Mediu: Rama eliminoi partnerët nga përfitimi i koalicionit, bashkëpunim PS-PD vetëm për…

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Pakti Rama-Basha shpresoj te suksesi, por përjashtoi aleatët

”Bashkëpunim paszgjedhor mes PS-së dhe PD-së, vetëm për reforma ligjore, institucionale dhe Kushtetuese”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Marrëveshja mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, më shumë se zgjidhje ndaj krizës politike, prodhoi një tjetër “krizë” që prek partitë e vogla, të cilët janë shfaqur disi të zhgënjyer. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, shpreson që marrëveshja të ketë sukses dhe kjo “për të pasur garancitë minimale”. Pakti ka krijuar pakënaqësi tek aleatët e dy palëve, gjë të cilin Mediu e konsideron si “problem me përjashtimin e partive të vogla dhe duket qartë që Rama ka dashur të eliminojë partnerët e tij nga përfitimi i koalicionit dhe qeverisja”. Paketa amerikane, sipas Mediut u pajtuan të gjithë, por me përjashtim të z.Rama. I pyetur se përse pakti u mbyll vetëm me dy diskutantë, Rama-Basha pa praninë e aleatëve. “z.Rama kërkoi që në fillim të takimit një bisedë me Bashën, gjë e cila u pranua nga të gjithë të pranishmit. A që është jo normale është fakti që ata vazhduan negociatat pa kontaktuar me aleatët e tyre”, shprehet Mediu.

Përgjatë tre muajve që zgjati protesta e opozitës, finalizimi i saj u arrit falë organizimit të një tryeze nga Ju dhe z.Duka, një tryezë e cila do të spostohej me vetëm dy diskutantë, z. Rama dhe z.Basha. Si ju duket mbyllja e kësaj marrëveshjeje? Pse nuk u kërkua nga partitë e vogla që të ishin të pranishme në diskutimet finale?

Që në fillim dua të falënderoj z.Meta, z.Vasili dhe z.Idrizi sepse pa mbështetjen e tyre kjo tryezë nuk do ishte organizuar. Kontaktin dhe miratimin e parë për këtë tryezë e kam pasur dhe e kam marrë nga z.Meta, i cili ka kërkuar zgjidhjen e situatës dhe zgjedhje bashkë me opozitën. Ideja ishte ta organizonim së bashku me z.Idrizi por përfundimisht e thirrëm me z.Duka. Qëndrimi i LSI-së dhe PDIU-së, i dhanë vlerë tryezës duke treguar që paketa Amerikane bazuar në propozim e McAllister ishte zgjidhja e vetme. Në tryezë ka pasur debate dhe qëndrime të ndryshme. Të gjithë u pajtuan me propozimin Amerikan me përjashtim të z.Rama. z.Rama kërkoi që në fillim të takimit një bisedë me Bashën, gjë, e cila u pranua nga të gjithë të pranishmit. z.Rama para takimit me z.Basha ka zhvilluar një takim më vete mbas përfundimit të tryezës me z.Vasili dhe me z.Idrizi dhe më tej me z.Basha. Pra ne ramë dakort të gjithë që ata takoheshin më vete dhe ajo që është jo normale është fakti që ata vazhduan negociatat pa kontaktuar me aleatët e tyre. z.Basha i ka qëndruar paketës Amerikane dhe besoj po përpiqet që të ndërtojë një marrëdhënie të drejtë opozitare.

Marrëveshja Rama-Basha, mbikaloi disa nga pikat e paketës McAllister, duke nisur që nga data e zgjedhjeve. Ka pasur një konsultim z.Basha me aleatët apo gjithçka u finalizua nga vetë palët? Ishte një “Pazar” siç është cilësuar këto ditë nga skeptikët?

Besoj që paketa e Amerikane e bazuar në propozimin McAllister është respektuar në mbi 90% të saj. Largimi nga kontrolli politik i disa ministrive dhe enteve shtetërore dhe zëvendësimi i tyre me teknik, është bërë me qëllim që të shmanget angazhimi i paligjshëm i tyre në zgjedhje. Për datën mendoj që është shumë afër megjithatë një marrëveshje konsideron kërkesat e të dy palëve. Nuk është Pazar është një marrëveshje për të pasur garancitë minimale të domosdoshme për zgjedhje të ndershme

Sa sukses besoni se do të ketë ky bashkëpunim në organizimin e zgjedhjeve?

Shpresoj që të ketë sukses për të pasur garancitë minimale, por duke pasur në konsideratë faktin që kriminalizimi i politikës, krimi i organizuar, korrupsioni dhe sidomos trafiku i drogës nuk ishin rastësi por marrëdhënie dhe bashkëpunim në qeverinë Rama. Do isha naiv të besoja se meqenëse Rama firmosi një marrëveshje ata do heqin dorë nga manipulimi i zgjedhjeve.

Përveç zgjidhjes së krizës mes dy forcave të mëdha, marrëveshja Rama-Basha prodhoi një tjetër krizë, atë të ekzistencës apo jo të partive të vogla, jo vetëm për garën e 25 qershorit, por edhe në zgjedhjet që do pasojnë. Si do jetë kandidimi i PR-së në zgjedhje? Do të krijojë PR-ja grupin e saj parlamentar apo keni rënë dakord me z.Basha që kryetarët e partive aleate të jenë në listat e PD?

Padyshim që ka krijuar një problem me përjashtimin e partive të vogla dhe duket qartë që Rama ka dashur të eliminojë partnerët e tij nga përfitimi i koalicionit dhe qeverisja. Përsa i përket opozitës dhe PR-së, mendoj që duhet të analizojmë mundësitë e maksimalizimit të votave dhe po ashtu partitë të vlerësohen nga pesha e tyre elektorale njësoj sikur të ishin në kushtet e koalicionit.

Lidhur me këtë çështje keni diskutuar me z.Basha? z.Duka dhe z.Ndoka, por edhe z.Shehi kanë shprehur rezerva për përfaqësimin e tyre me logon e PD-së në zgjedhje, duke e parë këtë si mundësi shkrirjeje të partive të vogla. Realisht a po tentohet të shkohet drejt sistemit 2-partiak, si në SHBA?

Sistemi dy partiak nuk duhet synuar duke imponuar marrëveshje apo ligje që përjashtojnë parti apo shqiptarët nga përfaqësimi dhe pjesëmarrja në demokraci, por nëpërmjet ndarjes politike të së majtës dhe së djathtës nga ideologjia politike dhe organizmi kushtetues për të garantuar një demokraci përfaqësuese. Është e rëndësishme që në paketë është parashikuar një reformë kushtetuese në kuadër të një Republike të re, e cila duhet të konsiderojë organizmin politik dhe elektoral më të dobishëm.

Duket se marrëveshja e 18 majit parashikon dhe bashkëpunim paszgjedhor mes PS-së dhe PD-së, do ta mbështesnit ju si PR-në këtë?

Bashkëpunimi mbas zgjedhjeve parashikon reforma ligjore dhe institucionale që kanë domosdoshmëri bashkëpunimin pozitë-opozitë dhe reforma Kushtetuese që unë përmenda ka nevojë për këtë marrëdhënie dhe PR-ja e mbështet padyshim.

SHKARKO APP