Ministri holandez apel për dialog: Zgjedhje të lira, të zbatohet vettingu
Pa dashur të përfshihet publikisht në çështjet e brendshme të politikës shqiptare, Ministri i Jashtëm holandez nuk ka kursyer apelin për dialog mes palëve.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm Bushati, Bert Koenders tha se është më rëndësi të zbatohet vettingu por edhe të kemi një proçes zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
“Mendoj se zgjedhjet në vijim janë të rëndësishme. Janë një çështje e brendshme dhe nuk dua të përfshihem, por theksoj se është e rëndësishme të ketë dialog politik”, u shpreh Koenders.
Ndërkaq, ministri holandez tha se tashmë ka ardhur koha që reformat të vihen në zbatim, duke vënë theksin tek reforma në drejtësi. Koenders tha se investitorët holandezë kanë kthyer sytë nga Shqipëria, duke përmendur turizmin si në nga fushat më me interes.
“Shqipëria ka bërë një progres të madh prej vitit 1991. Gjatë këtyre viteve është forcuar bashkëpunimi mes vendeve tona. Tashmë po vijohet me marrëveshjet e bashkëpunimit, ndërsa investitorët holandezë po shfaqin interes për Shqipërinë. Ne e gjejmë veten në fusha të ndryshme këtu në Shqipëri, e sidomos në turizëm. Kemi bashkëpunim edhe në forumin ndërkombëtar, në fushën e sigurisë dhe në luftën e përbashkët kundër ISIS-it. Në muajin maj do të ketë fluturime direkte Tiranë-Amsterdam. Ne e mbështetin perspektiven europiane të Shqipërisë. Përshëndetim angazhimin e qeverisë shqiptare në realizmin e reformave në fushën e drejtësisë ka ardhur koha që të gjithë këto reforma të fillojnë realizmin. Mendoj se edhe zgjedhjet në vijim janë të rëndësishme. Janë një çështje e brendshme dhe nuk dua të përfshihem, por theksoj se është e rëndësishme të ketë dialog politik”, tha ministri holandez.
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u ndal tek reformat, duke theksuar se zbatimi i ligjit të vettingut, është moment kyç për integrimin europian të vendit.
“Shqipëria ka njohur një rritje të pranisë të kompanive holandeze në vendin tonë. Qeveria Shqiptare shpreh angazhimin për vijimin e reformave, për të krijuar një ambient sa më tërheqës për investitorët e huaj. Ne kemi ende një ambient të pashfrytëzuar plotësisht sa i përket investimeve dhe turizmit. Duke filluar nga 10 maji, kompania do të fluturojë 3 herë në javë nga Amsterdami në Tiranë me një kosto të ulët. I shpreha homologut holandez përkushtimin tonë për të ecur përpara e me reformën në drejtësi. Ulja e Shqipërisë në thyezën e bisedimeve do të bëhet në momentin kur ne do të kemi rezultate konkrete të reformës në drejtësi, kam këtu parasysh ligjin e vettingut dhe të tjera ligje me rëndësi për zbatimin e shtetit të së drejtës”, tha Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

