Milo: Zgjedhjet e parakohshme, një kërcënim i reformës në drejtësi
Flet për “Koha Jonë”, Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo
Intervistoi: Redjon Shtylla
Prof. Dr. Paskal Milo në funksionin e Kryetarit të Partisë Demokracia Sociale, nuk sheh një dritë jeshile për reformën në drejtësi. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, z.Milo shpreh qartë idenë se politika shqiptare po saboton zbatimin e reformës në drejtësi. “Ekziston një frikë për gjykimin e aferave korruptive dhe kriminale të “VIP”-ave të politikës shqiptare. Pakënaqësitë për koalicionin qeverisës, z.Milo i ka shprehur, por një analizë e mirëfilltë do të vij pas muajit prill, ku do të mblidhet komuniteti drejtues kombëtar i PDS-së. Për sa i përket atmosferës aktuale të politikës, prof. Milo e krahason me një gungaç, që vetëm varri e rregullon gungën e tij.
Z.Milo, pak ditë më parë Komisioni i Venecias ka dhënë opinionin final. Dy partitë e mëdha, udhëheqëse të reformës kanë dalë në vendime, si në rastin e PD-së që të miratohet Byroja Kombëtare e Hetimit dhe PS-ja që kërcënon me zgjedhje të parakohshme nëse nuk kalon reforma në fjalë. Si një aleat i qeverisë si i shihni këto qëndrime dhe a ka zgjidhje për ngërçin e krijuar?
Fakti që politika shqiptare nuk ka qenë në gjendje për 25 vite me radhë për të kryer reforma serioze dhe themelore në shtetbërje, do të thotë se kemi pasur një klasë politike përgjithësisht të papërgjegjshme dhe që ka dashur t’i shpëtojë vazhdimisht ligjit siç po vepron dhe gjatë kësaj kohe. Më në fund është këmbëngulja e partnerëve ndërkombëtarë, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e BE-së që po e çon procesin përpara, por gjithsesi është pikërisht kjo klasë politike që kërkon që këtyre dy reformave të rëndësishme, kërkon t’i vërë stërkëmbësin e radhës. Pse, shtrohet pyetja? Sepse thellë në ndërgjegjen e tyre janë të bindur se nëse më në fund ndërtohet ai që quhet shtet ligjor i konsoliduar, të parët që duhet të vihen në përgjegjësinë përpara drejtësisë janë disa nga figurat qendrore të politikës shqiptare. Për rrjedhojë, po përpiqen ta sabotojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe më tepër shihet një luftë sa e hapur aq edhe e fshehtë për të kapur institucionet e së nesërmes, pas reformës që do të kenë në dorë gjykimin e aferave korruptive dhe kriminale të “VIP”-ave të politikës shqiptare. Frika se mos nesër shumë nga këta ligjbërës të këtij Parlamenti famëkeq se mund të ndodhen përpara bankës së të akuzuarve, i bën që të vënë në dyshim zbatimin e reformës në drejtësi dhe nxjerrin pretekste nga më të ndryshme. Kjo lojë kungulleshkash të marra të gjitha së bashku janë presione që palët i bëjnë njëra-tjetrës dhe që dëshmojnë atë që unë ju përmenda pak më lart, që asnjë prej tyre nuk është i interesuar në thelb që të bëhet reforma në drejtësi.
Si pjesë e koalicionit qeveritar, në dijeninë tuaj a ka marrë z.Rama iniciativën për të dëgjuar mendimet e aleatëve?
As që bëhet fjalë që partitë tona të mund të jenë konsultuar, qoftë dhe formalisht për reforma të tilla kapitale. Ne formalisht deri më tani të jemi pjesë e koalicionit për Shqipërinë Europiane sepse faktikisht dhe realisht ne nuk jemi, nuk na kanë konsideruar si të tillë dhe për rrjedhojë as ka kanë respektuar për marrëveshjet e përbashkëta që kemi nënshkruar e as nuk na kanë pasur në konsideratë. Këtë fakt dhe këtë realitet e njeh opinioni publik shqiptar. Kjo gjendje është e njohur edhe nga socialistët shqiptarë dhe siç e njeh dhe Partia Demokracia Sociale në të gjitha strukturat e saja.
Kjo do të thotë dalje nga koalicioni?
