Mediu: Rama nuk do BE, opozita të dalë në shesh, narko shteti ka vënë…

Flet për “Koha Jonë”, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Krimi nuk luftohet me deklarata, por me aksion qytetar

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kreu i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu deklaron se duhet një aksion opozitat më i fortë kundër qeverisë, duke përfshirë edhe protestat. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mediu shprehet se narko shteti po rrezikon vendin dhe se opozita duhet të kalojë në veprime politike të çdo niveli. “Ka nevojë për një veprim politik të opozitës i cili duhet të jetë rezultat i një vendimi dhe ndarjesh përgjegjësish politike në çdo nivel, parlamentar, strukturave politike dhe aksion qytetar”,- shprehet Mediu. Kreu i PR-së komenton dhe lëvizjet e maxhorancës për emërimin e kryeprokurorit të ri dhe shkarkimin e kreut të KQZ-së.

Z.Mediu publikisht ju drejtuar z.Basha me pyetjen pse nuk është opozita në sheshe? Keni pasur komunikim me kreun e PD-së, e keni marrë përgjigjen?

Nuk i kam bërë asnjë pyetje të tillë z Basha. Ajo që kam thënë është se shqetësimet, ndjesitë dhe koshienca politike e opozitës së djathtë duhet të kthehen në ndjesi dhe shqetësime të qytetarëve. Për këtë çdo mënyrë komunikimi, shtëpi më shtëpi, nëpër fshatara apo qytete është i domosdoshëm. Me protesta, takime apo deklarime të gjitha janë të nevojshme.

Ka arsye të forta opozita për ti thirrur shqiptarët në protesta, pasi në protestat e fundit të PD-së me aleatët e saj, nuk solli rezultat pozitiv në zgjedhje. Keni një strategjike për një qeverisje më të mirë?

Nuk mendoj se humbja e zgjedhjeve erdhi për shkak të protestave. Protestat janë shpirti i veprimit dhe reagimit të një shoqërie apo lëvizje politike. Ato nuk përfaqësojnë vetëm mospranimin dhe revoltën por padyshim tregojnë forcën reaguese të shoqërisë dhe politikës karshi së keqes. Politika pa qytetarët do ta shëndrronte opozitën thjesht në një strukturë elitare të pamundur për të ndryshuar këtë realitet brutal, kriminal të papranueshëm. Me krimin duhet të përballet e gjithë shoqëria, duke kuptuar se nuk është më çështje pushteti politik, por mbi të gjitha ka kosto në sigurinë jetësore, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike si dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

PD flet për një front të gjerë opozitar dhe për aksione. Si do të veprohet në këtë drejtim, ka një strategjike konkrete? Jeni kundër qëndrimit të opozitës që po punon vetëm me deklarata për shtyp?

Ka nevojë për një veprim politik të opozitës i cili duhet të jetë rezultat i një vendimi dhe ndarjesh përgjegjësish politike në çdo nivel, parlamentar, strukturave politike dhe aksion qytetar.

Dosja ”Habilaj-Tahiri” shtohet me fakte të reja që implikojnë zyrtarë të policisë. A është e mjaftueshme opozita me deklaratat për shtyp lidhur me këtë çështje? Mendoni se mund të ketë zhvillime që do të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme? Si e keni parë menazhimin që qeveria po i bën dosjes “Tahiri”?

Lidhja e trafikut të drogës me qeverinë për interesa kriminale dhe politike janë denoncuar nga opozita që përpara zgjedhjeve dhe u provuan ndërkombëtarisht në zgjedhje nga raporti i OSBE/ODHIR. Po ashtu nga antimafia italiane dhe shërbimet partnere. Një nga arsyet e marrëveshjes parazgjedhore ishte vlerësimi i kërkesës së z.Hoytt Yee nga SHBA, për nevojën e bashkëpunimit të partnerëve ndërkombëtarë me opozitën, në luftën kundër trafiqeve, drogës dhe korrupsionit, i cili është tashmë një shqetësim ndërkombëtar. Të gjithë e kuptojmë përse u bë kanabizimi i Shqipërisë.

E para: Ndërtimin dhe fuqizimin e një strukturë kriminale në shërbim të pushtetit, manipulimit dhe blerjes së zgjedhjeve, siç u provua nga OSBE/ODHIR në raportin paraprak citoj: ”qytetarët humbën besimin në zgjedhje për shkak të fenomenit të përhapur të blerjes së votës dhe intimidimit të votuesve”.

