Ministri i Financave çel fushatën në Mat, “Adelina Farrici ka mbështetjen e qeverisë”
Edhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani është përfshirë në fushatën elektorale, ku ka çelur zyrtarisht atë në rrethin e Matit. Ai ka prezantuar kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Adelina Farrici, e cila garon për një mandat të dytë.
Gjatë fjalës së tij ministri Cani vlerësoi punën e katër viteve të znj. Farrici, duke u shprehur se ajo gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë.
“Ajo ka bërë shumë për qytetin e Burrelit në katër vjet qeverisje dhe me siguri do të bëjë më shumë për Matin në katër vitet e ardhshme. Ajo gëzon mbështetjen e plotë të kryeministrit Rama dhe qeverisë”, u shpreh Cani.
Të pranishëm në çeljen zyrtare të fushatës ishin përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët deklaruan mbështetjen e tyre për kandidaturën e Adelina Farricit.