Mesila Doda: Për “ushtarët e shqipes” dhe ata që luajnë derën

Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU Mesila Doda ka reaguar në lidhje me dënimin e ushtarëve shqiptarë që bënë Shqiponjën në Greqi. Ajo kritikon shtetin që nuk po reagon, ndërkohë që e quan kapitulli i radhës i marrëzisë greke një veprim të tillë.

Po citojmë statusin e plotë të deputetes së PDIU në rrjetin social:

Ky është kapitulli i radhës i marrëzisë së shtetit fqinj, ndërsa për gjithë frikacakët dhe “tolerantët” e shovinizmit grek, është mësimi i radhës. Rekrutët shqiptarë dënohen, kurse shteti fqinj anëtar i BE-së, i NATO-s, OSBE-së, KE-së e kështu me radhë del krejt pa lagur sikur ka kryer aktin më normal në botë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot, misionet e të drejtave të njeriut do duhej të kishin ngritur zërin, shteti ynë do duhej të kish thirrur ambasadorin dhe atasheun ushtarak të shtetit fqinj, ndërsa ne nuk dimë as emrat e Ushtarëve të Shqipes.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çfarë i afruam atyre djemve? Ndihme? Jo! Dinjitet? Jo! Përkundrazi, i thamë gjithë djemve dhe vajzave shqiptare që mos të guxojnë të deklarohen bijtë e shqipes, jo në publik, jo përballë njerëzve e kamerave…, ndryshe jeni në mëshirë të Panos Kammenos e gjithë soj e sorollopit të tyre.

Unë nuk besoj se është koha e reagimeve virtuale nga shteti im. Shteti ime është anëtar i institucioneve ndërkombëtare, është anëtar i NATO-s, OSBE-së, KE-së, pret të hapë negociatat me BE-në, ndaj heshtja në këtë rast është fyese, është e palogjikshme, është e pafalshme.

Nesër ministrat duhet të lënë volejbollin e basketbollin me njëri-tjetrin dhe në mënyrë urgjente të nisin një aksion të koordinuar për të ndihmuar djemtë e dënuar.

Emrat, shkaku, shkelja e të drejtave të njeriut duhet të jenë para syve të gjithë botës. Qeveritarët kanë patur boll kohë të luajnë derën e të gjuajnë topa zhytsi. Djemtë e Shqipes duan ndihmë dhe kurrkush tjetër, përveç shtetit shqiptar nuk ja afron dot. Lëvizni e ndihmoni ata që e meritojnë dhe kanë nevojë për ndihmë dhe të trimëroni të tjerët. Lëvizni se e keni detyrë kushtetuese dhe njerëzore. Boll me heshtje, boll me frikë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?