Milo: Rama do një regjim autokratik, ja pse sulm LSI, qeveria e re prej…
Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo: LSI sulmohet, pasi ju rrezikon gërryerjen dhe themelet e pushtetit
Intervistoi: Redjon Shtylla
Pas një fushate ku u dëgjua pak për programe e më së tepri për tepsi, timon e kazan, 3.4 milionë shqiptarë me të drejtë vote do ju drejtohen kutive të votimit të dielën e 25 qershorit. Për Paskal Milon, kjo fushatë i njohu shqiptarët me batuta dhe estradë, “pasi PS-PD, nuk zbërthyer programin elektoral”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Demokracia Sociale, dënon thirrjen e kryeministrit për policinë e shtetit. “Deklarata ja ka kaluar edhe sjelljes së Berishës në vitin 1996, për rolin e policisë së shtetit në fushatat zgjedhore. Policia e Gazidedës e Shehut dhe e Berishës në atë kohë, bënë namin në qendrat e votimit, por Berisha vetë asnjëherë zyrtarisht dhe hapur nuk i bëri thirrje policisë së shtetit që të vihet në shërbim të PD-së”. Milo e etiketon Ramën si një “kafshë e vogël agresive, e etur për të vendosur në Shqipëri një regjim autokratik të pashembullt”. Për sulmet ndaj LSI-së, Milon i akumulon si frikë pasi “LSI ju rrezikon pozitat, u rrezikon gërryerjen e themeleve të pushtetit”. E ndërsa për numrin “magjik” 71, Milo thekson se në Shqipëri do të ketë një qeveri koalicioni dhe jo një shofer në timonin e qeverisjes.
Shqiptarët me të drejtë vote e të lirë shkojnë këtë të diel, drejt kutive të votimit. Si i keni parë fushatat elektorale të partive kryesore, alternativat, idetë dhe programet e tyre politike?
Kjo është një fushatë zgjedhore tipike dhe disi e çuditshme. Nuk ka kapur zbërthim dhe artikulim të programeve elektorale të partive por me përjashtim të ndonjë partie që e ka paraqitur edhe fizikisht programin. Të tjerët dhe në mënyrë të veçantë dy partitë e mëdha, PS-PD, janë marrë më tepër me kusi, tepsi, timon dhe jo me çfarë i shqetëson shqiptarët sot.
Pse në këtë fushatë, shqiptarët dëgjuam më shumë batuta dhe fjalë të tipit: tepsi, shushunja, kazan, timon?
Sepse nuk kanë se çfarë t’u ofrojnë shqiptarëve, janë të zhytur kaq shumë në mosrealizime, mashtrime, demagogji, sa që edhe vetë e kanë kuptuar që nuk munden t’u ofrojnë shqiptarëve po ato gjëra që u kanë ofruar katër vite më parë. Çfarë t’u thonë? Ka humbur besimi në popull, totalisht, prandaj fushatën e kthyen në estradë, me batuta, me humor për tu treguar shqiptarëve dhe botës, se sa jo seriozë janë me çështjesh e rëndësishme udhëheqësit shqiptarë. Është shembull unikal në botë, që dy partitë kryesore politike në Shqipëri, në një fushatë zgjedhore nuk shpalosin programin por merren me akuza direkte me njëra-tjetrën. Kjo tregon varfëri programore dhe shndërrimin e këtyre dy partive në grupe oligarkësh që nuk e çajnë kokën fare për shqiptarët e thjeshtë dhe të varfër por kacafyten me njëri-tjetrin për pushtet, për tepsi dhe për të ndarë akoma ç’ka mbetur për tu ndarë nga pasuria e të gjithë shqiptarëve.
Fushata e tensionuar ka pasur edhe deklarata të dënueshme. A mjafton një ndjesë e z.Rama, pas deklaratës që policia pas orarit të punës të mbledh vota për PS-së? Do shkoni në votimin e së dielës me sigurinë që votat e PDS-së por dhe të shqiptarëve nuk po shit-blihen?
