Më të varfrit e Europës, Shqipëria sërish me konsumin dhe të ardhurat më të ulëta për frymë në 2019-n

Shqipëria vijon të mbetet vendi më i varfër i Europës, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat për vitin 2019, shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane, më e ulëta në Europë (të dhënat për Kosovën nuk përfshihen).

Në raport me një vit më parë, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar, çka tregon se Shqipëria ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë ekonomike se vendet e zhvilluara, me synim që të kapet mesatarja e të ardhurave të BE-së brenda një periudhe kohe.

Shqipëria është tashmë më e varfër edhe se Bosnjë-Hercegovina, e cila ka mesatare 32% të BE-së në vitin 2019, ndërsa një vit më parë kishte të njëjtin nivel si Shqipëria. Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 38%, Serbia (41%) dhe më e “pasura” në rajon është Mali i Zi, me 50% të mesatares së BE-së.

Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, nga 39% një vit më parë. Për Bosnjën, ky tregues është 42%, për Maqedoninë 43%, për Serbinë 49% dhe sërish më të lartin e ka Mali i Zi, me 60% të mesatares europiane.

 BE, më e varfra është Bullgaria

Në Europë, në 2019, të ardhurat për frymë u luhatën midis 53% të mesatares europiane në Bullgari dhe 261% në Luksemburg. 10 shtete anëtare kishin të ardhura për frymë mbi mesataren e BE-së.

Në treguesin e konsumit individual për frymë (AIC), nëntë Shtete Anëtare regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2019. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 35% mbi mesataren e BE-së. Gjermania ishte rreth 23% më lart, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Belgjika, Holanda, Finlanda, Suedia dhe Franca, të cilat regjistruan të gjitha nivelet midis 5% dhe 20% mbi mesataren e BE-së.

AIC për frymë për dymbëdhjetë shtete anëtare rezulton midis mesatares së BE-së deri në 25% më pak. Në Itali, Irlandë, Qipro, Spanjë dhe Lituani, nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Portugalia, Çekia, Sllovenia dhe Malta ishin midis 10% dhe 20% më pak. Polonia, Rumania dhe Greqia ishin midis 20% dhe 25% nën mesataren e BE.

Gjashtë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë, me mbi 25% nën mesataren e BE-së. Estonia ishte 25% më poshtë, Sllovakia, Letonia, Hungaria dhe Kroacia midis 25% dhe 35% më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte AIC për frymë 41% nën mesataren e BE-së.

Burimi: Monitor

SHKARKO APP