Së dyti: Kriminalizimi i shoqërisë, e cila në pamundësi për të garantuar ekonominë familjare, kishte vetëm alternativën e bashkëpunimit me trafikantët, për të garantuar nevojat jetike.

E treta: Ata që nuk mund ta pranonin këtë situatë, duhet të heshtnin ose të largoheshin në emigracion. Mbi 200 mijë persona u larguan nga Shqipëria. Kjo kërkon një veprim në çdo skaj të Shqipërisë. Deklaratat janë të nevojshme për të sqaruar opinionin. Veprimi bashkë me qytetarët kundër krimit është rruga e vetme për të ndryshuar këtë realitet. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe garantimin e tyre nga një qeveri Antimafia. Habilaj, Tahiri apo çdo ngjarje e re dhe e vjetër kriminale nuk janë zhvillime spontane, por një politikë dhe bashkëpunim i qëllimshëm i kësaj qeverie për pushtet politik dhe ekonomik. Kjo nuk është thjesht një ngjarje e Habilajve apo Tahirit por e një Narko shteti që po e çon vendin në një rrugë pa krye.

Mandati i kryeprokurorit Llalla dhe lëvizja e kreut të SHISH-it, Visho Ajazi, kanë qenë dhe janë këto lëvizje të ndikuara nga PS-ja?

PS-ja ka shkatërruar çdo aspekt të respektimit  të kushtetutës dhe ligjit. Sulmuan qëllimisht gjyqësorin për ta vendosur nën këmbë të qeverisë duke shfrytëzuar pakënaqësinë e qytetarëve karshi Gjykatave, korrupsionin e gjyqësorit, kërkojnë ta zëvendësojnë me kontrollin dhe korrupsionin politik. Po ashtu qëllimisht e kanë kthyer parlamentin në një institucion fjalësh pa vlerë dhe funksion kushtetues, por në një institucion i shpërfillur nga papërgjeshmëria e mazhorancës, qeverisë dhe Ramës. Ramës i intereson një parlament pa vlerë me një debat politik dhe batuta banale adoleshente, me qëllim që qytetarët ti rrinë larg politikës dhe për pasojë në vend të ketë një njeri që komandon dhe kontrollon gjithçka, një njeri me pushtet absolut Edi Rama. Ky pushtet absolut ka vetëm një produkt korrupsion absolut, krim absolut, shkatërrim dhe varfëri. Opozita nuk duhet të lejojë që Prokuroria të jetë produkt dhe peng i qeverisë. Ky do ishte akti më i papërgjegjshëm i qeverisë, për të ndaluar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Çdo artific juridike s’ka as moral as kushtetutshmëri.  Opozita s’duhet ta lejojë, ajo duhet të flas fort dhe me vendosmëri të vërtetat në Bruksel, Washington, Berlin dhe Vjenë. Duhet të flas fort tej Tiranës dhe bashkë me qytetarët duhet të bëhet pengesë e rrëmbimit të shtetit nga krimi.

Më 30 nëntor PS-ja do të kërkojë shkarkimin e kreut të KQZ-së, si do të veprojë opozita?

Kjo është një lëvizje tjetër antikushtetuese dhe e papërgjegjshme e qeverisë. Kryetarin e KQZ-së mund ta shkarkojë vetëm KQZ-ja me 5 anëtarë. Parlamenti nuk ka asnjë tager ligjor apo kushtetues të veprojë pa vendimin e KQZ-së. Pretendimi për Zgurin është absurd, KQZ-ja si në kohën e znj. Luzi dhe në kohën kur Denar Biba ka qenë kryetar është shprehur me shkrim se mandati i kryetarit të bashkisë Mallakastër, nuk bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit. Pretendimi i PS-së se ne e biem në parlament meqënëse nuk e voton kundër KQZ-ja, është qesharak. KQZ-ja është në të njëjtin pozicion të ngjashëm si Gjykata Kushtetuese. Kryetari i KQZ-së nuk është rezultat i propozimit të ndonjë partie, por konkurrimit personal dhe miratimit në parlament. Nëse ndodh kjo atëherë PS-ja do që të shkatërrojë procesin e reformës zgjedhore.

Pak ditë më parë, Kryeministri Rama ju drejtua vende të BE-së për të ndihmuar Shqipërinë për luftën ndaj drogës dhe krimin por qeveria ka shprehur ekzaktësisht e ka fituar luftën me kanabisin, si e shihni këtë lëvizje të Kryeministrit? E ka kjo qeveri mbështetjen ndërkombëtare?