Ne e kemi deklaruar disa herë që pas kongresit të Partisë Socialiste dhe në mungesë të një reflektimi për respektimin e marrëveshjeve, PDS-ja, natyrshëm do të analizojë qëndrimin e saj në këtë koalicion dhe do të marrë vendimet përkatëse. Nuk është thjesht çështja e respektimit apo jo të marrëveshjeve të nënshkruara që do të na detyrojë që t’i rikthehemi një analize dhe për të marrë një vendim, por para së gjithash është përgjegjësi që ne kemi si PDS-ja, aq sa e kemi, për peshën dhe rolin që kemi luajtur në opozitën e djeshme që t’i bëjmë një skaner qeverisjes së koalicionit për aleancën për Shqipërinë Europiane, për reformat e ndërmarra, për gabimet që janë bërë. Në përgjegjësinë tonë, për sa kohë që jemi dhe formalisht në koalicion që të gjykojmë se si ai e ka qeverisur qeverinë.
Ku ka gabuar qeveria “Rama” në këto tre vite afërsisht dhe sa e ka respektuar marrëveshjen e koalicionit?
Është shpejt për ta thënë një gjë të tillë, pasi që kjo kërkon analizë dhe ne do ta bëjmë deri në fund të muajit prill, ku kemi vendosur që do të mbledhim komunitetin drejtues kombëtar të PDS-së. Aty do të bëhet analiza e qeverisjes, pikërisht aty pas vendimit tonë do të vendosim e do të gjykojmë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë ka shkuar keq. Mbi këtë bazë do të mbajmë qëndrimin tonë.
Siç dhe u shprehët, PS-ja gjendet përballë një sfide të re, atë të kongresit. Sipas jush, cili është fundi i debatit Rama-Blushi dhe a ka të drejtë z.Blushi kur thotë se statuti është shkelur? Po në përballjen midis z.Kokëdhima dhe z.Ruçi, a mund të ndikojnë konfliktet e tyre të brendshme të partisë në performancën e qeverisjes?
Të jap një përgjigje shkurt për pyetjen tuaj. Këto janë çështje të brendshme të PS-së, pra të një partie tjetër dhe ne nuk kemi të drejtë as të ndërhyjmë dhe as të marrim pjesë në një debat që për mendim tim është i tejzgjatur, i padobishëm për shumicën e shqiptarëve sepse ka zhvendosur dhe vëmendjen e qeverisë, por dhe të opinionit nga problemet madhore që ka Shqipëria dhe që kërkojnë zgjidhje urgjente. Nëse në një parti që pretendon të jetë demokratike, funksionojnë rregullat, funksionon zbatimi i statutit dhe institucionet e saj, atëherë i takon atyre që t’i gjykojnë dhe të marrin veprimet e duhura dhe masat përkatëse. Unë e kam quajtur dhe e quaj të pavlerë të gjithë debatin që ka okupuar opinionin publik. Mund të shqetësonte dhe ka arsye të shqetësojnë PS-në, por shqiptarët që nuk i takojnë një partie, por që janë të ndarë në 63 parti nuk ka arsye që të dëgjojnë nga mëngjesi deri në darkë vonë se çfarë po bëhet në PS. Çfarë batute lëshoi sot Blushi, si u përgjigj Rama, çfarë bëri Majko, si do të bëhet për fatin e deputetit Kokëdhima, a ka të deputetë kriminelë apo të korruptuar etj., etj.. Këto çështje janë të brendshme të PS-së dhe nëse ka të korruptuar dhe të lidhur me krimin janë çështje të drejtësisë, nuk është as opinioni publik as gazetat, por në fund as edhe aleatët ata që do vënë rregull në një parti të caktuar, por janë vetë partitë me ushtrimin e demokracisë së brendshme nëse ajo funksionon që duhet t’i rregullojnë punët e tyre.
Siç u shpreha dhe më lart në lidhje me reformën zgjedhore. Si një njohës i mirë i politikës, aleatët çfarë kërkojnë për reformën në fjalë?
Nuk është hera e parë që partitë jo vetëm aleate të PS-së, por të gjitha partitë e spektrit të majtë dhe të djathtë dhe të qendrës vazhdimisht kanë dënuar deformimin që iu bë ligjit zgjedhor në vitin 2008. Kjo ka sjellë pasoja kaq të rënda në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Mungesën e ushtrimit të vullnetit të popullit, në manipulimin e tij përmes gjithë asaj infrastrukture zgjedhore që është ngritur, me vjedhjen e hapur të votave dhe me blerjen e tyre në tregun e politikës në mënyrën më të bastarduar të mundshme. Të gjitha këto, të gjitha partitë që quhen të vogla apo dhe të mesme, i kanë kërkuar institucioneve shqiptare që t’i ndryshojnë jo për hir të interesit publik, por se është shkelur parimi bazë themelor i Kushtetutës të respektimit të vullnetit të shqiptarëve. Unë personalisht nuk shoh sot ndonjë dëshirë e ndonjë vullnet të dy partive të mëdha që të ndryshojnë qëndrim dhe të dëgjojnë zërin e arsyes dhe të drejtësisë dhe të respektit për vullnetin e popullit, që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Duhet vendosur parimi i proporcionalitetit kombëtar dhe me lista të hapura, e këtu është Thembra e Akilit. Nuk besoj se do ta bëjmë sepse duan që të votat e partive të mesme dhe ato të vogla që marrin, të shkojnë vazhdimisht në shportat e tyre, përmes krijimit të koalicioneve. Jam pesimist sepse e njoh mirë nga përvoja e viteve të shkuara se si janë sjellë dhe se si do të sillen këtë herë. Më vjen keq që Shqipëria e shekullit 21, ajo që pretendon që bëhet anëtare e Bashkimit Europian ka ligjin më të keq zgjedhor të mundshëm që zbatohet në Europë e jo vetëm aty. Jam i bindur se zgjedhjet shqiptare në shumicën e rasteve janë më të këqija se edhe zgjedhjet afrikane.
