Meidani: Ballistët nuk janë “Martirë të Demokracisë”
Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, në një intervistë për “Panorama” ka komentuar debatin e fundit për dekorimin që Bujar Nishani u bëri 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët u ekzekutuan në vitin 1943 nga Mehmet Shehu.
Për Meidanin, dekorimi i të gjithë anëtarëve të Ballit me titullin “Martirë të Demokracisë”, sipas tij është i diskutueshëm.
Për ish-Presidentin, dekorimi mund të bëhej për secilin në mënyrë individuale, duke përcaktuar rolin e gjithsecilit në raport me luftën dhe bashkëpunimin me pushtuesit.
Ish-presidenti ka theksuar më tej se gjatë kohës që ai drejtonte shtetin është treguar i kursyer me dekorata dhe “Urdhrin e Flamurit” ia ka akorduar vetëm presidentit Klinton.
“Në këtë kuptim, unë mendoj se çdo inflacion i këtij nderimi e fyen, në radhë të parë, vetë atë kontribut historik të tij. Dhe kjo duhet të kihet parasysh dhe për të gjitha nderimet e tjera”, është shprehur Meidani.
Sipas tij, “a mund të konsiderohen ata “Martirë të Demokracisë”, qoftë dhe si shenjë pajtimi kombëtar, kjo është një çështje e diskutueshme, nisur dhe nga vetë kuptimi i dy fjalëve që formojnë atë titull nderimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për demokraci, aq më pak në atë kohë?!
“Një problem tjetër është nëse ata do të mund të konsideroheshin si “dëshmorë të atdheut”, por në atë rast kërkohej të vlerësohej sa më mirë e drejt, jo në grup, por në mënyrë individuale, veprimtaria e gjithsecilit prej tyre në funksion të lirisë, sakrificës ndaj atdheut, vetë interesave kombëtare, nga njëra anë, apo bashkëpunimit me pushtuesin, nga ana tjetër, qoftë ai edhe për objektiva të qarta territoriale” thotë Mediani.
Mediani thekson më tej se “Fakti që u krijua një përplasje e tillë publike vlerësimesh e pozicionesh, shpesh 180gradëshe, tregon se jo gjithçka ka qenë e mirëstudiuar. Por, në asnjë rast nuk duhen lejuar fyerjet publike ndaj kryetarit të shtetit, ato nuk i shërbejnë shtetit, fuqizimit të tij në sytë e qytetarit, respektimit të tij. Prandaj, parë shumë më gjerë, për të shmangur sjelljen kontradiktore të politikës në këtë rast, gjykoj se duhet të funksionojë më mirë në Presidencë procesi i vlerësimit dhe filtrimit të propozimeve, jo vetëm me konsultim të dy apo të disa njerëzve, por me anë të tërheqjes së mendimit të specializuar të institucioneve e organizmave të shoqërisë civile, të lidhura me individë apo ngjarje të caktuara, jo gjithmonë të gjithëpranueshme”.
KOHA JONË SONDAZH

