Meta takon ambasadorin e ri britanik: Të intensifikohen marrëdhëniet mes dy vendeve
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e re.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta pasi vlerësoi marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, theksoi se Kuvendi i Shqipërisë dëshiron intensifikimin e shkëmbimeve të gjithanshme mes dy vendeve, duke vlerësuar investimin afatgjatë të Britanisë së Madhe në të gjithë vendet e rajonit tonë. Në këtë kuadër, u vlerësuan shkëmbimet ndërparlamentare si tepër të rëndësishme për cilësinë e bashkëpunimit dypalësh.
Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të ngushtë që ekziston mes dy vendeve në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme ku Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi mbështetjen domethënëse britanike. “Britania e Madhe është një partner shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, dhe intensifikimi i këtij bashkëpunimi, do të rrisë edhe besueshmërinë e Shqipërisë ndaj investitorëve britanikë në të ardhmen”, nënvizoi z. Meta.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Shqipëri dhe e informoi Kryetarin e Kuvendit z. Meta mbi prioritetet e Ambasadës në funksion të bashkëpunimit dypalësh. Ambasadori Norman theksoi se Shqipëria luan një rol tradicional tepër pozitiv në rajon, i cili vlerësohet prej Mbretërisë së Bashkuar, dhe në këtë drejtim, qeveria dhe parlamenti britanik mbeten të përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të rajonit.
Në përfundim Kryetari Meta dhe Ambasadori Norman biseduan edhe mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, ku theks i veçantë u vendos mbi avancimin e reformës në fushën e drejtësisë, si kyçe për forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe për rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

