Menton Kikia: Pjesa më e madhe e shoqërisë tonë është si një moçal që hedh vetëm stërkala lluce

Nga Mentor Kikia-
Bëra një ftesë publike në këtë faqe, jo pa qëllim, për njerëz të njohur e të panjohur. Njerëz që, ashtu si unë, mund të jenë të shqetësuar për vendin e tyre, dhe natyrisht që diskutojnë se çfarë mund të bëjnë. I ftova ti bashkoheshin një “ideje” apo diskutimi, që ne mund të bëjmë një ndryshim, në mënyrë që vendimin se kush do të qeverisë në vendin tonë të mos e marrin as të huajt, as oligarkët, as mediat.
Kërkova që ta shpërndanin ftesën time, të bëheshin pjesë e debatit dhe të ftonin edhe të tjerë gjithashtu.
I lexova një më një reagimet e atyre që shkruan. Për këtë arsye e bëra edhe ftesën. Pashë tri kategori njerëzish:
1-Ata që i janë nënshtruar realitetit, që nuk besojnë që ai mund të ndryshojë, madje as kanë dëshirë që ai të ndryshojë, Madje madje, kanë filluar të mendojnë se është më mirë të mos ndryshojë.
2-Ata që mendojnë se po, ka vërtet nevojë për ndryshim dhe rreken të japin edhe ide se çfarë duhet bërë. Përpiqen të sygjerojnë, të propozojnë rrugëzgjidhje.
3-Ata që më sulen mua, që propozoj një diskutim këtu në rrjet, duke me quajtur fajtor e bashkëfajtor për këtë situatë e që duhet të dorëhiqem apo hiqem qafe.
Kjo shpjegon shumëçka për atë që jemi, për atë që vuajmë e për atë që na bëjnë.
Shumë njerëz nënshtrohen lehtë, mësohen me nënshtrimin e duket se sikur shtypja, vjedhja, mashtrimi e shfrytëzimi u bëhen nevojë. A nuk ndodhi kështu në 45 vjet komunizëm, kur të gjithë vuanin për bukë e të gjithë spiunonin të gjithë në radhën e qumështit ku blinin vetëm 10 të parët?
Shumë njerëz janë thellësisht paragjykues. Kush është ky që na fton në diskutim? Kush është ky që ka hedhur një ide? U bë ky? Ky që del në televizor, është më keq se ata që vjedhin? Kush e ka futur këtë të na manipulojë? Edhe ky lëpirës i qeverisë është, tani bën si realist. Nesë dikush guxon të hedhë një ide, janë gati qindra shigjeta të helmatisura, shpifje, sharje, paragjykime, pa asnje arsye, pa asnje argument etj etj.
Ajo që perceptoj nga këto mendime, është se ndryshimi këtu është shumë i vështirë jo sepse klasa politike është më e keqe se në vendet e tjera. Por, sepse pjesa më e madhe e shoqërisë tonë është si një moçal që hedh vetëm stërkala lluce.

SHKARKO APP