Ministri Hoxha: Të fuqizojmë rolin e gruas në polici
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha gjatë fjalimit të tij të mbajtur në aktivitetin “Global Woman Club Diaspora 2025 Wo-Men” theksoi se fuqizimi i gruas në Policinë e Shtetit dhe Administratë nuk është më thjesht një synim – është një realitet që po ndërtohet çdo ditë. Gratë sot janë gjithnjë e më të pranishme në strukturat e rendit dhe sigurisë, jo vetëm si punonjëse, por edhe në role drejtuese.
Ato sjellin perspektivë, ndjeshmëri dhe zgjidhje inovatore për sfidat moderne të sigurisë. Ministri Ervin Hoxha në fjalën e tij vuri ne dukje se “në këtë hapësirë ku energjia e ndryshimit, barazia dhe fuqia e gruas janë fokus i bisedës.
Kjo qasje nuk është më retorikë, por angazhim real për të shtuar prezencën e përfaqësimin e tyre edhe në radhët e institucioneve që garantojnë rend dhe siguri publike. Në këtë pikë, përfaqësimi në politikë është një hap para”.
“Deri para pak vitesh institucionet e sigurisë shiheshin ‘punë burrash’, mirëpo në vite figura femërore iu bashkuan Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në radhët e tyre dhe në nivele drejtuese. E për këtë, ndaj bindjen time të plotë me ju, se sistemi bëhet më i ndjeshëm ndaj nevojave të qytetarëve dhe pse jo, garanton politikat e sigurisë të vijnë më natyrshëm tek shoqëria. Se kjo është natyrë e tyre, si nëna, motra, bija e bashkëshorte”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi më tej se përfaqësimi i grave në Policinë e Shtetit është në rritje, janë vendosur kuota gjinore për rekrutimet e reja, një hap konkret drejt barazisë së mundësive, ndërsa administrata e Ministrisë së Brendshme përbëhet në shumicë nga femra, përfshirë edhe pozicionet më të larta drejtuese.
KOHA JONË SONDAZH

