Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth: Shpresojmë në dhënien e negociatave Shqipërisë
Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, thotë në intervistë për DW, se kushtet për negociatat e Shqipërisë nuk i formulon Bundestagu, por Komisioni Evropian dhe se Shqipëria nuk do të ketë anëtarësim të klasit të dytë.
Michael Roth: Sigurisht që jam i lumtur për këtë votim të qartë të Bundestag-ut gjerman. Më është dashur t’u shpjegojë sa e sa herë miqve tanë në Bashkimin Evropian, por edhe në Ballkanin Perëndimor që si Ministër për Europën, mund të jap miratimin tim në Këshillin e Përgjithshëm, vetëm nëse më parë jam marrë vesh me Bundestag-un. Tani kjo ndodhi dhe shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë.
Deutsche Welle: Cilat janë pengesat që kanë mbetur për t’u kapërcyer tani?
Michael Roth: Ne kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian. Të dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam më optimist se para gjashtë muajsh, sepse në fund të fundit duhet të dërgojmë sinjale pozitive inkurajuese në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet ia vlejnë.
Deutsche Welle: Presidenti francez ende nuk ka sinjalizuar një “po”. Cili do të ishte rreziku nëse nuk do të çeleshin negociatat?
Michael Roth: Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm dhe t’u qëndrojë angazhimeve të tij. Dhe, nëse kushtet janë përmbushur, atëherë duhet të bëjmë edhe ne një hap përpara. Shpresojmë se do ta bëjmë këtë tani, por është e qartë për të gjithë se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ne nuk jemi në prag të anëtarësimit, por në fillim të negociatave të anëtarësimit. Problemi është se ne tani jemi të zhveshur nga iluzionet. Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë të zhgënjyera. Nuk po ecet përpara, as në aspektin social e as në aspektin ekonomik. Sukseset sociale dhe ekonomike mungojnë. Herë pas here ka ende mungesë të kulturës demokratike. Por ne të gjithë e kuptojmë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk është oborri i pasëm i Evropës, por është oborri i brendshëm i Evropës. Dhe qëllimi ynë kryesor duhet të jetë sigurimi i paqes, i pajtimit, i stabilitetit, i demokracisë edhe në Ballkanin Perëndimor.
Deutsche Welle: Sidoqoftë, Bundestagu gjerman ka vënë nëntë kushte për Shqipërinë, para se të çelet kapitulli i parë. Si duhet t’i lexojë politika shqiptare këto kushte?
Së pari, Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim , kështu do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv. Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë.
Deutsche Welle: Le të hedhim një vështrim në Kosovë, ku të dielën zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Para së gjithash, unë pres zgjedhje të drejta e të barabarta, sipas standardeve evropiane. Së dyti, shpresoj se në fund të fundit do të kemi në parlament një shumicë të gjerë pro-evropiane, e cila gjithashtu do të përmbushë përgjegjësinë ndaj popullit të Kosovës. Sigurisht, është gjithashtu e rëndësishme të vazhdohet dialogu midis Serbisë dhe Kosovës. Përgjegjësia këtu nuk varet vetëm nga politikanët e Kosovës, por edhe nga Serbia.
Deutsche Welle: Çfarë prisni ju nga Serbia konkretisht?
Ju vetë e dini që dialogu për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë është një nga parakushtet për pranimin e Serbisë në BE. Dhe kjo është arsyeja pse tani lipsen masa shpërshkallëzimi e të krijimit të besimit në mes të dy palëve. Shpresoj që pas zgjedhjeve të Kosovës të kemi një dinamikë të re për forcat konstruktive pro-evropiane, të përkushtuara ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, në mënyrë që edhe dialogu i normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës të shënojë përparime thelbësore.
Deutsche Welle: A do të luajë Gjermania një rol të veçantë në dialog, për shembull duke emëruar një Përfaqësues Special Gjerman për Kosovën?
Michael Roth: Gjëja më e rëndësishme për ne është që të rritet perceptimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ta kemi gjithmonë parasysh se bëhet fjalë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sigurisht, Gjermania do t’i përmbushë përgjegjësitë dhe do të ndihmojë kudo që të jetë e mundur. Për shembull, ne kemi dhënë ndihmesë edhe në negociatat midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe sigurisht, nëse ekziston një mundësi, jemi në anën e atyre që janë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Por tani shpresojmë edhe që Komisioni i ri i BE-së do të përmbushë përgjegjësinë e tij për Ballkanin Perëndimor. Me fjalë të tjera, ne kemi nevojë për një komisioner ose komisioniere të fortë të BE-së që të merret me negociatat e zgjerimit për të vazhduar punën e zotit Hahn. Dhe gjithashtu pres një prani të madhe të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Sigurisë së Jashtme, sepse kemi të bëjmë me çështje të sigurisë dhe çështje të politikës së jashtme që janë në interes të të gjithë Bashkimit Evropian.
Deutsche Welle: A nuk përbën problem fakti që ky zyrtar i politikës së jashtme të BE-së vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?
Michael Roth: Nëse një politikan nga një shtet anëtar merr një rol dhe përgjegjësi evropiane për të gjithë Bashkimin Evropian, atëherë ai nuk është më politikan spanjoll, por është një evropian që vjen nga Spanja, siç është edhe zonja von der Leyen, një evropiane që vjen nga Gjermania. Interesat gjermane nuk janë më në qendër të veprimeve të saj. Dhe unë e pres këtë nga të gjithë anëtarët e Komisionit dhe nuk kam asnjë dyshim, se kështu do të veprojë edhe miku ynë Josep Borrell.
Deutsche Welle: Kosova është ende i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon ende liberalizimin e vizave. Ka shenja që kjo do të ndryshojë së shpejti?
Michael Roth: Komisioni ka bërë detyrat e tij të shtëpisë. Por vendet anëtare nuk po u përmbahen përgjegjësive të tyre. Këtu, në Ministrinë e Jashtme, si ministri, ashtu edhe unë, si ministër i Evropës, po luftojnë shumë për të siguruar që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj. Nga këndvështrimi i Komisionit, Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për ne që të lejojmë liberalizimin e vizave. Dhe për këtë na duhet vendimi unanim, çfarë e bën të qartë se ku qëndron problemi. Për momentin, unë nuk shoh ndonjë shans që ne të biem dakord njëzëri për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian. Kam shumë mirëkuptim për zhgënjimin e madh, veçanërisht të të rinjve të Kosovës. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa liberalizimin e vizave. Dhe nuk mendoj se është një gjendje e mirë.
Deutsche Welle: Pyetja e fundit ka të bëjë sërish me negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat duhet të fillojnë sa më parë, siç thatë ju. A mund të negociohen edhe kufijtë e Kosovës, sipas mendimit tuaj?
Michael Roth: Jo. Nuk mund të ketë ndryshim kufijsh. Është mjaft e qartë. Ne e kemi bërë shumë të qartë. Nuk duam ta hapim atë Kuti Pandore dhe unë vetëm mund t’i këshilloj të gjithë që të mos e hapin përsëri këtë diskutim. Për ne, e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në shoqëritë multietnike, multi-fetare dhe multikulturore. Ne kemi nevojë për pajtim midis etnive dhe entiteteve. Ne nuk mund të fillojmë e të ndajmë grupet etnike nga njëri-tjetri për të mundësuar paqen. Ky është një koncept i dështuar i shekujve XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nuk është i përshtatshëm për një perspektivë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.