Kjo është hipokrizi dhe përpëlitje foshnjarake. Rama kundërshton veten e vet. Situata e krimit dhe trafiqet në Shqipëri janë në këtë gjendje për shkak të vetë qeverisë dhe mbështetjes së për 4 vite të qeverisë Rama. Partnerët tanë tashmë e dinë që kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe korrupsionin, këtë e ka deklaruar Europol, Departamenti i Shtetit Amerikan, e ka provuar Italia dhe vende partnere. E kanë denoncuar mediat më serioze dhe të fuqishme botërore.

Si e keni parë ngjarjen në Britani, aty ku 4 ushtarakë dezertuan stërvitjen? Përse kërkohet gjithnjë e më tepër të lihet ushtria, çfarë nuk funksionin në këtë rast?

Është një ngjarje e rëndë. Pyetja është pse ndihen të pamotivuar ushtarakët e një vendi anëtarë të NATO-s? Paga dhe mungesa e perspektivës në karrierën ushtarake si një Forcë e Armatosur profesioniste duket qartë që nuk është në standardin e duhur. Kjo situatë tejkalon përgjegjësinë e strukturave të mbrojtjes është përgjegjësi e qeverisë dhe politikës. FA-të nuk janë ndërmarrje komunale për të pastruar plehrat, kjo e shkatërron rolin dhe vlerën e FA-së, ato duhet të jenë trup ushtarake që ka në themel detyrën dhe nderin. Vlerësimi dhe respektimi i FA-së është një detyrim i politikës dhe qeverisë. Çdo ushtar profesionist apo oficer që hyn në forcat e armatosura duhet ti shoh ata si një organizim i nivelit më të lartë ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre, një organizim ku dinjiteti dhe uniforma e tyre respektohet nga çdo ministër, kryeministër, deputet dhe qytetar.

Ambasadori Lu foli me afate, ku shprehu bindjen se në fillim të 2018, nisin arrestimet e “peshqve të mëdhenj”. Si e shihni këtë rrugë? Po nëse ka “peshq të mëdhenj” në PD, është e gatshme selia blu të lërë rrugën e lirë të hetimeve dhe arrestimeve?

Ambasadori Lu dhe SHBA-ja kanë qenë gjithmonë ndihmë e jashtëzakonshme për shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit. Deklarata e tij është thirrje që drejtësia të veprojë dhe politika e qeveria të mos pengojnë. Krimi nuk luftohet me deklarata politike, por me një Prokurori dhe Gjyqësor që nuk kontrollohet nga qeveria, prandaj çështja e Prokurorit të Përgjithshëm është një moment i rëndësishëm për luftën kundër krimit dhe trafiqeve.

”Euractiv”, informoi se pranimet e reja në bllokun e BE-së mund të ndodhin në 2050, pra duhen edhe 32 vite që të plotësohen kushtet. Si duhet ta kuptojnë shqiptarët këtë, pasi qeveria është shprehur se qershorin e 2018, hapin negociatat e anëtarësimit? Si e lexoni këtë situatë? 

Kjo qeveri e ka sabotuar qëllimin e madh të shqiptarëve për tu bërë pjesë e BE-së. Nëse qeveria flet pro BE-së, praktikat e saj qeverisë janë antikushtetuese, antiligjore dhe kundër BE-së.

Z.Rama ka thënë se zgjerimi është jo “fair”, duke ja hedhur fajin BE-së për Shqipërinë. Gjuha e përdorur nga Rama ndaj BE-së, çon në rritjen e eurskepticizmit në Shqipëri?

Kjo situatë ku ndodhemi nuk është pasojë e injorimit të Shqipërisë nga BE-ja, por e kundërta e injorimit të qëllimshëm të BE-së nga qeveria. Nëse BE-ja do të ftojë në rrugën e plotë të anëtarësimit Malin e Zi dhe Serbinë që ka qenë mbrapa nesh, atëherë ka vetëm një përgjegjësi dhe një përgjegjës, qeveria dhe Rama. Në BE nuk shkohet as duke sulmuar BE-në për Euroskepticizëm dhe as duke kërcënuar në mënyrë antishqiptare se rreziku Islamik do të shtohet në Ballkan(pjesa më e madhe myslimane në Ballkanin perëndimor është shqiptare), por duke bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe duke ndërtuar shtetin e së drejtës dhe një ekonomi të qëndrueshme.

SHKARKO APP