Deklarata e tmerrshme e Edi Ramës, ja ka kaluar edhe sjelljes së Sali Berishës në vitin 1996, për rolin e policisë së shtetit në fushatat zgjedhore. Policia e Gazidedes e Shehut dhe e Berishës në atë kohë, bënë namin në qendrat e votimit, por Berisha vetë asnjëherë zyrtarisht dhe hapur nuk i bëri thirrje policisë së shtetit që të vihet në shërbim të PD-së. Kryetari i Rilindjes, me papërgjeshmërinë spektakolare, bëri një deklaratë që jo vetëm që është e dënueshme, anti-kushtetuese, por vë në dyshim vetë qenien e tij si njeri normal, si shtetar që duhet të ketë përgjegjësinë minimale për të respektuar kushtetutën, ligjin. Ajo deklaratë tregon se brenda tij fshihet një “kafshë e vogël agresive” e etur për të vendosur në Shqipëri një regjim autokratik të pashembullt në modelin më të keq të mundshëm që ekziston sot në botë. Nuk është e rastit deklarata, pavarësisht që z.Rama u përpoq që ta përgënjeshtrojë, ajo deklaratë është një reflektim i qenies së tij, i ambicies së tij të brendshme, për ta arritur atë synim që ai i ka vënë vetes, po qe se do ta arrijë. Gjoja në emër të forcimit të shtetit dhe për shtetin, ai e synon të shtrojë rrugën e një regjimi personal dhe ka mjaft mesazhe gjatë kësaj fushate, pret të cilave Shqiptarët duhet të trembën, duhen të alarmohen dhe duhet të ndalin rrjedhën negative që mund të marrë zhvillimi i situatave në Shqipëri.
Si mund të arrihet kjo që ju përmendni, çfarë duhet të bëjnë Shqiptarët?
Kjo bëhet duhet votuar kundër kësaj platforme, egocentrike, të tejskajshme të kryetarit të Rilindjes, z.Rama.
Si një njohës i mirë dhe ish-Ministër i Politikës së Jashtme, sa besoni se një foto e z.Basha me Presidentin Trump apo dhe një urim i Presidentit Turk për z.Rama, po keqpërdoret në fushatë? Politikisht këto dy figura, sa po përdoren në të dyja kampet kundërshtare?
Është në përvojën më të keqe të politikës dhe të politikanëve Shqiptarë, abuzimi dhe keqpërdorimi i fotografive me personalitete politike botërore dhe për më tepër me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për qëllime të brendshme, për të mashtruar shqiptarët ose për të ndikuar në vullnetin e tyre politik. Fotografia e z.Basha me Presidentin Trump, është një foto e bërë në një moment të caktuar të një konference, ku z.Basha ishte ftuar dhe asgjë më shumë. Për qëllime elektorale, z.Basha e trumpetoi dhe e interpreton si të jetë një qëndrim i administratës së Shtëpisë së Bardhë, në mbështetje të tij dhe të PD-së në këtë fushatë. Shqiptarët janë mësuar sepse edhe mjaft kolegë të z.Basha në pushtet apo në opozitë vitet e kaluara, kanë bërë po të njëjtën lojë, ndërkohë që nga ana tjetër, ftesa e Presidentit të Turqisë, z.Erdogan për të dhënë një intervistë kanaleve televizive kryesore shqiptare, siç është Top Channel, është përsëri një taktikë elektorale e dyshimtë, e porositur për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Do të ketë qenë një sakrificë e madhe për z.Erdogan, që ti bëjë qejfin mikut të tij, z.Rama për të dhënë këtë intervistë sepse ata që klasifikohen si personalitete të mëdha politike dhe kryetarë shtetesh apo qeverish, që nuk bien në gracka të këtij niveli. Edhe shqiptarët më të thjeshtë, e kuptojnë se një intervistë e Presidentit Truk në mbështetje të z.Rama, ka pak gjasa që të merret në konsideratë sepse në radhë të parë shqiptarët, gjykojnë vetë dhe mbështetur në analizën që ata i bëjnë situatës së brendshme dhe nuk ndikohen nga të huajt, cilët do qofshin ata për të votuar njërin apo tjetrin.
Si e ka pasur raportin Shqipëria dhe konkretisht partitë politike me influenca të tilla përgjatë fushatës zgjedhore, është përkthyer në ndikim?
Dikur para 20 vitesh apo 10 vjetësh, ku ende shqiptarët kishin besim tek partnerët ndërkombëtarë, kishin disa qëndrime naive dhe shpresë plotë për ndikimin e tyre në Shqipëri. Tani, edhe shqiptarët më pak të kulturuar dhe ata me më pak informacion, por edhe nga përvoja e viteve, kanë mësuar se cilido qoftë nga jashtë, nuk mund të diktojë zgjedhjet në Shqipëri për më tepër që me sytë e tyre kanë parë edhe ëndërra Europiane që për shqiptarët është zbehur, nuk ka më atë influencën që ka patur dikur edhe tema e Integrimit Europian të Shqipërisë. Besoj se një qasje e tillë, ku përdoren faktorët ndërkombëtarë, për të ndikuar në zgjedhjet në Shqipëri, nuk kanë shanse për sukses.