A është e gatshme që politika shqiptare të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe çfarë ndodh nëse realizohet?
Unë besoj se kërcënimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është më tepër një truk, është më tepër një kërcënim në funksion të problematikës së ditës dhe para së gjithash të miratimit të reformës në drejtësi. Opozita për mendimin tim nuk është e përgatitur që të shkojë në zgjedhje dhe nëse shkon i ka të humbura ato. Opozita më e madhe sot ndaj Partisë Socialiste nuk është Partia Demokratike, por pakënaqësia e shqiptarëve, kjo është opozita reale sot në Shqipëri. Një pakënaqësi që vjen si rezultat i reformave drastike që janë bërë dhe i një përkeqësimi të gjendjes sociale-ekonomike të vendit në raport edhe me premtimet që u bënë shqiptarëve, kur shpallën programet politike.
Z.Milo duke qenë se jeni një ndër ekspertët e politikës së Jashtme, si do ta vlerësonit punën e deri më tanishme për një Shqipëri europiane siç dhe qeveria pretendon?
Duhet t’i shohim gjërat në sy dhe të mos zbatojmë në politikë të Jashtme, por dhe në politikën e brendshme moralin e fabulës të “La Fontenit”, të mbretit lakuriq. Nëse duam ta shohim realitetin në sy duhet të kuptojmë që Shqipëria ka shumë standarde për të plotësuar, për t’u bërë anëtare me të drejta të plotë të Bashkimit Europian. Për mendimin tim nuk është vetëm reforma në drejtësi, e them këtë sepse ne jetojmë këtu, i shohim dita-ditës zhvillimet, ngjarjet, mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqërinë shqiptare. Ne jemi një shoqëri ende shumë e prapambetur nga të gjitha pikëpamjet në raport me shoqërinë europiane me të cilën ne duam të bashkohemi. Jemi të prapambetur jo vetëm nga kultura politike, jo vetëm nga niveli i zhvillimit ekonomik, jo vetëm nga niveli kulturor në përgjithësi, nga niveli arsimor i popullatës, por ne kemi mangësi që vijnë edhe në formimin tonë si komb. Kemi mangësi të trashëguara që na pengojnë aktualisht që të kapim ritmet e zhvillimeve europiane, por ne kemi dy fenomene që janë litar e që i lidhin këmbët Shqipërisë që të ecë në Europë. Duke filluar nga korrupsioni i madh dhe kriminaliteti që e bëjnë shoqërinë shqiptare të jetë një nivel prapa europian, jo për nga përkatësia gjeografike, por nga kultura dhe ndërgjegjja. Kemi dhe krizën e thellë në të cilën jeton vetë BE-ja, aq më tepërt tani me krizën e refugjatëve që nuk i dihet filli se si do të përfundojë. Të gjitha këto arsye të marra së bashku duhet ta bëjnë politikën shqiptare të ndërgjegjshme. Duhet t’ia kursejnë popullit shqiptar lodrën famëkeqe demagogjike me integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE dhe të përqendrohen maksimalisht, të përmirësojnë nivelin e jetesës, të gjejnë më shumë vende pune dhe të mbajnë çmimet të disiplinuara me qëllim që shqiptarët në fund të ditës të thonë që kjo qeveri bëri aq sa mundi dhe arriti diçka. Njerëzit ngopen me premtime, njerëzit duan të shohin konkretisht se çfarë ju jep sot dhe jo se çfarë ju premton nesër.
Profesor, si kryetar i PDS-së, çfarë sugjerimi keni për politikën, çfarë drejtimi duhet të marrë ajo?
Kam frikë ta them se nuk dua të marr pozitën e moralistit dhe as kam ndonjë formë magjike në xhep që mund ta nxjerr, por e kam të vështirë edhe për një arsye madhore që të them një gjë të tillë. Politika aktuale shqiptare është si puna e një njeriut gungaç, që vetëm varri e rregullon gungën e tij.