio, studentët e të rinjtë, Shërbimin Ndërkombëtar të Rinisë, që kanë dhënë ndihmesën e tyre vullnetarisht, që nëpërmjet realizimit të këtij aktiviteti të përfaqësojnë denjësisht vlerën e pamohueshme të vullnetarizmit shqiptar.
Aktiviteti do të organizohet në 3 ditë dhe në ditën e parë do të jetë Ceremonia e Inaugurimit në Pallatin e Kongreseve, dita e dytë do të karakterizohet nga bashkëbisedimet dhe dialogu në 11 panele të ndryshme, në të gjitha sallat e qytetit të Tiranës, me dëshmi dhe histori të vërteta nga vendet e luftës si Siria, Libia, Iraku etj., që do të përcillen tek auditorët.
Në ditën e tretë të gjithë do të jemi dëshmitarë të marshimit të Paqes në Bulevardin e Tiranës dhe nënshkrimit të Apelit për Paqen nga të gjithë krerët e besimeve fetare.
Ju ftojmë të gjithëve të jeni pjesë e këtyre aktiviteteve dhe organizimeve, të cilat do të kenë jehonën e tyre pozitive në të gjithë botën. Në kohë reale dhe drejtpërdrejt do të ndiqen të gjitha aktivitetet ditën në Eurovizion në 60 vende të botes.
Dhe një herë, në eër të Qeverisë Shqiptare falënderoj paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet!
(Deklarata e Ministrit Blendi Klosi)