Si e keni parë retorikën politike të fushatës ku ka dominuar një arrogancë, një gjuhë e ashpër, sulm i drejtpërdrejtë ndaj LSI-së. Lidhur edhe me shkarkimet e kryera nga ministrat teknikë, ku më të shumtën e rasteve sulmohen drejtorë dhe njerëz të propozuar prej LSI-së në poste të ndryshme?
Sulmet e sinkronizuara të PD-së dhe PS-së, kundër LSI-së, nuk janë të rastit as nuk lindën në mënyrë spontane dhe të papritur. Ajo është një strategji e diskutuar, e përpunuar dhe e vendosur në takimin e dyshes Rama-Basha në errësirën e natës së 18 Majit. Për shumë arsye të tjera, kjo është një marrëveshje misterioze, me rrjedhoja negative për demokracinë dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë, nëse ajo do të zbatohet në të gjitha komponentët e sajë. Sulmet kundër LSI-së, janë vetëm njëri nga aspektet e kësaj strategjie misterioze, anti-demokratike të dyshes Rama-Basha në këtë marrëveshje. Fare thjeshtë, kjo luftë kundër LSI-së bëhet sepse kjo parti i ka hyrë në mes dhe ju rrezikon pozitat, u rrezikon gërryerjen e themeleve të pushtetit që kanë apo të atij që pretendojnë të kenë nesër. Ky sulm është pjesë e një strategjie të tërë për të goditur të gjitha partitë e tjera, dhe për të vendosur monopolin e dy partive në Shqipëri. Pikërisht se synimi është që të goditet në rrënjë pluralizmi politik, si një arritje e madhe e demokracisë në Shqipëri, kjo marrëveshje është tepër e rrezikshme dhe shqiptarët duhet me patjetër ta hedhin poshtë këtë marrëveshje, duke mos i votuar dy paritë e mëdha. Nëse e bëjnë këtë gjë do të jetë tepër vonë dhe si gjithmonë ata që do të vuajnë nga rrjedhojat e kësaj marrëveshje, do të jenë shqiptarët e thjeshtë dhe të varfër.
Duke parë dhunën e ushtruar ndaj funksionarëve të partive, si e shihni atmosferën e 25 qershorit, do ketë provokime të cilat mund të çojnë në trazira?
Uroj që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë, njerëzit të shkojnë e të votojnë sipas dëshirës së tyre me vullnet të lirë për cilindo subjekt politik që garon. Kjo do ti bënte nder Shqiptarëve, por dhe Shqipërisë, që në një moment të tillë të rëndësishëm politik, dinë të sillen si qytetarë evropianë, por për fat të keq në Shqipëri ka qarqe kriminale që keqpërdoren në raste fushatash zgjedhore nga parti politike, dhe kjo është dëshmuar në të kaluarën e largët por dhe të afërt, ndaj dhe nuk përjashtohen incidentet të amplitutave të ndryshme, veçanërisht në disa zona periferike ku janë dhënë shenjat e një agresiviteti të skajshëm të grupeve dhe të bandave politike. Në vëmendje të veçantë mendoj se Policia e Shtetit duhet të ketë vatrat tradicionale të përplasjeve elektorale dhe të keqpërdorimit të bandave siç janë qarqet: Shkodër, Lezhë, Dibër, apo edhe ndonjë qark tjetër që mund të jetë dhe pse jo zona të caktuara në qarkun e Tiranës apo edhe në Fier. Mendoj se edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, OSBE-OHDIR-it duhet të përqendrohet në këto qarqe që kanë një predispozitë për të krijuar konflikte me qëllim që vëzhgimi i faktorëve asnjëanës ndërkombëtarë, të frenojë skenarët që me siguri do përgatiten për të bërë presion ndaj votuesve dhe pse jo edhe për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve përmes mjeteve ilegale, përmes shit-blerjes së votës dhe formave të tjera të njohura që janë përdorur në Shqipëri.
Pas 25 qershorit, cila forcë politike e siguron timonin e qeverisë dhe 71 mandatet pa një marrëveshje politike paszgjedhore?
Unë e quaj të parealizueshme ëndrrën e Edi Ramës për të marrë 71 mandate, madje do të thosha që duhet të përgatitet dhe të mendojë seriozisht për koalicionet e ardhshme zgjedhore. Se kush do ta krijojë qeverinë mbetet për tu parë pas zgjedhjeve në përputhje me rezultatin, por e sigurt është që në Shqipëri do të ketë një qeveri koalicioni dhe jo një shofer të vetëm në timonin e qeverisjes.