Meta, mesazh ngushëllues për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku
Mesazhi i Ilir Metës në Facebook:
Një humbje e madhe për të gjithë ndarja nga jeta e Nderit të Kombit, artistit të mirënjohur, Sali Shijaku, një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.
Takimet dhe bisedat e ngrohta me të do të mbeten për mua të paharruara, siç do të mbetet galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar.
Sali Shijaku ishte piktori i njërit prej Heronjve të mi më të dashur, Vojo Kushit.
Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.
Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t’i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit. Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. “Po këpucët ku i ka?”, e pyeten. “Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit”, – u përgjigj me dinakëri artisti. “Ke të drejtë, i thanë, aprovohet”.
Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t’ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.
Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore.
Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.
Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgima e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht.
Ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Shijaku, bashkëpunëtorëve ndër vite dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme!
Të prehet në paqen e merituar!